1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjeorgji: S'do të shkosh ushtar, bëhu prift

Ulrike Butmaloiu
30 Korrik 2017

Priftërinjtë janë të përjashtuar nga shërbimi ushtarak në Gjeorgji. Liberalët vendas po e përdorin tani këtë fakt për të ngulur këmbë për reforminin e ushtrisë.

https://p.dw.com/p/2hM6p
Georgien ist der einjährige Dienst an der Waffe Pflicht
Fotografi: DW/A. Ghilan

Nika Oboladze është 26 vjeç dhe prej dy muajsh peshkop. Dhe sa herë që e thotë këtë gjë, atij i vjen për të qeshur. Nika Oboladze është zëdhënës i Partisë Liberale Girchi, një fraksion i partisë liberale Lëvizja e Bashkuar Kombëtare(UNM).

Në fund të marsit ai dhe shokët e tij kanë krijuar një kishë dhe kanë emëruar veten si peshkopë, kryepeshkopë dhe priftërinj. Kisha e tyre quhet "Kisha Gjeorgjiano-Kristiano-Protestanto-Ungjillore e Lirisë Biblike" dhe po shndërrohet në një strehë shpëtimi për të rinjtë gjeorgjianë që duan të shmangin legalisht shërbimin e detyruar ushtarak.

Shumica e gjeorgjianëve pro shërbimit ushtarak

Sfondi i këtij veprimi nuk është pacifizmi. "Shumica e gjeorgjianëve duan të shkojnë në ushtri. Por ata ndjehen të shpërdorur," shpjegon Oboladze. Një ndër katër rekrutë ngarkohet të shërbejë si roje objektesh ose bodyguard. "Një vit të tërë ata qëndrojnë para dyerve të Ministrive, shoqërojnë politikanë apo punojnë në në ndërtim dhe marrin 20 euro në muaj pagesë", ankohet ai. "Dhe  e shumta gjatë gjithë kësaj kohe ata shkrepin gjithë-gjithë dhjetë fishekë."

Georgien - Nikoloz Oboladze und Levan Jgerenaia der Partei Girchi
Nika Oboladze (m) dhe Levan Jgerenaia Fotografi: U. Butmaloiu

Shumë gjeorgjianëve nuk u pëlqen që ushtarët nuk stërviten dhe shkollohen si duhet. Atyre u kujtohen mirë ngjarjet e vitit 2008 kur tanket ruse hynë deri afër Tbilisit për shkak të luftës me provincën separatiste të Osetisë së Jugut. Edhe ndaj fqinjëve Turqisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë, ku Rusia ka një bazë ushtarake, ata kanë ndjenja të përziera.

Rregull me përjashtime

Sjellja arbitrare ndaj ushtarëve lidhet me periudhën sovjetike, kur oficerët e lartë i vinin ushtarët të ndërtonin shtëpitë e tyre private. Protestat e dikurshme kundër kësaj praktike të njohur kaluan pa u vënë shumë re për shkak të nepotizmit. Por kjo praktikë vazhdon dhe Girchi dëshiron ta ndryshojë këtë. Prandaj u ka shpërndarë 500 burrave certifikatën e priftit - dhe me këtë edhe mundësinë për t'ju shmangur shërbimit ushtarak.

Georgien ist der einjährige Dienst an der Waffe Pflicht
Shumica e gjeorgjianëve pro shërbimit ushtarakFotografi: DW/A. Ghilan

Në Gjeorgji ekziston shërbimi ushtarak një-vjeçar i detyrueshëm për të rinjtë nga mosha 18- deri 27-vjeçare. Nga ky rregull përjashtohen baballarët e fëmijëve të vegjël, studentët dhe klerikët. Familjet e pasura paguajnë disa mijëra euro dhe Ministria e Mbrojtjes i liron nga detyrimi i shërbimit ushtarak. Por me të ardhura mesatare prej 250 euro një muaj, këtë gjë nuk mund të përballojnë shumë gjeorgjianë.

Partia Girchi kërkon një shërbim ushtarak prej tre muajsh me trajnim dhe stërvitje ushtarake me cilësi të lartë dhe me pagesë të arsyeshme për të gjithë. "Me rezervistë të trajnuar keq, ne nuk mund të bëjmë asgjë në rast nevoje," thotë Oboladze. "Ushtria e Gjeorgjisë ka nevojë për një reformë."

Izraeli si model

Ndërkohë ka mjaft organizata si Qendra Liberale për Përfshirje Civile (CCI)që e përkrahin këtë nismë. Drejtori i saj Lasha Giorgadze thotë se ideja e tij është një ushtri e ngjashme me atë të Izraelit, pra: "e pajisur mirë, me rezervistë të trajnuar, e hapur edhe për gratë dhe me mundësi për shërbim ushtarak alternativ."

Georgien ist der einjährige Dienst an der Waffe Pflicht
Fotografi: DW/A. Ghilan

Deri tani parlamenti dhe qeveria nuk janë shprehur zyrtarisht për kërkesat për reformimin e ushtrisë. Në maj kryetari i Komisionit për Mbrojtjen dhe Sigurinë, Irakli Sesiashvili, tha se po punohet për një projektligj.

Deri sa ky ligj të miratohet dhe të nisin reformat, Girchi, do të vazhdojë me aksione spektakolare.