Frika gjermane nga vetmia
15 Qershor 2016Politikanët gjermanë zakonisht nuk duan të përzihen në debatin britanik. Ata druhen se me këtë do të forconin kampin e mbështetësve të daljes nga BE. Por ndërkohë, meqenëse në bazë të sondazheve të fundit një Brexit duket shumë i mundur, në Berlin po përhapet njëfarë paniku.
Zëvendëskancelari Sigmar Gabriel paralajmëroi në fillim të muajit për pasoja "dramatike" ekonomike dhe politike për të dyja palët, po të largohen britanikët nga BE. Kancelarja gjermane Angela Merkel u përpoq të shprehej në formë pozitive:"Unë personalisht dëshiroj që Britania e Madhe të mbetet pjesë e BE". Deputeti gjerman i CDU-së, David McAllister, i cili ka edhe nënshtetësinë britanike, i tha DW:
"Një Bashkim Evropian pa Mbretërinë e Bashkuar me siguri nuk do të jetë një Bashkim Evropian më i mirë. Britanikët janë tradicionalisht një forcë shtyrëse në çështjet e tregut të brendshëm, në çështjet e tregtisë së lirë. Ata kanë një shërbim diplomatik të shkëlqyer dhe kanë forca të armatosura shumë të forta. Të gjitha këto janë argumente që Mbretëria e Bashkuar të mbetet në BE."
Edhe shumica e popullit gjerman dëshiron t'i ketë edhe më tej në BE britanikët. Në një sondazh të porositur nga DW dhe të kryer nga instituti i sondazheve infratest-dimap në prill, 78 përqind e të pyeturve e mbështesin që britanikët të qendrojnë edhe më tej në BE. Kjo ishte vlera më e lartë ndër pesë shtetet evropiane, duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe vetë.
Vlera të përbashkëta
Në Britaninë e Madhe, megjithë përçarjen ndaj BE ka mjaft simpati për qeverinë gjermane nën Kancelaren Merkel dhe për Gjermaninë në përgjithësi. Martin Callanan, ish-kryetar i Grupit Parlamentar Konservator dhe Reformist në Parlamentin Evropian dhe sot anëtar i Dhomës së Sipërme të Parlamentit Britanik ka thënë njëherë në një intervistë me DW: "Merkel është shumë e afërt me Cameronin kur bëhet fjalë për një sërë çështjesh të rëndësishme. Në çështjet ekonomike, kur bëhet fjalë për tregjet e hapura dhe tregtinë e hapur dhe për politikën e rreptë buxhetore, ne konservatorët kemi shumë të përbashkëta me Berlinin."
Callanan pa madje një lloj aleance të natyrshme. Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania po "bëhen gjithnjë e më shumë dy udhëheqësit e Evropës Veriore, kurse Franca po bëhet udhëheqësja shpirtërore e Evropës Jugore". Një shenjë tjetër e marrëdhënieve të ngushta edhe personale ishte që Merkeli qe e ftuar me të shoqin në rezidencën e Cameronit Chequers dhe Kancelarja nga ana e saj e ftoi të gjithë familjen Cameron për një fundjavë në Kështjellën Meseberg. Ky nder nuk i është bërë Presidentit Hollande as në Britaninë e Madhe, as në Gjermani ndonjëherë, megjithëse Franca konsiderohet partneri më i ngushtë i Gjermanisë.
Po sikur Britania e Madhe të dalë vërtet nga BE?
Nëse Brexit do të bëhet realitet, shumica e ekspertëve parashikojnë disfavore ekonomike për Britaninë e Madhe. Michael Kunert, drejtor ekzekutiv i infratest-dimap, që e bëri sondazhin e DW thotë se një "dalje e Britanisë së Madhe nga BE "do të ishte një sinjal për çintegrim të mëtejshëm të BE". Për çdo rast, Gjermania do të humbiste një partnere në luftë për më shumë stabilitet ekonomik dhe financiar. Evropa do të bëhej më "jugore". Ndërsa Guntram Wolff, nga Qendra Kërkimore Bruegel në Bruksel thotë: "Ne do të mbeteshim vetëm me të gjitha shtetet e Mesdheut që preferojnë të shpenzojnë para dhe me preferencën e tyre për rishpërndarje, dhe neve do të na duhet të paguajmë për ta. Kjo është frika e madhe."