1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjeorgjia dhe Abkazia - Këshilli i Sigurimit pa qëndrim të përbashkët

Auron Dodi23 Korrik 2008

Në një mbledhje të posaçme të KS të OKB-së, të thirrur nga Gjeorgjia për shkak të fluturimeve ruse mbi Abkazi dhe mbi Osetinë Jugore nuk u arrit të biet dakord.

https://p.dw.com/p/EiE8
Luftime në Kodori, korrik 2006
Luftime në Kodori, korrik 2006Fotografi: picture-alliance/ dpa

Të dyja palët ia hodhën përgjegjësinë njëra-tjetrës për acarimin e situatës. Ndërkohë Gjeorgjia ka sinjalizuar mbështetje për një plan gjerman për çtensionimin e situatës në Abkazi.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk arriti në një qëndrim të përbashkët, në mbledhjen e tij të posaçme të thirrur nga Gjeorgjia, për shkak të fluturimeve ruse mbi territorin gjeorgjian në 8 korrik. Fluturimet e avionëve ushtarakë rusë në fakt u kryen mbi rajonin de fakto të pavarur të Osetisë Jugore. Rusia e pranoi në 10 korrik këtë fakt, me argumentimin e "ndalimit të gjakderdhjes dhe mbajtjes së situatës brenda kufijve legalë."

Ambasadori i Gjeorgjisë, Irakli Alasania u tha reporterëve pas takimit me dyer të mbyllura se shumica e anëtarëve të KS e mbështetën integritetin territorial të vendit të tij dhe dënuan shkeljet e hapësirës ajrore gjeorgjiane. Kurse ambasadori rus në OKB, Vitali Curkin, tha pas takimit se Moska i kishte tërhequr sërish vëmendjen KS të OKB-së për acarimin e situatës në zonën e konfliktit gjeorgjiano-osetiane dhe gjeorgjiane-abkaze.

Më tej Moska i kishte bërë thirrje Tiflisit të nënshkruante një dokument për mospërdorim dhune si dhe që të tërhiqte trupat nga Lugina e Kodorit: "Hapi i parë që mund të merrte pala gjeorgjiane dhe që duhet të merrte për të shpërndarë dyshimet për motivet e saj është të nënshkruajë një dokument për mospërdorimin e forcës në të dyja zonat e konfliktit. Dhe në rajonin Gjeorgji-Abkazi do të ishte shumë e rëndësishme, që Gjeorgjia të tërheqë trupat e saj prej Luginës së Kodorit të Sipërm."

Por ambasadori amerikan në OKB, Zalmai Khalilzad tha se Uashingtoni është i shqetësuar për shkak të shkeljes së hapësirës ajrore gjeorgjiane nga Rusia dhe i kërkoi Rusisë të ndërmarrë hapa për të qenë një partner i besueshëm për miqtë e Gjeorgjisë dhe që të luajë një rol konstruktiv.

Gjeorgjia e rimori kontrollin mbi luginën e Kodorit prej një komandanti lokal ushtarak në vitin 2006, i rivuri emrin Abkazia e Sipërme dhe e përgatiti atë si qendër për qeverinë abkaze në mërgim, e cila përbëhet në pjesën më të madhe nga gjeorgjianë që u arratisën nga Abkazia në luftën për secesionin e saj në vitet '90.

Ndërkohë, Gjeorgjia deklaroi se sheh shanse të mira për planin tri shkallësh gjerman për qetësimin e konfliktit të Abkazisë. Ambasadori i Gjeorgjisë në OKB, Irakli Arasania tha se "iniciativa gjermane është shumë e mirëpritur. Sapo të jenë përpunuar të gjithë elementët në mënyrë përkatëse, ne edhe do të nisim punën" tha Arasania.

Plani tri shkallësh gjerman, parashikon fillimisht një heqje dorë nga dhuna, pastaj do të sqarohet çështja e ndoshta rreth 250 mijë refugjatëve, të cilët u desh të largohen nga Abkazia në kuadër të luftës civile dhe që jetojnë tani në kushte të vështira në Gjeorgji. Pastaj duhet të fillojë rindërtimi dhe vetëm në fund do të diskutohet për statusin e Abkazisë.