Franca paralizohet
23 Dhjetor 2019Grevistët në hekurudhën shtetërore SNCF kanë njoftuar se trafiku hekurudhor në Francë do të ndërpritet masivisht gjatë Krishtlindjeve. Asnjë ndryshim thelbësor nuk pritet, bëri të ditur SNCF. Dhe aleanca e sindikatave po zgjerohet gjithnjë e më shumë: me shoqatat e sindikatave CGT, FO dhe SUD, të cilat kanë qenë në grevë deri tani, janë bashkuar ndërkohë nga punonjësit e sindikatës së moderuar të hekurudhave CFDT.
Protestat dhe grevat kundër reformës së planifikuar të pensionit të qeverisë qendrore kanë rreth dy javë e gjysmë që vazhdojnë. Këtë të hënë, udhëtuan mesatarisht 40 përqind e trenave të shpejtësisë së lartë TGV. Të prekura janë edhe lidhjet me Gjermaninë.
Në trafikun e distancave të afërta dhe atë rajonal të SNCF-së dhe në kompaninë e transportit publik në Paris RATP pati gjithashtu pengesa të konsiderueshme. Demonstruesit bllokuan përkohësisht trafikun në linjën 1 të metrosë pranë stacionit të trenave të distancave të largëta Gare de Lyon në Paris, raportoi kanali i lajmeve BFMTV. Kjo linjë metroje është një nga të paktat në kryeqytet ku trenat vazhdojnë të qarkullojnë. Ministrja e Mjedisit Francez Elisabeth Borne e dënoi aktin: e drejta për grevë nuk lejon bllokime dhe frikësime të udhëtarëve, tha ajo.
Pasojat ekonomike
Ndërkohë, greva ka pasur edhe pasoja ekonomike. Sipas të dhënave të Dhomës së Tregtisë në Paris (CCI), shitja me pakicë në kryeqytetin francez ka rënë rreth 30 përqind. Për shumë sipërmarrje kjo është goditje e rëndë. Dhjetori është një nga muajt më të rëndësishëm të biznesit.
Një "pikë e vështirë" në negociata mbetet mosha e ardhshme e daljes në pension, siç tha CFDT. Planet e qeverisë përcaktojnë se ajo faktikisht do të rritet nga 62 në 64 vjeç. Reforma e pensioneve është premtimi kryesor në reformën e Macronit. Ai dëshiron të unifikojë sistemin e komplikuar me 42 rregullore të ndryshme në Francë dhe të zvogëlojë deficitin prej miliarda eurosh të fondeve të pensioneve.
cgn/ml (afp, ap, dpa, rtre)