1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Friedrich Merz - kryetari i ri i CDU-së

23 Janar 2022

66 vjeçari Friedrich Merz, pas përpjekjes së tretë, ia doli të zgjidhet kryetar i CDU-së, partisë Merkelit që drejtoi për 16 vjet Gjermaninë, tani në opozitë. Merz do të bashkojë partinë e të rrisë prezencën e grave.

https://p.dw.com/p/45wsM
Deutschland Friedrich Merz wird neuer CDU-Parteivorsitzender
Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Tani i erdhi radha Friedrich Merzit. Një kongres digjital të shtunën, (22.01) e zgjodhi 66 vjeçarin si kryetar të partisë kristian-demokrate, CDU. Para krishtlindjeve në një votim të 380.000 anëtarëve të partisë, i pari i këtij lloji mes kristiandemokratëve, Merz arriti të fitojë kundrejt kandidatëve Norbert Röttgen dhe Helge Braun. Merz, që nga viti 2018, kur u largua kancelarja Merkel nga posti i CDU-së, është kryetari i tretë që zgjedh kjo parti. "E di që si kryetar i dhjetë i kësaj partie që nga viti 1948 kam mjaft detyra përpara. Dhe kam respekt të madh para kësaj", tha Merz në një intervistë para kongresit të partisë. Kur Friedrich Merz u përpoq në vitin 2018 të ngrihej në këtë post, CDU-ja ofronte kancelaren -Angela Merkel. Tani CDU-së i mbeten vetëm ulëset e opozitës pranë partisë populiste, AfD.

Merz donte që para 5 vjetësh të zgjidhej kryetar

Merz bëri të ditur, se ai "patjetër do të jetë i hapur për të gjithë bazën e partisë dhe do të trajtojë të gjitha temat, që partia i vlerëson si të rëndësishme." Ai shpreson t'ia dalë "që t'i integrojë të gjithë në drejtimin e partisë në një mënyrë të tillë, që prej kësaj të krijohet një imazh i përbashkët", në të cilin kanë vend ide të ndryshme politike, opinione dhe rryma të partisë.

Deutschland Friedrich Merz wird neuer CDU-Parteivorsitzender
(Nga a majta) Helger Braun, Friedrich Merz dhe Norbert RöttgenFotografi: Michael Sohn/AP Photo/picture alliance

Merz më në fund po e merr pushtetin që e dëshironte prej kohësh. Juristi i çështjeve ekonomike, lindur në vitin 1955, vjen nga një zonë rurale në landin më të populluar në Gjermani, Renani-Veriore Vestfali (NRW). Me gruan e tij Charlotte, drejtoreshë e një gjykate ai është i martuar që në vitin 1981, çifti ka tre fëmijë të rritur. Merz për herë të parë hyri në vitin 1994 në Bundestag si kandidat i CDU-së. Që atëherë Angela Merkel dhe ai përfaqësonin rryma të ndryshme brenda CDU-së.

Politikani konservator do të modernizojë partinë

Merz ka qenë shumë më konservator dhe tradicional. Në luftë për kreun e grupit parlamentar në vitin 2002, atij iu desh të pranonte humbjen para Merkelit në ngjitje dhe në vitin 2004 ai u largua i pakënaqur nga drejtimi i partisë, pastaj në vitin 2009 edhe nga Bundestagu. Në vitet e mëpasme, Merz bëri një karrierë të rëndësishme në ekonomi. Në vitin 2016 ai u zgjodh drejtues i filialit gjerman të administruesit më të madh të pasurive në botë, Blackrock.

Kur Merkel bëri të ditur largimin e saj nga posti i CDU-së në vitin 2018, Merz ishte i gatshëm të kandidonte, por ai duhej sërish të pranonte humbjen ndaj Annegret Kramp-Karrenbauerit. Kurse në janar 2021, Merz humb para Armin Laschetit, të dy kryetarët e mëparshëm ishin brenda partisë mbështetës të politikës së Merkelit. Merz që atëherë qëndroi në distancë dhe ishte kritik. Në një intervistë ai e cilësoi performancën e qeverisë Merkel "tejet të dobët".Pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e shtatorit 2021, Merz përpiqet tani të bashkojë partinë e të modernizojë ku mundet.

Drejtues të rinj në kryesi

Merz propozoi senatorin e Berlinit për shëndetësinë, Mario Czaja, 46 vjeçar si sekretar të përgjithshëm të CDU-së dhe deputeten 34-vjeçare, Christina Stumpp nga Baden-Vyrtembergu si zëvendëssekretare të përgjithshme, një post që duhet të krijohet nga një kongres partie me prezencë. Mes anëtarëve të rinj të kryesisë së partisë, gjenden më shumë femra së më parë. Merz formuloi në javët e shkuara një refuzim të qartë për bashkëpunim të partisë së tij me AfD. Dhe pak pas vendimit të bazës për të ai u shpreh që çiftet homoseksuale duhet të kenë mundësi për adoptimin e fëmijëve. Pozicione këto që janë mjaft të ndryshme nga qëndrimet e tij të mëparshme. Merz ndryshon.

Friedrich Merz që gjatë viteve të para të tij si deputet i Bundestagut konsiderohej një nga oratorët më të mirë konsiderohet si një europian i bindur. Para zgjedhjes si deputet i Bundestagut ai ka qenë nga viti 1989, 5 vjet deputet i Parlamentit Europian.

Deutschland Bundestag | Armin Laschet und Friedrich Merz
Armin Laschet dhe Friedrich MerzFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Transatlantik me idenë e deklaratës tatimore në kartonin poshtë krikllës

Friedrich Merz ka lidhje të forta transatlantike. Askush nga drejtimi i CDU-së në dhjetë vitet e fundit nuk kanë qenë aq shpesh në SHBA sa Merz. Liberalizmi ekonomik i SHBA e ka ndikuar dhe tërhequr gjithmonë Friedrich Merzin. "Ne do të kuptoheshim mirë", tha ai njëherë për presidentin e atëhershëm, Donald Trump." Shumë njerëz në moshë e kujtojnë Friedrich Merz me idenë e thjeshtëzimit të deklaratës tatimore në Gjermani që mund të kryhet vetëm brenda një kartoni të vogël poshtë krikllës së birrës. Idenë ai e paraqiti në vitin 2003, por nuk tha se si do të realizohet në praktikë. Sfida e parë për Merz është në fund të marsit, kur zhvillohen zgjedhjet në landin Saar. E deri tani nuk dihet, nëse CDU do mund të ruajë aty pozicionin kryesues në këtë land.

Friedrich Merz u zgjodh me shumicë votash kryetar i partisë CDU, të shtunën (22.02) , por zgjedhjet digjitale formalisht do të pasohen nga një votim me letër, rezultati i të cilit do të bëhet publik më 31 janar.

Strack Christoph Kommentarbild App
Christoph Strack Gazetar, autor dhe korrespondent i lartë që shkruan për çështjet fetare.@Strack_C