Gjendja në Bangladesh mbetet shumë e rëndë
24 Korrik 2024Pas protestave dhe trazirave në Bangladesh Gjykata e Lartë e Bangladeshit vendosi që të rezervohen vetëm shtatë për qind të vendeve të punës në sektorin publik për grupe të caktuara të popullsisë.
Fillimisht kjo kuotë ishte parashikuar të ishte 30% dhe do të favorizonte pasardhësit e "luftëtarëve të lirisë" që luftuan për pavarësinë e Bangladeshit nga Pakistani në vitin 1971. Kjo nga demonstruesit konsiderohet si favorizim i përkrahësve të kryeministres Sheikh Hasina dhe partisë së saj në pushtet Awami League, pretendim ky që kjo parti e mohuar.
Në vendimin e saj Gjykata e Lartë e Bangladeshit këshillon që 93% e të gjitha emërimeve të bazohen me efekt të menjëhershëm në merita, dhe vetëm 5% vende pune të rezervohen për pasardhësit e luftëtarëve të lirisë dhe 2% njerëzve nga pakicat etnike ose me aftësi të kufizuara.
Megjithatë vendimi ka më tepër karakter rekomandues, sepse në të theksohet se qeveria ka të drejtë ta ndryshojë raportin e kuotave që rekomandon gjykata.
Studentët duan t'i vazhdojnë protestat
Përfaqësuesit kryesorë të protestave studentore e përshëndetën vendimin, por thanë se do t'i vazhdojë demonstratat.
Sarjis Alam, një nga koordinatorët e protestës për reformën e kuotave, tha për DW se vendimi i gjykatës nuk u përgjigjet plotësisht kërkesave të studentëve, pasi në thelb ai lë në dorë qeverisë të vendosë sesi do të zbatojë sistemin e kuotave.
"Gjykata tha se çështja e kuotave është një vendim politik i qeverisë dhe se nëse duan autoritetet mund ta ndryshojnë raportin e kuotave," tha Alam. Ai shtoi se gjykata i ka kërkuar qeverisë që të njoftojë sa më shpejt se si synon ta reformojë sistemin e kuotave.
"Ne duam të shohim se sa e shpejtë është qeveria dhe nëse ajo reformon kuotat për të gjitha vendet e punës në qeveri ose jo. Ne do të reagojmë në bazë të përqindjes së kuotave që shpall qeveria," shtoi ai.
Megjithatë sipas informacioneve të BBC-së protestuesit nuk kanë ende një linjë të përbashkët se ç'synime do të ndjekin me vazhdimin e protestave. Disa kërkuan ndër të tjera lirimin e të gjithë studentëve të arrestuar dhe dorëheqjen e qeverisë.
Policia e Bangladeshit tha se deri tani ka arrestuar gjatë protestave të dhunshme të paktën 532 vetë. Midis tyre janë edhe anëtarët kryesorë të partisë opozitare Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP), tha një zëdhënës i departamentit të policisë në kryeqytetin e vendit Daka.