030811 Goldrausch
5 Gusht 2011"Vrapojmë pas arit, nga ari varet gjithçka. Ah ne të mjerët", shkruan Johann Wolfgang von Goethe në veprën e tij Fausti dhe kjo thënie vlen ende. Edhe pse ari nuk sjell përqindje të kamatave, vetëm ruhet diku, mund të vidhet dhe në gjendje të papërpunuar vlen më pak. Një ons ari nuk duket aspak interesant dhe me peshën prej 31 gram është i rëndë sa dy copëza të një çokollate - por prapëseprapë i kërkuar si asnjëherë më parë.
"Ari është gjithnjë atraktiv në kohë krizash, kur njerëzit dalin nga një krizë. Dhe koha është tani, po të shohim gjendjen financiare të shumë vendeve".
Këtë e di mirë Friedrich von Metzler, pronar i bankës private Metzler në Frankfurt mbi Majn. Nga frika prej valës së borxheve në Evropë dhe pasigurisë politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shumë investitorë kërkojnë strehë më të sigurta: më shumë se 1600 dollarë duhet të paguajnë për një ons të metalit të çmuar, dy herë më shumë se dy vjet më parë.
"Ari paraqitet për momentin si një shkëmb i vërtetë i pamposhtur. Unë besoj se për aq kohë sa nuk do të jetë zgjidhur problemi i borxheve si në Evropë ashtu dhe në SHBA, tendenca e arit do të jetë në rritje."
thotë Eugen Weinberg, ekspert pranë Commerzbank-ës. Kjo dikur ishte ndryshe. Në fund të vitete të 90-të të shekullit të kaluar, çmimi i një onsi prej ari të pastër ishte rreth 300 dollarë, me të cilat mezi mbulohej kostoja e prodhimit. Në atë kohë dukej sikur fantazma e inflacionit të ishte zhdukur në mbarë botën dhe bankat qendrore nuk shihnin më arsye që paratë e depozituara t'i zëvendësojnë me ar. Australia për shembull vetëm gjatë vitit 1997 brenda gjysëm viti ka shitur dy të tretat e rezervave të saj të arit, duke bërë që në botë të bierë sërish çmimi i metalit të çmuar.
Niveli i prodhimit ra në mbarë botën, shumë miniera u mbyllën, vetëm në Afrikën e Jugut vendin e tyre të punës e humbën mbi 200 mijë njerëz. Në vitin 2000 çmimi mesatar për një ons ar kushtonte në Amerikë 272 dollarë dmth. 20 dollarë më pak se sa që është kostoja e nxjerrjes së tij.
Megjithatë, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 filloj të fryjë një erë e re. Për të parandaluar një recesion të mundshëm tregjet u mbushën plot para, fantazma e inflacionit u rishfaq sërish, çmimet e lëndës së parë dhe mallrave ushqimore u ngritën sërish, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u formua një flluskë e pasurive të paluajtshme.
Që atëherë, ngritja e çmimit të arit nuk njeh të ndalur. Ari është shumë më tepër se një lëndë e parë, shkruajnë analistët e Commerzbank-ës. Tendenca aktuale tregon se "ari shërben jo vetëm si mbrojtje nga inflacioni", por edhe si monedhë e cila përfiton nga dobësia e dy monedhave kryesore, euros dhe dollarit. Por ka të tillë që paralajmërojnë për kujdes. Për Susanne Steinmann-in nga banka Quirin shumë më e arsyeshme do të ishte që:
"...Pasuria të shpërndahet në disa vende. Këtë e vërejmë edhe tek ari. Si kursimtarë privatë do të duhej që një sasi e caktuar të mbahet. Por të thuhet se unë do të përcaktohem tani vetëm për arin, këtë e konsideroj si një rrezik, i cili fatkeqësisht sot nënvlerësohet nga shumë njerëz".
Autor: Rolf Wenkel/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Auron Dodi