1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjeorgjia kritikon rëndë Rusinë në OSBE

Jërg Pas / Vienë29 Gusht 2008

Për shkak të propagandës, vëzhguesit e OSBE-së e kanë të pamundur që të sqarojnë situatën rreth spastrimeve etnike në Osetinë Jugore. Në selinë e OSBE-së në Vjenë, Gjeorgjia ka kritikuar rëndë Rusinë për këtë shkak.

https://p.dw.com/p/F6ye
Ministrja e jashtme e Gjeorgjisë, Tkeshelashvili, flet para OSBE-së në Vienë, 28.08.08
Ministrja e jashtme e Gjeorgjisë, Tkeshelashvili, flet para OSBE-së në Vienë, 28.08.08Fotografi: AP

Vetë nocioni zgjon kujtime të tmerrshme, ndërkohë që ministrja e jashtme e Gjeorgjisë, Eka Tekesshashvili e përdori disa herë. Rusia e ka spastruar etnikisht Osetinë Jugore, pohonte ministrja në selinë e përhershme të OSBE-së në Vienë. Populli i Gjeorgjisë ëshë dëbuar sistematikisht nga ky rajon. Ushtria ruse dhe forcat paraushtarake veprojnë sipas një modeli të njëjtë:

„Ata krijojnë një zonë me pika kontrolli, ku pas një kohe të shkurtër nuk respektohet më asgjë: njerëzit dëbohen, ndërsa shtëpitë e tyre shkatërrohen deri në themel, me qëllim që njerëzit të mos kenë ku të kthehen. Në këtë mënyrë ata vazhdojnë me spastrimet etnike, madje edhe jashtë zonave të konfliktit."

Minstrja e jashtme e Gjeorgjisë kërkoi prej KS të OKB dhe OSBE-së që të veprojnë menjëherë. Në të kundërtën, kërcënon një efekt domino. Në radhë mund të jenë rusët e Ukrainës.

„Përkundër të gjitha rregullave ndërkombëtare dhe ligjeve të tyre, në Gjeorgji janë shpërndarë pasaporta ruse për të gjithë banorët e Osetisë Jugore dhe Abhazisë. Në Ukrainë po ndodh dicka e ngjashme. Nga siujdhesa e Krimit po shpërndahen pasaporta ruse, me argumentin se ajo në të vërtetë nuk i përket Ukrainës. Duket se kjo përvojë do të vazhdojë."

Po çfarë mund të bëjë OSBE-ja? Në fakt vetëm atë, për të cilën bien dakord të gjitha 56 shtetet anëtare, pra edhe Rusia. Për vite të tëra në Gjeorgji gjenden tetë vëzhgues ushtarakë, ndërsa tani numri i tyre do të shtohet në 28. Të paarmatosur dhe nga të gjitha vendet anëtare, ata duhet të ndihmojnë për sqarimin e gjendjes.

Kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i Finlandës, Alexander Stubb, ka propozuar që numri i vëzhguesve të jetë më i madh se 100, por deri tani nuk ka ndonjë marrëveshje. Thuhet se më parë duhet definuar misioni i tyre dhe vendstrehimi. Ambasadori rus në OSBE, Anvar Asimov thotë:

„ Ky do të jetë një mision i rëndësishëm, sepse vëzhguesit do të kenë një punë shumë të përgjegjshme. Besojmë se OSBE-ja do të jetë objektive. Raporti i vëzhguesve të OSBE-së do të jetë i rëndësishëm për të kuptuar gjendjen në Gjeorgji, Osetinë Jugore dhe Abkazi."

Ambasadori thotë se Rusia e ka njohur pavarësinë e tyre për shkak të agresionit të Gjeorgjisë. Ai kërkon madje që për shpjegimin e gjendjes, në seancën e radhës të ftohen edhe përfaqësuesit e Osetisë Jugore dhe Abkazisë.