1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140110 Stasi Erstürmung

15 Janar 2010

Para 20 vjetësh mijëra demonstrues mësynë qendrën e shërbimit sekret të RDGJ-së (Shtazi) dhe morrën në dorë informacionet e një aparati spiunimi, që për dekada me rradhë kishte denuncuar dhe shtypur popullin e vet.

https://p.dw.com/p/LWOD
Para 20 vjetësh qytetarët e RDGJ sulmuan qendrën e Shtazit.
Para 20 vjetësh qytetarët e RDGJ sulmuan qendrën e Shtazit.Fotografi: AP

Sikur qëndra e shërbimit sekret Shtazi në Berlin të ishte sulmuar nga demosntruesit në fund të tetorit 1989, pra pak para rënies së murit të Berlinit, do të kishte patur ndoshta gjakderdhje. Në atë kohë vlente ende urdhëri i përdorimit të armës për shmangien e rrezikut, siç konstatohet nga dokumentat e gjetura të Shtazit. Gati tre muaj më vonë më 15 janar 1990, nuk bëhej fjalë më për një gjë të tillë, përkundrazi: Këshilli i ministrave të RDGJ-së kishte urdhëruar policinë popullore, që të gjente përfaqësuesit e lëvizjës për të drejtat e qytetarëve, që të siguronin nga jashtë qendrën e Shtazit.

Një reagim në vetvete i çuditshëm, por që demonstrantëve nuk u mjaftonte më. Në mbasditen e vonë të 15 janarit mijëra vetë u grumbulluan para hyrjes kryesore dhe tentuan të hynin brenda. Televizioni i RDGJ transmetonte live. U përsëritën ato pamje, që ishin parë dhe dëgjuar në fillim të dhjetorit në Lajpcig dhe qytete të tjera para ndërtesave të Shtazit: „Ne duam që fajtorët të nxirren para përgjegjësisë, por jo dhunë! Para ndërtesës së sigurimit të shtetit veprojnë ndihmës të iniciative qytetare, që kujdesen për rendin. Të hyjë shtypi, të hyjë shtypi!“, thërritën të pranishmit.

Muzeumi i Shtazit.
Muzeumi i Shtazit.Fotografi: MN

Mësymja e qendrës së Shtazit në Berlin ishte vetëm pika përfundimtare e një sërë pushtimi institucionesh në të gjithë ish RDGJ- në. Por natyrisht, që ai ishte më tepër se një akt simbolik, mendon Christian Halbrock, i cili ishte i pranishëm aty me 15 janar 1990. Situatën ai e ka akoma para sysh. „Terren i ndriçuar keq, me pak roje. Në disa vende shkatërrime të kryera me kujdes, ose kuti të përmbysura me letra me përmbajtje jo të rëndësishme. Askund nuk dukeshin njerëz të revoltuar. Secili pyeste veten, nga vinte kjo? Një situatë në vetvete e çuditshme.“

E çuditshme i ishte dukur atëherë elektroteknikut 26-vjeçar, në rradhë të parë fakti që demonstruesit kaluan pranë selisë së ministrit të Shtazit dhe në vend që të hynin aty, hynë në seksionin e shërbimit dhe furnizimit. Një situatë, që ushqen spekullime të pafundme se mësymja e qendrës së Shtazit ka qenë e drejtuar nga vetë Shtazi.

Skena groteske kishin ndoshur edhe në vende të tjera, si në dhjetor në Lajpcig, kur aktivistët për të drejtat e njeriut dhe ekipet e kameramanëve hynë në ndërtesën e Shtazit dhe takuan aty punonjës në dukje fare të papërgatitur të Shtazit. „Duhet t'ju them se u befasova nga vizita juaj. Nuk kishte paralajmërim për planin tuaj, se do të bënit xhirime këtu në ndërtesën tonë. Rrethanat e kanë sjellë këtë. Urdhëroni, ka ndodhur, jua lejoj.

Falemnderit shumë!

Ju lutem!“

Shumë përzemërsisht komunikonin me njëri-tjetrin demonstruesiet dhe njerëzit e sigurimit. Ndoshta zotërinjtë ishin të sjellshëm sepse ndërkohë kishin mundur të fshinin gjurmët. Christian Halbrock ka marrë shpesh të dhëna të tilla: „Këto shenja ishin gjithmonë të pranishme, që kryhej zhdukja e dosjeve, që atje shihej tym. Dikush tregonte, se dosjet ishin zhdukur edhe jashtë qyteteve në vende grumbullimi plehrash. Dhe ishte e qartë, se nëqoftëse do të kërkosh përgjegjësit dhe do të hysh në to në një dialog kritik, ose nëqoftëse se do t'u kërkosh llogari, për atë që ka ndodhur 40 vjet me rradhë, atëherë nevojiten këto dosje. Edhe për të rehabilituar viktimat, të cilëve u është bërë padrejtësi."

Fundi i një shërbimi sekret
Fundi i një shërbimi sekretFotografi: AP

Këtë qëllim demonstruesit e kanë arritur. Atyre u dedikohet edhe zbulimi i të kaluarës në sigurim e shumë politikanëve dhe e punonjësve të shërbimit publik. Drejtuesja e zyrës së dosjeve të Shtazit, Marianne Birthler, e vlerëson këtë. „Pavarësisht, nëse bëhet fjalë për kulturë, apo sport këtë burim të rëndësishëm të dosjeve të Shtazin nuk e anashkalon dot. Dhe prandaj janë shumë e gëzuar, që i kemi dosjet. Dhe jo së fundi edhe për faktin se kemi kështu një mundësi, që t'u kundërvëmë diçka krijimit të legjendave, edhe disa gënjeshtrave masive mbi historinë dhe një tendencë shumë të përhapur për të zbukuruar RDGJ."

Mësymja e qendrës së Shtazit ka qenë një ngjarje me rëndësi historike, mendon dëshmitari okular Christian Halbrock, i cili pas fundit të RDGJ-së studjoi histori dhe që prej vitit 2007 është njëri ndër punonjësit e zyrës së dokumentave të Shtazit. Ai konfrontohet shpesh nga e para edhe me të kaluarën e tij. Tani së fundi ka botuar një libër me titullin: „Territori i veprimit të Mielkes“. Erich Mielke ka qenë për 32 vjet rresht shefi i Shtazit. Ky territor veprimi ndodhet në Berlin-Lichtenberg. Një lagje, ku ka banuar Christian Halbrock, kur muri ekzistonte akoma. Pas revolucionit paqësor ai ka ikur që andej.

Autor : Marcel Fürstenau / Angelina Verbica

Redaktoi : Aida Cama