1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazetarët në Kosovë përballen me “kërcënim dhe presione”

Bekim Shehu13 Prill 2016

Freedom House në raportin e fundit mbi gjendjen e medieve në Kosovë, thotë se liria e shprehjes në Kosovë ka shënuar një përparim të lehtë, ndërsa, por gazetarët përballen me presione dhe kërcënime.

https://p.dw.com/p/1IUWG
Kosovo Fernsehen
Fotografi: DW

Kosova ka vazhduar konsolidimin demokratik me hapa të ngadaltë në vitin 2015, ndërsa korniza ligjore kushtetuese e saj paraqet një garanci të fortë për lirinë e shprehjes. Kështu thuhet në raportin e fundit të Freedom House, të publikuar më (12.04) në të cilin një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe zhvillimit të medies në Kosovë. Sipas raportit, mediet në Kosovë kanë shënuar një përparim të lehtë, nga 5.50 në 5.25 pikë. Në tabelën prej 1 deri në 7 pikë, 1-shi paraqet nivelin më të lartë të përparimit demokratik ndersa, 7-ta nivelin më të ulët.

Ndërhyrje të politikës e biznesit

“Korniza ligjore e kushtetuese e Kosovës paraqet garanci të fortë për lirinë e shprehjes dhe të medieve, por zbatimi në praktikë vazhdon të mbetet çështje problematike. Ndërhyrjet politike dhe të biznesit si dhe një financim i qëndrueshëm, vazhdojnë të pengojnë zhvillimin e medies dhe vlerat profesionale të këtij sektori”, thuhet në raport në të cilin analizohen zhvillimet gjatë vitit 2015.

Raporti i Freedom House, citon një analizë për Qëndrueshmërinë e Medieve të bërë nga organizata (IREX), sipas së cilës mediet në Kosovë janë “afër stabilitetit” dhe ndodhën në një nivel me disa vende të BE-së, siç janë Kroacia e Rumania. Përkundër kësaj, një anketë e bërë së fundi me gazetare dhe profesionistë të medies, ka treguar se gazetarët përballet me një numër sfidash gjatë ushtrimit të punës së tyre, duke filluar nga mungesa për kontrata kohore, apo edhe raste kur nuk kanë kontrata fare, e deri tek ndikimi direkt i pronarëve të medieve dhe kërcënimet për shkak të punës së tyre.

Vështirësitë financiare të mediave

Njëri nga gazetarët që më së shumti është kërcënuar për punën e tij, dhe që përmendet në raportin e Freedon House është gazetari Vehbi Kajtazi. Ai në një bisedë me Deutsche Welle, tha se raporti i Freedom House, është real dhe përfshin në masë të madhe problemet me të cilat përballën mediet dhe gazetarët. “Megjithatë, duhet ndarë mediet dhe gazetarët. Mediet sot përballen me vështirësi të ndryshme, kryesisht financiare dhe ndërhyrje nga jashtë nëpërmjet ndarjes së pabarabartë dhe selektive të reklamave. Kompanitë publike si dhe një pjesë e madhe e kompanive private kontrollohen nga pushteti dhe grupet e interesit. Ato, nuk e dërgojnë reklamën në ato media që janë kritike dhe raportojnë për keqpërdorimet e ndryshme”, thotë Vehbi Kajtazi.

Logo Freedom House

Ndërsa, sipas Gazetarit Kajtazi, problemet e gazetarëve janë ndryshe nga ato të medieve. “Gazetarët përballen me probleme brenda medieve: censurohen, shtyhen të bëjnë shkrime jo gjithmonë të balancuara dhe profesionale, nuk paguhen mirë dhe me rregull. Njëkohësisht, përballen me kërcënime, sulme, presion dhe ndërhyrje në punën e tyre qoftë brenda mediumit, qoftë jashtë. Këta gazetarë, fatkeqësisht ndodhen në gjendje jo të mirë, të pambrojtur dhe të shtrënguar për të mos e bërë punën e tyre në mënyrë profesionale”, thotë Vehbi Kajtazi.

Vetë gazetari Vehbi Kajtazi, është përballur me presion siç thotë “nga zyrtarë të misionit EULEX”, për të zbuluar burimet e tij lidhur me publikimet për afera korruptive brenda misionit. “Unë si gazetar përmendem në raport se nuk kam pranuar të zbulojë burimet e mia, pavarësisht presionit. Me presion dhe kërcënime jam përballur edhe këto ditë kur kam raportuar për migrimin ilegal në Gjermani të vëllait të kryeministrit, Isa Mustafa. Vetë kryeministri me telefonoi, duke me kërcënuar se do ta paguaj shtrenjtë. Njëkohësisht, partia e tij në pushtet, lëshoi komunikatë duke kërkuar dënimin tim. Pra, ky rast është vetëm njëri prej atyre presioneve për të cilat po flas”, thotë Vehbi Kajtazi.

Raporti i organizatës Freedom House, në analizën e tij, përmend një përmirësim të lehtë mbi gjendjen e medieve vitin e shkuar, por i cili sipas gazetarëve në Kosovë “është rrënuar në fund të vitit të shkuar dhe në fillim të 2016. Presioni politik dhe ekonomik mbi mediet akoma është i pranishëm në Kosovë. Kështu i tha DW, Zekirja Shabani, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK). Sipas tij, “gjendja e medieve në Kosovë fatkeqësisht vazhdon të mbetet e rëndë, në nivel shqetësues të presionit politik e ekonomik”.

“Në vitin 2015 më shumë se 27 gazetarë kanë raportuar në Asociacion e Gazetarëve të Kosovës, për kërcënime nga palë të pakënaqura me punën e tyre dhe dhjetëra të tjerë për kushte të rënda pune. Mungesa e kontratave, pagesa jo në kohë e aspak të dinjitetshme, si dhe ndikimi direkt i pronarëve të medieve në politikat redaktuese dhe kërcënimet për shkak të punës së tyre janë evidentuar edhe në raport si shqetësim për lirinë e medies në Kosovë”, thotë Zekirja Shabani.

Sipas tij, raporti lë pa përmendur një numër të madh të shqetësimeve dhe vështirësive tjera me të cilat përballen gazetarët të cilat i ka ngritur në vazhdimësi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës”, thotë Zekirja Shabani. Megjithatë, në raportin e Freedon House si përparim në fushën e medieve në Kosovë përmendet aprovimi i një ligji të veçantë i cili u ka mundësuar gazetarëve të mbrojnë burimet e tyre, edhe kur bëhet fjalë për raste penale. Ligji për mbrojtjen e gazetarëve në Kosovë u miratua nga kuvendi në gjysmën e vitit 2013. Ligji i ka dy shtylla kryesore: së pari garanton se askush nuk mund t'i detyrojë gazetarët të nxjerrin burimin e tyre të informacionit, dhe, së dyti, askush nuk mund t'iu marrë gazetarëve materialet e tyre te punës, si dhe të bastisë shtëpitë apo redaksitë e tyre që përdoren për ushtrimin e profesionit të tyre.