1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

240511 Interview Fricke Griechenland Schuldenkrise

24 Maj 2011

Greqia mund të marrë më shumë para nga FMN, BE dhe Banka Qendrore Evropiane vetëm nëse ndërmerr më shumë përpjekje për të kursyer. Të hënën në mbrëmje erdhën propozime nga qeveria në Athinë.

https://p.dw.com/p/11Myu
Portugiesische Euro-Münzen liegen am 14.05.2010 auf einem Tisch in Lagos an der Algarve-Küste in Portugal. Foto: Peter Zimmermann
Fotografi: Picture-alliance/dpa

Deri në mes të korrikut mjaftojnë paratë në arkat e shtetit grek, pastaj Greqia falimenton nëse nuk merr siç është rënë dakord këstin e ardhshëm të kredisë. Por pikërisht kjo është vënë në dyshim shpesh kohët e fundit nga ekspertët e BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane. Për një arsye të thjeshtë: Greqia nuk i ka ndërmarrë hapat e premtuar për rimëkëmbjen e financave të këqija shtetërore, ose të paktën jo në masën e duhur. Veçanërisht sa i takon privatizimit të pasurive shtetërore nuk është bërë thuajse asgjë. Për këtë arsye partnerët në BE i kanë kërkuar qeverisë greke të bëjë më shumë përpjekje për kursim.


Otto Fricke, drejtuesi i punës së grupit parlamentar të liberalëve (FDP) në Bundestag në bisedë për radion Deutschlandfunk i konsideron propozimet e qeverisë greke një hap në drejtimin e duhur, por është skeptik nëse paketa e kursimeve do të zbatohet vërtet.

Otto Fricke Vorsitzender des Haushaltsausschusses des Deutschen Bundestages
Otto FrickeFotografi: picture-alliance / ZB

DLF: Z. Fricke si i vlerësoni vendimet e marra nga kabineti grek për kursime të mëtejshme dhe privatizime?

Fricke: Ky është të paktën një hap në drejtimin e duhur, i cili megjithatë vjen paksa me vonesë. Natyrisht duhet edhe të përpiqemi të përfytyrojmë se çdo të ndodhte nëse një vendim i tillë do të merrej në vendin tonë. Janë vendime vërtet të forta. Krahas privatizimeve bëhet fjalë edhe për kontributin për sigurimin shoqëror në sektorin publik, taksa më të larta për automjetet private dhe masa të ngjashme të cilat prekin direkt qytetarët. Pra, vendimi i qeverisë greke është i duhuri, por tani duhet parë se si do të vlerësohet nga FMN-ja. Natyrisht unë dua gjithashtu të di qartë se çfarë mjetesh financiare të paguara nga taksapaguesit gjermanë janë ende të nevojshme.

DLF: Le të shohim detajet e paketës së kursimit të propozuar nga qeveria greke: Në të parashikohen privatizime në volum prej 50 miliardë eurosh gjatë viteve të ardhshme. Por shefi i eurozonës Jean-Claude Juncker, tha në fundjavë në një intervistë se këto 50 miliardë nuk mjaftojnë aspak dhe nevojiten shumë më tepër.

Fricke: Këtu z. Juncker me siguri ka të drejtë, vetëm kjo nuk mjafton. Por duhet të shohim gjithnjë të gjitha paketat. Sigurisht kjo nuk është e lehtë në një ekonomi. E rëndësishme është të shihet nëse këto do të zbatohen në një ekonomi, e cila për vite me radhë ka menduar se mund t'ia dalë pa privatizime dhe para së gjithash pa ato masa, të cilat ne në Gjermani i kemi ndërmarrë. Dhe ky vendim kabineti sado i drejtë të jetë është vetëm një hap i parë. Ai duhet të përkrahet nga shumica dhe kjo nuk është e lehtë, pasi opozita greke për fat të keq nuk është sjellë me atë përgjegjësi që kërkon situata. Megjithatë duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me një anëtar të familjes evropiane, i cili po ndërmerr hapat e duhur.

DLF: Veç kësaj paketa e kursimeve parashikon edhe një shumë prej gjashtë miliardësh, të cilat duhet të kursehen këtë vit. Ndërkohë shohim që ekonomia greke është e goditur rëndë, ndodhet në recesion. Të ardhurat fiskale, të cilat kanë qenë dhe më parë të ulëta, vazhdojnë të bien. A ka kuptim të ndërmerren kursime të mëtejshme dhe të rrezikohet recesioni?

Fricke: Ky është një argument që vjen në radhë të parë nga socialdemokratët dhe ekologjistët në Gjermani, pra që Greqia po detyrohet të kursejë deri në rrënim. Unë mendoj vetëm se është e rëndësishme të shihet se cila është alternativa. Duhet parë se si ka mbërritur Greqia në këtë gjendje. Ashtu si në rastin e pacientëve duhet thënë se koha e shërimit nuk është koha kur ndjehesh patjetër më mirë, por është koha kur ilaçi i hidhur duhet të veprojë, dhe kjo zgjat. (...) Unë besoj se nëse duam një partner përsëri të qendrueshëm, nga ana jonë nevojitet jo vetëm solidaritet në disa aspekte por edhe soliditet nga ana e Greqisë. Landet tona federale janë një shembull që tregon se sa keq mund të shkojnë punët në qoftë se vazhdohet vetëm me subvencione.

DLF: Z.Fricke, sa do t'u kushtojë e gjitha kjo akoma taksapaguesve gjermanë? Çfarë kostosh janë të pranueshme, cili është kufiri?

Fricke: Kufiri është atje ku ekspertët e institucioneve si FMN dhe Banka Qendore Evropiane, thonë se nuk duhen hedhur më para aty ku ndihmat e mëparshme financiare nuk kanë qenë efektive. Për këtë arsye është e rëndësishme të shohim se çfarë do të thotë FMN: a ka një prognozë, a është i dukshëm fundi. (...) Ne kemi hartuar një paketë prej 110 miliardë eurosh për Greqinë dhe tani duhet të shohim nëse kjo mjafton apo jo. Nëse FMN thotë se nuk mjafton dhe nuk ka as ndonjë prognozë për përmirësimin e situatës, atëherë përballemi me vështirësi për të cilat nuk dua të spekuloj. (...) Por siç e thashë: në fillim faktet e pastaj vendimi.

DLF: Pra sapo FMN, BE dhe Banka Qendrore Evropiane të thotë se kreditë e mëtejshme për Greqinë do të ishin të papërgjegjshme, partia liberale (FDP) do të refuzonte në parlamentin federal akordimin e kredive të tjera?

Fricke: Në atë moment besoj se jo vetëm FDP në Bundestag (...) do të kërkojë vënien e kufirit por do të kemi edhe një mekanizëm i cili tregon fare qartë se ata të cilët kanë investuar në titujt grekë kanë gjithashtu përgjegjësi. Kjo deri tani nuk është bërë (...). Do të ketë edhe një vendim në nivel evropian. (...) Ne duhet t'i shpjegojmë qytetarëve tanë se përse në Gjermani u zbatua axhenda 2010 me gjithë problemet e saj dhe përsë grekët ndoshta nuk e bëjnë këtë, ose nuk e bëjnë si duhet.

DLF: Në tregjet financiare janë shtuar zërat që thonë se tani është kohë për të bërë një ristrukturim të borxhit grek dhe nuk duan të presin më shumë. A mos vallë politika po vepron në kundërshtim me ekspertizën e tregjeve financiare?

Fricke: Jo, mendoj se kjo nuk është e vërtetë për momentin. Marrëveshja jonë është që kur vendet kanë probleme, ne dërgojmë atje FMN-në, specialistët më të mirë, në çdo ministri, në çdo instancë dhe ata pasi kontrollojnë gjithçka na thonë se si është situata. Institutet dhe të gjithë ekspertët e tjerë të ekonomisë japin ndihmë shtesë, japin informacione të tjera. Kur një ekspert thotë diçka atëherë e rëndësishme është të dihet se si e sheh këtë FMN-ja, si e shohin njerëzit që kontrollojnë në vend. Do të ishte e gabuar nëse politika do të thoshte: FMN po kontrollon, dhe nuk e lëmë më të kontrollojë pasi e dimë që më parë rezultatin. Nëse këtë do ta bentë bashkësia e shteteve, e aq më shumë Evropa me përgjegjësinë e saj atëherë mesazhi për tregjet do të ishte: ne nuk jemi më të parashikueshëm. Dhe nuk po merrem me spekulimet se ku do të çonte një qendrim i tillë!

Intervistoi: Peter Kapern / E. Xhani

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora