1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forumi Rinor i Procesit të Berlinit angazhohet për pajtim

14 Tetor 2024

Në prag të samitit të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, në Berlin u mbajt një Forum Rinor i këtij formati. U theksua rëndësia e pajtimit mes popujve.

https://p.dw.com/p/4lkai
Takimi i të rinjve në Berlin - disa të rinj rrinë ulur dhe duartrokasin
Takimi i të rinjve në BerlinFotografi: RYCO

Samiti i dhjetëvjetorit të Procesit të Berlinitpër vendet e Ballkanit Perëndimor u parapri nga një sërë konferencash dhe takimesh përgatitore. I fundit ishte Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor, i gjashti me radhë, më 13 dhe 14 tetor, ku përfaqësuesit e të rinjve nga rajoni u mblodhën për të përmbledhur performancën e kaluar të forumit dhe për të vendosur synimet e mëtejshme.

Organizator i takimit dyditor është Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), e cila u themelua pikërisht me iniciativën e Procesit të Berlinit në vitin 2016. Ky forum u organizua në bashkëpunim me formatin më të vjetër dhe të ngjashëm gjermano-francez - Zyra e Rinisë. Në organizimin e Forumit Rinor mori pjesë edhe organizata Qytetarët e Evropës, një nismë qytetare për promovimin e vlerave të BE-së.

Përgatitja e të rinjve për Bashkimin Evropian

Në fillim të Forumit Rinor, Sekretari i Përgjithshëm i RYCO-s, Albert Hani kujtoi dhjetë vitet e fundit të Procesit të Berlinit dhe faktin se RYCO, si nismëtare rajonale e shumë projekteve që synojnë pajtimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit, lindi në vitin 2016 në formatin e Procesit të Berlinit. "Ne po ndjekim idenë kryesore të Procesit të Berlinit, që është një bashkëpunim më i mirë në nivel rajonal, veçanërisht mes të rinjve. Dhe suksesi ynë më i madh është ruajtja e ideve të paqes dhe mirëkuptimit mes vendeve të Ballkanit. Dhe kjo frymë na duhet për të arritur një marrëveshje në një nivel më të lartë që do t'ua lehtësojë jetën të gjithëve, veçanërisht të rinjve”, tha Hani për DW.

Pamje nga projektet e RYCO - një i ri shikon fotografi dhe tekste nga aktivitetet e RYCO
Pamje nga projektet e RYCOFotografi: RYCO

Ai vuri në dukje marrëveshjet për lëvizjen e lirë dhe heqjen e pengesave brenda botës akademike. "Qëllimi ynë është që të rinjtë të shohin të ardhmen e tyre në vendet ku jetojnë dhe të mos e shpenzojnë të ardhmen dhe talentin e tyre diku tjetër”, tha Hani.

Evitimi i konflikteve të reja

Edhe këtu, dëshirat e RYCO-s përkojnë pak a shumë me dëshirat e krerëve të shteteve dhe qeverive në samitin e Berlinit. Ikja e të rinjve është një problem që e ka ndjekur këtë rajon që nga themelimi i këtij formati dhjetë vjet më parë. "Ne jemi të kënaqur që konkluzionet e Forumit Rinor janë përfshirë në konkluzionet e samitit në nivel të liderëve të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit dhe është e rëndësishme për ne që tema e rinisë të mbahet në diskutime kudo ku diskutohet për të ardhmen e Ballkanit”, thotë Hani.

Ai përmendi "super shkollat" si një nga projektet më të rëndësishme të ekzistencës tetëvjeçare të RYCO, ku nxënësit e shkollave të një rajoni vizitojnë bashkëmoshatarët e tyre në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që është arma më e fortë për tejkalimin e paragjykimeve që ndonjëherë mund të rriten. Përballja me të kaluarën dhe parandalimi i konflikteve të reja është një nga detyrat më të rëndësishme të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor.

Pamje nga debati i të rinjve - një grua flet dy persona të tjerë e dëgjojnë
Pamje nga debati i të rinjveFotografi: RYCO

Njohja me njëri-tjetrin dhe komunikimi më i mirë

Këtë në një intervistë për DW e ka dëshmuar edhe Lazar Simiq, student i shkencave politike nga Beogradi. "RYCO mundëson që një i ri nga Serbia të takohet me një të ri nga Kosova. Është mundësia e parë për të dalë nga mjedisi juaj dhe për të takuar njerëz boshnjakë, maqedonas, malazezë dhe ndoshta për të thyer paragjykimet nëse ka. Nuk po them se duhet ta duam njëri-tjetrin, por patjetër duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin, ndryshe nga politikanët”, thotë 23-vjeçari Lazar Simiq.

Rita Behadini, një gazetare dhe aktiviste për të drejtat e njeriut nga Maqedonia e Veriut, ka një përgjigje pragmatike se pse RYCO dhe Forumi Rinor janë të rëndësishëm për të rinjtë nga vendet që të gjitha aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. "Ne jemi një rajon mjaft i vogël dhe të gjithë ndajmë vlera të përbashkëta, megjithëse nuk jemi vërtet të vetëdijshëm për këtë. Shkëmbimet e tilla na ndihmojnë që realisht të shohim se ne të gjithë pak a shumë angazhohemi për të njëjtat qëllime dhe të gjithë duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Behadini.

Duhen fytyra të reja dhe të rinj nga diaspora

Para kësaj, në një panel, ministrja shqiptare e Rinisë, Bora Muzhaqi, u shpreh disi kritike se të njëjtat fytyra janë parë prej vitesh në Forumet Rinore si pjesë e Procesit Ballkanik. "Ne kemi nevojë për më shumë fytyra të reja. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për të rinjtë nga vendet e rajonit, por edhe të rinj nga diaspora”, thotë ajo.

Diskutimi i djeshëm në RYCO për pajtimin - para foltores qëndrojnë një grua dhe një burrë dhe flasin
Diskutimi i djeshëm në RYCO për pajtiminFotografi: RYCO

Por Behadini beson se problemi qëndron në informimin e dobët sepse: "Ata që kanë informacion janë shumë të interesuar për përmbajtjen që ofron ky program”, sepse janë investuar dhe vazhdojnë të investohen shumë para për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor dhe nismat e tyre. Edhe organizata ime është themeluar me paratë e BE-së”, thotë Behadini nga Qendra për Mundësi të Barabarta "Ladybug”.

As Lazar Simiq nuk pajtohet se i gjithë procesi është disi i mbyllur për rrethin e brendshëm të të rinjve. "RYCO me të vërtetë përpiqet të shkojë në zona jashtë qyteteve më të mëdha, jo vetëm në shkolla të mesme, por edhe në shkolla ku ka më pak mundësi që ata të udhëtojnë dhe të takojnë fqinjët e tyre. Këto programe janë vërtet të hapura për të gjithë, sepse ato paguhen, kështu që paratë nuk janë problem", përfundon ai. Ata që vijnë në kontakt dhe vazhdojnë të jenë më të interesuar, mbeten në programet e mëtejshme të RYCO.