1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

151011 G20 Treffen Abschluss

16 Tetor 2011

Para së gjithash SHBA-ja dhe Japonia kanë kërkuar masa të shpejta për të shmangur zgjerimin e krizës.

https://p.dw.com/p/12suF
Ministrat e Financave të G-20-ës
Ministrat e Financave të G-20-ësFotografi: dapd

Vendet e euros duan të paraqesin deri në samitin e BE-së dhe të euros në fund të javës së ardhshme një paketë gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e krizës së huave, tha ministri gjerman i financave, Wolfgang Schäuble, të shtunën (15.10.) në Paris pas një takimi të ministrave të financave të G20-ës dhe të shefave të bankave. Më parë vendet më të rëndësishme të industrializuara dhe në industrializim e sipër e patën rritur trysninë mbi evropianët.

Mbi evropianët rëndon një trysni gjigante pritjesh

Ministri gjerman i Financave Schäuble arrin në takimin dyditor në Paris
Ministri gjerman i Financave Schäuble arrin në takimin dyditor në ParisFotografi: dapd

20 ekonomitë më të mëdha të botës bënë të qartë në Paris se kërkojnë një zgjidhje të shpejtë. Ministri britanik i Financave, George Osborne, e krahasoi situatën madje me një tërmet mbarëbotëror. Kriza e euros është epiqendra e problemeve ekonomike aktuale në botë, tha ai. Evropianët, të cilët duhet të përballojnë rrugën e daljes nga kriza, janë para së gjithash Gjermania dhe Franca. Kjo u bë e qartë vazhdimisht gjatë samitit në Paris: "Kur them ne, atëherë e kam fjalën para së gjithash për ministrin gjerman të Financave Wolfgang Schäuble", tha më pas edhe mikpritësi, ministri francez i Financave, François Baroin, gjatë konferencës përmbyllëse për shtyp. Wolfgang Schäuble nga ana tjetër beson se e ka bindur botën për angazhimin e evropianëve. "Besoj se jemi në rrugë të mbarë. Ua kemi shpjeguar në hollësi këtë kolegëve tanë, por është e rëndësishme, që kjo përgjegjësi të pranohet hapur edhe në kuadër të G20-ës."

Schäuble prezanton konceptin e tij

Së bashku duan të zgjidhin krizën: Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy në Berlin
Së bashku duan të zgjidhin krizën: Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy në BerlinFotografi: dapd

Detyra më e rëndësishme, që duhet të kenë kryer deri në fund të javës së ardhshme është para së gjithash rikapitalizimi i bankave. Sektori duhet pajisur mjaftueshëm me mjete financiare, për të amortizuar crash-et e tjera. Ministri Schäuble la të kuptohej në Paris edhe se kapitalizimi i detyrueshëm është i mundur, në rast se bankat nuk e arrijnë dot financimin me forcat e tyre. Kjo i solli atij kritikë të madhe prej sektorit bankar gjerman. Pika e dytë: Çfarë roli luan fondi i shpëtimit i euros? Për këtë Schäuble: "Përveç rikapitalizimit të bankave ne do të merremi vesh edhe për masat e nevojshme për një shfrytëzim efektiv të instrumenteve të lehtësimeve të financimit, kështu që rrezikun e ngjitjes do ta luftojmë në mënyrë parandaluese."

Një zgjerim të forcës goditëse financiare për ombrellën e shpëtimit të euros EFSF me ndihmën e një efekti levë nëpërmjet Bankës Qendrore Evropiane (ECB) Schäuble e përjashtoi. Sipas tij ky propozim nuk ka qenë në tryezë.

Reformim i sektorit financiar

Në rrafsh ndërkombëtar vendet në industrializim e sipër ofruan rritjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të ndihmuar Evropën. Mirëpo fuqitë ekonomike kryesore nuk u morën dot vesh për këtë.

Mbi bankat e Frankfurtit
Mbi bankat e FrankfurtitFotografi: picture alliance/dpa

Nga njëra anë vende në industrializim e sipër si Brazili, ose India. Me para shtesë ato duan të shmangin përfshirjen e ekonomive të tyre prej krizës, sepse sikur tregjet të investojnë në mënyrë të shtuar në vendet e tyre, kjo mbiçmon monedhat e tyre dhe i bën eksportet më të vështira. Veç kësaj me mjetet e tyre ato do të kishin më shumë ndikim në FMN. Prandaj ministri amerikan i Financave, Timothy Geithner, e refuzoi këtë propozim në Paris. Këtu ai pajtohet me kolegun e vet gjerman.

Edhe vlera e shkurtimit të huave të Greqisë do të vazhdojë të diskutohet në ditët, që vijnë. Në fund të javës së ardhshme shefat e qeverive të BE-së do të paraqesin pastaj propozime për zgjidhje. Në diskutim është edhe ndryshimi i marrëveshjeve të BE-së, për t'i forcuar strukturat në drejtim të një bashkimi stabiliteti.

Autor: Evi Seibert/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica