1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: 75 vjet Ligj Themelor në rrjedhën e kohës

23 Maj 2024

Kushtetuta e vitit 1949 u ndryshua shpesh dhe deri në bashkimin e Gjermanisë ishte e vlefshme vetëm në Perëndim. Një retrospektivë.

https://p.dw.com/p/4g2HA
Libri i Ligjit themelor
Ligji ThemelorFotografi: Joko/Bildagentur-online/picture alliance

Kushtetuta e vitit 1949 u ndryshua shpesh dhe deri në bashkimin e Gjermanisë ishte e vlefshme vetëm në Perëndim. Çështje shumë të debatuara kanë qenë: Krijimi i Bundeswehr-it dhe reforma e ligjit për azilin.

"Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm" – kështu nis neni 1 i Ligjit Themelor. Fjalia e parë e Kushtetutës u shkrua nën mbresën e fajit të paprecedentë, që i kishte ngarkuar vetes Gjermania naziste. Ajo ishte përgjegjëse për Luftën e Dytë Botërore nga viti 1939 deri në 1945 dhe për vrasjen e gjashtë milionë njerëzve të besimit hebre në të gjithë Evropën.

1949: Shpallet Kushtetuta

Kur u shpall Kushtetuta më 23 maj 1949, ajo ishte e vlefshme vetëm në Republikën Federale të Gjermanisë (RFGJ), e cila u themelua po në të njëjtën ditë. RFGJ u krijua në tri zonat e pushtuara nga fuqitë perëndimore, fitimtare të Luftës së Dytë Botërore: SHBA, Britania e Madhe dhe Franca. Zona e pushtuar nga sovjetikët (SBZ) ishte në lindje. Ajo u bë  më 7 tetor 1949 Republika Demokratike Gjermane (RDGJ), e cila në realitet ishte një diktaturë e qeverisur nga Partia Socialiste e Unitetit të Gjermanisë (SED).

Për shkak të ndarjes së Gjermanisë nënat (4) dhe baballarët (61) e Ligjit Themelor e konsideronin punën e tyre si të përkohshme. Kjo është përmendur shpesh me rastin e 75-vjetorit të Kushtetutës gjermane, ndër të tjerë edhe nga historiani nga Potsdami Martin Sabrow në një event të organizuar nga Fondacioni Gjerman për Zbardhjen e Diktaturës në SED: "Ajo nuk duhej të ishte një kushtetutë për gjithmonë por diçka kalimtare, derisa populli gjerman të mund të vendoste lirisht në tërësinë e tij të plotë”.

1990: Kushtetuta për Gjermaninë e bashkuar

Momenti historik për këtë mund të kishte qenë ribashkimi gjerman në vitin 1990, pasi njerëzit rrëzuan Murin e Berlinit dhe regjimin e RDGJ me revolucion paqësor. Megjithatë një kushtetutë e re nuk u përpilua.

"Në fakt u iniciua një debat për një kushtetutë mbarëgjermane, por kjo ide nuk mundi të fitonte shumicën në Gjermani”, shpjegon politologia Astrid Lorenz nga Universiteti i Lajpcigut. "Arsyeja kryesore ishte: Ligji Themelor e kishte treguar veten, se një kushtetutë e re është e panevojshme. Nevojitej stabilitet."

1956: Bundeswehr-i dhe çështja e mbrojtjes

Edhe pse nuk është hartuar një kushtetutë e re, Ligji Themelor është ndryshuar thuajse 70 herë gjatë dekadave – për shkak të ndryshimeve të thella sociale dhe gjeopolitike.  Shumë e debatuar ka qenë riarmatosja, ashtu si edhe hyrja në Aleancën e Mbrojtjes së Atlantikut të Veriut (NATO). Për këtë arsye në vitin 1956 Ligji Themelor u ndryshua disa herë, me qëllim që të mund të formohej Bundeswehr-i dhe të garantohej me kushtetutë i ashtuquajturi rast i mbrojtjes në rast sulmi.

1968: Kufizimi i të drejtave themelore në situata të jashtëzakonshme

Ndryshime serioze sollën me vete edhe të ashtuquajturat "ligjet emergjente” të miratuara në vitin 1968. Në këtë mënyrë duhej siguruar aftësia e shtetit për të vepruar në situata krize. Kryesisht në rastet e fatkeqësive natyrore, kryengritjeve dhe luftërave. Ky ndryshim i kushtetues mundësonte ndër të tjera ndërhyrjen e Bundeswehr-it brenda vendit dhe kufizimin e të drejtave themelore. Në situata emergjente është i lejuar edhe monitorimi i fshehtë i komunikimeve.

1993: Kufizohet e drejta për përfitimin e azilit

Tre vjet pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1993 e drejta e azilit u reduktua shumë dhe Ligji Themelor u ndryshua. Shkaku ishte rritja tej mase e kërkesave për azil politik, gjë që çoi në tensione masive sociale dhe në forcimin e ekstremizmit të djathtë. Që nga kjo reformë është e mundur, që personat pa pasaportë gjermane të dëbohen në vende, të cilat klasifikohen si "vende të sigurta të origjinës”. Së fundmi kësaj liste iu shtuan edhe Gjeorgjia dhe Moldavia.

2009: Frena e borxheve ndaj borxhit të shtetit

Për të kufizuar borxhin shtetëror, në vitin 2009 u inkorporua në kushtetutë i ashtuquajturi "fren i borxhit”, që limiton fort huamarrjen vjetore. Përjashtime lejohen vetëm në rastin e fatkeqësive natyrore si në luginën Ahr ose në rast të një krizë të paparashikueshme si pandemia e koronës. Në vitin 2023 qeveria gjermane pezulloi frenin e borxhit pas shpërthimit të luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës. Duhej financuar një fond i posaçëm, për të mundësuar financimin e ndihmave për vendin e sulmuar dhe mbi të gjitha për blerjet e armatimeve. Meqenëse Gjermania edhe në vitin 2024 vuan nga problemet ekonomike dhe nga ngecja e investimeve, janë shumë nga ata, që bëjnë thirrje për një çlirim të përgjithshëm të frenit të borxhit.

Ndryshime kushtetuese vetëm me shumicën e dy të tretave

Për çdo ndryshim të Ligjit Themelor vlen sa vijon: Ai është i mundur vetëm, nëse bien dakord dy të tretat e anëtarëve të Bundestagut gjerman dhe të parlamenteve të secilit land (Bundesrat). Në këtë mënyrë synohet të pengohet, që kushtetuta të bëhet një lojë e kërkesave të politikës së ditës. Por në radhë të parë ajo synon të mbrojë demokracinë nga armiqtë e mundshëm. Ata do ta kishin shumë të lehtë, sikur ndryshimet kushtetuese të kalonin me një shumicë të thjeshtë. Në këtë mënyrë parimi i shtetit ligjor do të mund të minohej shpejt.

Ligji Themelor, i ndryshuar vazhdimisht gjatë 75 viteve të ekzistencës së tij, e ka dëshmuar vlerën e vet – në këtë pikë janë të një mendimi ekspertët e politikës dhe të shkencës. Kushtetuta gjermane ka një reputacion të mirë edhe në nivel ndërkombëtar dhe ka shërbyer si model për shumë vende me të kaluar diktatoriale. Ligji Themelor është mjaft i vlerësuar edhe nga gjermanët. Ky është rezultati i një studimi nga Mercator Forum për Migracionin dhe Demokracinë në Universitetin e Dresdenit. Rezultati: 81 për qind e të anketuarve janë të mendimit se Ligji Themelor e ka dëshmuar veten, vetëm gjashtë për qind thonë jo.

Asnjë referim për revolucionin paqësor në RDGJ

Politologia Astrid Lorenz, e lindur në RDGJ, ende i bën vetes herë pas here një pyetje: "A u nxorën mësime nga diskutimi për kushtetutën gjatë bashkimit të Gjermanisë?" Nga këndvështrimi i saj përgjigja për këtë është shumë e qartë: "Në Ligjin Themelor nuk ka referenca për historinë e Gjermanisë Lindore dhe revolucionin paqësor".

Drejtoresha e Fondacionit gjerman për Zbardhjen e Diktaturës së SED-së, Anna Kaminsky, dëshiron një vizion më të hapur në Ligjin Themelor: "Kjo duhet të shërbejë edhe si shkas për të kujtuar se ka pasur shpesh njerëz të guximshëm në zonën e pushtuar nga sovjetikët dhe në RDGJ më vonë, të cilët rrezikuan ekzistencën madje edhe jetën e tyre, për të kërkuar edhe për pjesën lindore të Gjermanisë të drejtat dhe liritë, që ekzistonin në Perëndim ”.

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore