1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjeorgji: paraprakisht sinjalizohen protesta

Ester Hartbrih21 Maj 2008

Me kursin properëndimor të presidentit të tyre Sakashvili janë dakord shumica e gjeorgjianëve, por shumë nuk janë dakord me stilin e tij të drejtimit. Ndaj në zgjedhjet parlamentare, opozita druhet për manipulime

https://p.dw.com/p/E3gW
Pllakata zgjedhjesh në Tbilis, Gjeorgji
Pllakata zgjedhjesh në Tbilis, GjeorgjiFotografi: AP

Në sheshin e lojërave përballë godinës së parlamentit gjeorgjian, Jelena, gati 60 vjeç kujdeset për mbesën e saj gjashtëvjeçare, që ka filluar pushimet e verës. Jeta në Gjeorgji është përmirësuar shumë vitet e fundit, thotë ajo. Kjo është e dukshme dhe e ndieshme, megjithë problemet ekonomike dhe papunësinë e lartë.

"Kjo është e qartë. Ne kemi qenë gjithmonë për qeverinë. Unë nuk shoh askënd që të ishte në gjendje t'i zgjidhte problemet, veç qeverisë", na tregon ajo.

Sipas sondazheve të fundit, partia në pushtet e presidentit "Lëvizja e Bashkuar Nacionale" pritet të marrë numrin më të madh të votave. Megjithatë ka mundësi që ajo të mos e marrë shumicën prej dy të tretave, që ka aktualisht. Por fitorja e partisë së tij në pushtet, as që diskutohet për Konstantin Gabashvilin, kryetarin e Komisionit të jashtëm të Parlamentit:

"Ne vendosëm që të bëjmë publicitet për vete pa kritika personale, pa sulme personale. Kjo është e mirë për popullin, për situatën e përgjithshme, për politikën e rindërtimit."

Opozita shkon me skepticizëm në zgjedhje

Opozita, e cila është mbledhur në pjesën më të madhe në bllokun "Opozita e bashkuar" i sheh punët ndryshe. Ajo e akuzon qeverinë se përdor konfliktin me Rusinë për rajonet jo besnike të Osetisë Jugore dhe Abkazisë për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme. Salome Surabishvili, e cila nga zhgënjimi për politikën jodemokratike të Sakashvilit dorëzoi postin e saj si ministre e jashtme, themeloi një parti të vetën, e cila tani është pjesë e opozitës:

"Këto zgjedhje mbahen në një situatë shumë të tensionuar dhe me një masë të pabesueshme parregullsish. Kërkesat e organizatave ndërkombëtare nuk janë plotësuar, as ato të opozitës. Nuk ka asgjë që i bën zgjedhjet të besueshme për popullin."

Vëzhguesit afatgjatë të OSBE-së kritikojnë gjithashtu parregullsi. Ata thonë se qeveria përdor nëpunës dhe burime shtetërore për qëllime të fushatës elektorale.

Opozita ka deklaruar, që si vitin e kaluar, pas zgjedhjeve presidenciale në janar, edhe këtë vit do të dalë në rrugë, nëse zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe besueshme.