Fuqia dhe pafuqia e BE-së: Brukseli përballë Hungarisë
6 Janar 2012Që nga 1 Janari në Hungari kanë hyrë në fuqi disa ligje që cënojnë pavarësinë e Bankës Qendrore Hungareze, apo lirinë e shtypit dhe sovranitetin e gjykatësve. Bashkimi Evropian shprehet i shqetësuar për cënimin e pavarësisë së Bankës Qendrore Hungareze. Kryeministri hungarez, Viktor Orban bashkë me partinë e tij "Fidesz" ka vendosur në parlament që kjo bankë së bashku me autoritetin e mbikqyrjes financiare të shkrihen në një institucion. Përveç kësaj funksionarët kryesorë të këtij institucioni do të emërohen në të ardhmen nga qeveria. Bashkimi Evropian mund të vendosë që të premten të marrë masa kundër Hungarisë. Por edhe sikur punët të mos shkojnë kaq larg, Hungaria do të jetë temë debati në Kopenhagë të mërkurën (11.01), në takimin e parë të KE-së për këtë vit të drejtuar nga presidentja e radhës, Danimarka. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso i ka dërguar muajin e shkuar dy letra Viktor Orbanit, ku ai i tërheq vëmendjen kryeministrit hungarez për shkelje të mundshme të ligjeve të BE-së.
Instrumentat e Komisionit Evropian kundrejt anëtarëve
Aktualisht KE po shqyrton rastet se ku mund të ketë shkelur ligjet Hungaria. Në rast se KE konkludon se Hungaria i ka shkelur ligjet, atëherë kjo instancë e BE-së kërkon ndryshime dhe mund ta padisë Hungarinë në Gjykatën Evropiane. Efekti i këtyre padive veçse është i kufizuar, shpjegon Daniel Groß nga Qendra për Politikën Evropiane në Bruksel. "Po qe se një qeveri nuk i ka dalë të zbatojë një direktivë evropiane për shembull mbi kapëset e fletëve, atëherë vjen Gjykata Europiane dhe thotë: Ti qeveri duhet të paguash 1.milionë euro gjobë deri sa të kesh bërë detyrën. Ajo thotë, në rregull, këtë e rregullojmë shpejt e shpejt. Por kur vjen puna për të ndryshuar kushtetutën, ateherë gjërat ndryshojnë, kjo është si të kafshosh gurin."
Brukseli ka shenjuar me rreth të kuq 20 ndryshime të kushtetutës hungareze. Viktor Orban vetë refuzon të ketë shkelur ligjet evropiane. "Akuza që demokracia hungareze nuk është në nivelin e duhur, nuk qëndron. Ky është sulm."
Sanksione kundër Hungarisë
Ndërkohë janë rritur zërat kritikë ndaj Hungarisë. Ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe ka pohuar se ai e sheh si problematike kushtetutën hungareze dhe Komisioni Evropian, sipas Juppe, duhet të kontrollojë nëse kjo kushtetutë përputhet me ligjin e së drejtës dhe parimet demokratike në BE. Kryetari i liberalëve në Parlamentin Evropian, Guy Verhofstadt ka kërkuar madje sanksione kundër Hungarisë. Sipas tij BE duhet të reagojë me vendosmëri ndaj ndryshimeve kushtetuese në Hungari. Kërkesa të njëjta vijnë edhe nga socialdemokratët në Parlamentin Evropian.
Eksperti Daniel Groß le të kuptohet se kur do të kishin efekt masat nga Evropa. "Vendimi se si do të veprohet me Hungarinë ndoshta merret dhe hidhet si ide në Bruksel, por Brukseli do të ketë aftësi vepruese, vetëm kur pas tij të renditet Berlini dhe Parisi."
Aktualisht ndodhen nën presion si Hungaria ashtu edhe vetë KE. Hungaria që për momentin ndodhet para kolapsit financiar rrezikon me ndryshimet e reja kushtetuese të braktisë rendin demokratik në BE. Madje në BE dëgjohen zëra për përjashtimin e këtij vendi nga BE. Por edhe Komisioni Evropian ndodhet nën presion, se ai nuk mund të lejojë të jetë i pavëmendshëm ndaj një anëtari, pasi rrezikon vetë besueshmërinë e tij.
Autor: Alen Legovic / Christoph Prössl / Lindita Arapi
Redaktoi: Esat Ahmeti