1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: 80 vjet nga konferenca Wannsee

20 Janar 2022

Gjenocidi nacionalsocialist kishte filluar para vitit 1942. Por konferenca e Wannsee para 80 vjetësh shënon datën, kur nisi vrasja sistematike e hebrenjve europianë.

https://p.dw.com/p/45nxc
Deutschland | 80 Jahre Wannseekonferenz
Fotografi: Annette Riedl/dpa/picture alliance

"Zgjidhjen finale të çështjes së hebrenjve" e quanin nacionalsocialistët planin e tyre kriminal. Kështu shkruhet në protokollin e hartuar 80 vjet më parë në "Konferencën e Wannsee". Në takimin në 20 janar 1942 në një vilë në një peisazh idilik, morën pjesë 15 përfaqësues të lartë nazistë. E vetmja pikë e rendit të ditës: përfundimi i Holokaustit, i cili tashmë kishte filluar.

"Zgjidhja finale e çështjes së hebrenjve"

Në Nuremberg zhvillohesin proceset kundër zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme, kur zëvendësprokurorit Robert Kempner në mars 1947 i bien në duar një numër dosjesh të kësaj ministrie. Një dokument ngjall interes të veçantë. "Sekret i Rajhut!" - kështu shkruhet me ngjyrë të kuqe në faqen e parë. Gjetja është një sensacion. "Protokolli i konferencës", siç është titulluar në mënyrë burokratike teksti prej 15 faqesh, konsiderohet si provë vendimtare për zhdukjen sistematike të hebrenjve europianë. Në protokollin e konferencës së Wannsee, numri i tyre vlerësohet në 11 milionë.

30 kopje ka pasur dokumenti i ashtuquajtur "zgjidhja finale e çështjes së hebrejve". Vetëm kjo kopje ka mbetur. Ajo përbën bazën dhe parakushtin për shtëpinë e konferencës Wannsee në funksionin e saj të sotëm.

Interesimi për historinë bashkëkohore

Vila luksoze ndodhet jashtë shtegut turistik në kufirin jugperëndimor të qytetit. Megjithatë shumë të interesuar për historinë marrin rrugën e gjatë deri në vilë. Që prej hapjes si memorial në vitin 1992 numri i vizitorëve thuajse është rritur vazhdimisht.

Benjamin Netanyahu besucht Wannsee Gedenkstätte
Ish-kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu e ka vizituar memorialin gjatë vizitës në Berlin në gusht të vitit 2009Fotografi: AP

Sipas të dhënave nga memoriali në vilën Wannse, dy të tretat e vizitorëve vijnë nga jashtë, pjesa më e madhe nga Izraeli. Kjo ka të bëjë shumë me Adolf Eichmann-in, i cili si drejtuesi i autoritetit të sigurisë së Rajhut, pati shkruar protokollin e konferencës së Wannsee 80 vjet më parë. Si një prej kriminelëve më të kërkuar të luftës, atij iu bë një proces publik në Jeruzalem në vitin 1961.

Memoriali dhe enigma "Konferenca e Wannsee"

Të dhëna konkrete se si duhej të zhdukeshin hebrejtë nuk gjenden në protokoll. Por një lexim i kujdesshëm bën të qartë se me formulimin "evakuuim në Lindje" nuk nënkuptohej asgjë tjetër. Megjithatë historiani Eberhard Jäckel, në fillim të viteve 1990 e konsideronte konferencën e Wannsee një "enigmë". Ndërkohë në këtë drejtim është avancuar shumë, thotë historiani Peter Klein, i cili kur u përkujtua 70 vjetori i konferencës së Wannsee organizoi një konferencë ndërkombëtare historianësh (2011), në Berlin. Dy interpretime karakterizuan diskutimin, shpjegon Klein: "Së pari që pak para ftesës së parë për konferencën e Wannsee është hartuar vërtet një vendim nga Hitleri. Ai i është përcjellë bashkëpunëtorëve më të ngushtë (...). Ka edhe një interpretim të dytë sipas të cilit konferenca e Wannsee përbën vetëm një hap në rrugën e vrasjes masive të të gjithë hebrejve."

Konferenca e Wannsee ishte hapi vendimtar në rrugën drejt "zgjidhjes përfundimtare të çështjes së hebrejve". Takimi drejtohej nga shefi i policisë së sigurisë, Reinhard Heydrich. Gjysma e pjesëmarrësve ishin akademikë. Pra bëhej fjalë për një grup njerëzish me formim shumë të lartë akademik, të cilët në mënyrë rutinë a personale vulosën zhdukjen e hebrejve.

Konferenca e Wannsee mbetet edhe sot 80 vjet më vonë një temë shumë komplekse. Në mjediset e muzeut organizohen me vizitorët, veçanërisht me grupe të rinjsh, diskutime mbi tema aktuale si neonazismi dhe esktremizmi i djathtë. Shtëpia e konferencës Wannsee është sot një strukturë muzeale me aktiivtete pedagogjike, por në aspektin historik ajo mbetet megjithatë një vend i fajtorëve, e lidhur me fabrikën e vrasjeve të nacionalsocializmit.

Monument kundër harresës