Füle në Tiranë: Gjithpërfshirja është thelbësore në procesin e integrimit
6 Mars 2014Nga prezenca e përfaqësuesve të opozitës në këtë séancë komisioneri Füle e përshkroi diskutimin si “të hapur dhë të sinqertë”, ku ishin rishqyrtuar një nga një rezultatet e deritanishme në plotësimin e kushteve të vendosura nga Brukseli në afat të shkurtër dhe të mesëm. “Ka rëndësi gjithëpërfshirja, jo vetëm opozita, por dhe shoqëria civile, duke e tërhequr edhe atë në procesin e diskutimit për problemet e integrimit europian të vendit”- deklaroi Štefan Füle para se të largohej nga Shqipëria.
Disa here komisioneri në krah dhe të kryeministrit Edi Rama përsëriti nevojën e bashkëpunimit mes palëve. Dhe pas përfundimit të këtij raundi ai nuk e fshehu konsideratën se kishte më shumë bindje që si qeveria ashtu dhe opozita janë të angazhuara dhe të përkushtuara ndaj objektivit kombëtar të integrimit europia të vendit. “Gjej rastin që t'u bëj thirrje të dyja palëve që të tregojnë frymë kompromisi dhe gjithëpërfshirjeje, për të punuar së bashku dhe në mënyrë efikase për t'i bërë ballë sfidave në udhën e integrimit europian.Tashmë Shqipëria ka në dorë që të ruajë ato që janë arritur, por dhe të shtojë përpjekjet në realizimin e reformave, sidomos në aspekte të tilla, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në sistemin gjyqësor etj.”
Brenda këtyre prioriteteve komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat Evropiane të Fqinjësisë, Štefan Füle nënvizoi frymën e diskutimit me përfaqësuesit shqiptarë edhe për reformën në administratën publike, përmirësimin e situatës në respektimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht në rradhët e komunitetit rom, antidiskriminimin dhe të drejtën e pronës. Megjithëse duhen dhe rreth tre muaj deri në vendimarrjen e Brukselit për statusin e vendit kandidat, komisioneri bëri të ditur se kishte shpërmndarë në séancën e bisedimeve të ditës së enjte (06.03.2014) një projekt raport për ecurinë e reformave.
Komisioni Europian do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë
“Kam vlerësuar punën e deritanishme sidomos për reformat kyçe, por ende duhen përpjekje në realizimin e tyre. Duke vijuar në këtë drejtim, siç është punuar deri më tani, kjo do të ishte mënyra më e mirë për shtetet anëtare që të vendosnin pro statusit kandidat për Shqipërinë. Shpresoj që e gjithë koha e mbetur deri në vendimarrje të shfrytëzohet”.
Në përfundim të seances së dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë lidhur Shqipëri – BE, u paralajmërua që seanca e rradhës do të mbahet sërish në Tiranë në fillim të muajit qershor pikërisht në momentin kur dhe do të jetë dhe koha e vendimarrjes së Komisionit Europian për marrjen ose jo nga Shqipëri të statusit të vendit kandidat për anëtarsimin në BE.
“Besoj fuqimisht se e ardhmja e Shqipërisë është në BE dhe mbetem tepër i bindur për kapacitet e Shqipërisë në trajtimin e sfidave në procesin e integrimit. Komisioni Europian dhe unë personalisht do të vijojmë ta ndihmojmë atë për të ecur përpara në këtë synim” deklaroi komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat Evropiane të Fqinjësisë, Štefan Füle.