1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushatat e kundërshtarëve dhe mbështetësve të Brexitit

Christian Walz
24 Shtator 2018

Me një fushatë të re, kundërshtarët e kryeministres britanike Theresa May tentojnë ta dobësojnë pozitën e saj. May nuk përjashton mundësinë e zgjedhjeve. Ndërsa laburistët kërkojnë referendum tjetër.

https://p.dw.com/p/35Lzx
Großbritannien Brexit-Treffen in Bolton
Fotografi: picture-alliance/empics

Në qytetin veriperëndimor britanik Bolton, një nga qendrat e kritikëve të Bashkimit Evropian, është krijuar një lëvizje mbipartiake për mbështetjen e Brexitit - "Save Brexit Campaign". Në krye të kësaj fushate janë ish-ministri për Brexit David Davis nga radhët e konservatorëve, deputetja e laburistëve Kate Hoey dhe populisti i djathtë Nigel Farage.

"Ne nuk kemi votuar për një varg të marrëveshjeve", tha Farage, ish-kryetar i partisë skeptike ndaj BE, Ukip, para rreth 1000 simpatizantëve të mbledhur. "Kjo ishte një votë e rikthimit të vendit tonë në duart tona, nxjerrjes dhe përcaktimit të ligjeve tona, për kontrollin e kufirit të jashtëm, si dhe për pavarësimin e sërishëm të vendit tonë."

Großbritannien Pro-Brexit-Protest in Bolton
Fotografi: Reuters/H. McKay

Kundërshtimet e May

Davis ka qenë në verën e kaluar një prej kundërshtarëve të ideve të kryeministres Theresa May dhe për këtë shkak ka dhënë dorëheqje nga posti i tij. Ai nuk ishte dakord që Britania e Madhe pas marsit të vitit 2019 të vazhdojë me marrëdhëniet e deritanishme me Bashkimin Evropian. Kryeministrja May mendon se nuk ka ndonjë alternativë më të mirë se plani i ashtuquajtur "Chequers-Plan", të cilin e ka paraqitur në korrik dhe për të cilin ajo mendon se është baza më e mirë për dalje nga BE dhe për rapotet e ardhshme me BE.

May mendon se mes Britanisë së Madhe dhe BE duhet të ketë një zonë të lirë tregtie, se standardet e BE duhet të rishikohen dhe se duhet të ketë marrëveshje të veçanta për mallra dhe dogana. Brukseli ka frikë se kjo do të rezultonte me qasjen e sërishme britanike në tregun e brendshëm në BE. Gjithnjë e më shumë po flitet për qëllimet e Britanisë së Madhe dhe Theresa May do që të marrë vetëm gjërat më të mira për vete, ndërkohë që do të heqë dorë nga obligimet. Pyetja kryesore në negociatat e Brexitit është se si do të organizohen kontrollet kufitare mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës, e cila do të mbetet anëtare e Bashkimit Evropian.

UK Theresa May
Fotografi: Getty Images/C. McQuillan

Zgjedhje të reja në vjeshtë?

Kryeministrja May ka kërcënuar se në rast se nuk mbështeten idetë e saj, në Britani të Madhe do të organizohen në vjeshtë zgjedhje të parakohshme. Kërcënime ka edhe nga pala kundërshtare në Londër. Nëse May nuk paraqet planet konkrete për dalje nga BE, deri të hënën, është e mundur që anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar të largohen nga kabineti, si ministrja e punës Esther McVey apo ministrja e Zhvillimit Penny Mordaunt, shkruan gazeta "Telegraph", por pa bërë publike burimet e këtyre informacioneve.

Ndërsa gazeta "Sunday Times" shkruan se May ndërkohë po e mendon seriozisht edhe mundësinë e zgjedhjeve ë reja në Britani të Madhe. Ajo ka kërkuar nga këshilltarët e saj që të merren me këtë çështje, me shpresë se do të rifitojë mbështetjen në zgjedhje.

Laburistët po pozicionohen

Brexit ishte në qendër të vëmendjes edhe tek partia laburiste, e cila këtë të dielë mbajti konsultime në kongresin partiak. Në takimin e Liverpoolit u mblodhën rreth 13.000 delegatë të kësaj partie opozitare. Krahu evropian i laburistëve kërkon një referendum të ri për Brexitin. Kërkesa të ngjashme ka pasur edhe më parë.

bc/wa/se (afp, dpa)