1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina, Rusia dhe Perëndimi

Roman Goncharenko5 Dhjetor 2014

Garancitë e sigurisë për dorëzimin e armëve bërthamore. Kjo ishte marrëveshja midis Ukrainës, fuqive perëndimore dhe Rusisë 20 vjet më parë. Sot ata kanë kanë dëshirë ta kujtojnë. Kiev ndihet i tradhtuar.

https://p.dw.com/p/1DzTw
Fotografi: Reuters

Që Ukraina ka qenë dikur fuqi atomike dhe ka hequr dorë nga armët e saj bërthamore duke marrë garanci sigurie, këtë në Perëndim deri para pak kohësh e dinin vetëm ekspertë të sigurisë dhe disa politikanë. Që nga anektimi rus i Krimesë Ukraina përmend shpesh të ashtuquajturin memorandum i Budapestit. Dokumenti u nënshkrua më 5 dhjetor 1994 në samitin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në këtë memorandum Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Rusia përshëndesin vendimin e qeverisë së Kievit për t'u bërë pjesë e marrëveshjes për ndalimin e armëve atomike. Ndër të tjera ata garantuan respektimin e pavarësisë dhe të "kufijve ekzistues" të Ukrainës. Memorandume të ngjashme nënshkruan në të njëjtën ditë edhe ish republikat sovjetike Bjellorusia dhe Kazakistani.

"Nuk e kishim valixhe e zezë"

Para 20 vjetësh memorandumi i Budapestit shënoi fundin e negociatave shumëvjeçare në mes shteteve pasuese të Bashkimit Sovjetik dhe fuqive udhëheqëse bërthamore perëndimore. Ukraina kishte këtu një vend të veçantë. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në 1991 ky vend i Evropës lindore trashëgoi 176 raketa strategjike dhe mbi 2500 taktike bërthamore. Në këtë mënyrë Ukraina kishte arsenalin e tretë nga madhësia të armëve bërthamore në botë, menjëherë pas Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Ukraina nuk kishte kontroll mbi armët atomike në territorin e sajLeonid Krawtschuk
Leonid Kravçuk: Ukraina nuk kishte kontroll mbi armët atomike në territorin e sajFotografi: picture alliance/dpa

Por kjo ka qenë vetëm formalisht, thotë Leonid Kravçuk, atëherë president i Ukrainës në një intervistë me Deutsche Welle. Kievi de facto ka qenë i pafuqishëm: "Të gjitha sistemet e kontrollit ishin në Rusi, e ashtuquajtuara valixhe e zezë me butonin e nisjes ishte të presidenti rus Boris Jelcin."

Presioni i perëndimit dhe garanci formale

Ukraina mund të kishte mundur t'i mbante armët bërthamore, por çmimi për to do të kishte qenë i lartë, shpjegon Kravçuk. Raketat prodhoheshin në Dnipropetrovsk në jug të Ukrainës, por jo edhe kokat shpërthyese bërthamore. Ne do të na kushtonte shumë që t'i prodhonim dhe t'i mirëmbanim vetë. "Do të na kishte kushtuar 65 miliardë dollarë dhe arka e shtetit ishte bosh", thotë Kravçuk. Përveç kësaj perëndimi e kishte kërcënuar Ukrainën me izolim, sepse raketat drejtoheshin nga Shtetet e Bashkuara. Dorëzimi i armëve bërthamore ishte pra "i vetmi vendim i mundshëm", bën bilancin presidenti i parë ukrainas.

Raketat ukrainase u transportuan në Rusi, ose u shkatërruan. Si kompensim qeveria në Kiev mori ndihmë financiare nga SHBA, furnizime me energji nga Rusia dhe garanci sigurie, të cilat përmbahen në memorandumin e Budapestit.

Këto garanci kanë qenë vetëm një formalitet, pasi nuk ishte përcaktuar asnjë mekanizëm sanksioni. Këtë e theksojnë ekspertët si Gerhard Simon. "Aty nuk thuhet askund, se nëse një shtet shkel këtë memorandum, të tjerët do të ndërhyjnë ushtarakisht", thotë eksperti i Evropës Lindore në Universitetin e Këlnit. Edhe publicisti gjerman dhe eksperti i Ukrainës, Winfried Schneider-Deters vëren në bisedë me DW: "Marrëveshja nuk ka vlerë." Memorandumi i Budapestit në rastin e Krimesë nuk është respektuar as nga pala ruse, por as nga ajo perëndimore.

Rusia i kundërshton akuzat

Kështu e sheh çështjen edhe qeveria aktuale në Kiev. Në gusht ajo kërkoi konsultime me shtetet nënshkruese. Pa sukses. Përgjigja e Rusisë ishte, se nuk ka arsye për një gjë të tillë, njoftoi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës. Moska kishte hedhur poshtë të gjitha akuzat e Kievit që në prill, vetëm disa javë pas anektimit Krimesë. "Dalja e Krimesë nga Ukraina" është rezultat i "proceseve komplekse të brendshme". Këto nuk kanë të bëjnë me detyrimet e Rusisë në kuadër të memorandumit të Budapestit.

Edhe SHBA mohojnë se nuk i kanë përmbushur detyrimet. "Memorandumi i Budapestit nuk ka qenë një marrëveshje për garancitë e sigurisë", tha në maj ambasadori i SHBA në Kiev, Jeffry Payette. Ka qenë një detyrim për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Rusia i ka shkelur ato.

Kievi dëshiron një marrëveshje pasardhëse

Ukraina këmbëngul edhe sot në Memorandumin e Budapestit. Këtë e theksoi presidenti Petro Poroshenko në fund të nëntorit në një intervistë në ARD. Më parë ai kishte deklaruar se vendi i tij aspiron një marrëveshje pasardhëse. Por ekspertët janë skeptikë. "Një marrëveshje do të kishte kuptim vetëm, nëse Rusia do të ishte e përfshirë dhe e gatshme për t'i garantuar sigurinë Ukrainës", mendon Gerhard Simon. Ai e konsideron atë të pashmangshme. "Nëse perëndimi do ta nënshkruajë një marrëveshje të tillë, ky do të ishte si një anëtarësim i vogël në NATO", thotë eksperti. Ai ka frikë se as SHBA, as Britania e Madhe, apo dikush tjetër nuk do të ishin të gatshme për këtë. Memorandumi i Budapestit është "i vdekur", një i ri nuk duket në horizont dhe Ukraina është e lënë vetëm, është bilanci i tij.

Petro Poroshenko kërkon garanci sigurie për vendin e tij
Petro Poroshenko kërkon garanci sigurie për vendin e tijFotografi: picture-alliance/dpa

Publicisti Schneider-Deters mendon se Ukraina nuk duhet të synojë një marrëveshje pasuese. Në vend të kësaj Kievi duhet të zhvillojë mbrojtjen e vet. Kjo është më mirë se "garancitë e sigurisë, të cilat nuk përmbushen në realitet."