1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

FMN shton mbrojtjen

22 Prill 2012

Takimi i pranverës i FMN-së e Bankës Botërore përfundoi me rezultate më të mira nga sa pritej: shtetet e eurozonës i vunë në dispozicion FMN-së kredi prej 200 miliardë dollarësh. Christine Lagarde u shpreh e lehtësuar.

https://p.dw.com/p/14j6Y
Takimi i pranverës i FMN dhe Bankës Botërore 2012
Takimi i pranverës i FMN dhe Bankës Botërore 2012Fotografi: Reuters

Shefja e FMN-së Christine Lagarde vazhdon të jetë e shqetësuar për Eurozonën. Ajo është edhe më tej "epiqendra" e rreziqeve për ekonominë botërore, tha Lagarde në Uashington ku të premten dhe të shtunën zhvilloi punimet takimi i pranverës i FMN-së dhe Bankës Botërore.

Rreziku i krizës nuk është shuar

Megjithë përmirësimin e situatës dhe masave gjithëpërfshirëse të ndërmarra nga vendet e euros, "në horizont ka ende re të zeza", u shpreh Lagarde. Për këtë arsye Lagarde kërkoi të shtohen mjetet financiare të FMN-së për mbrojtjen nga krizat.

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, u shpreh me nota më optimiste: "Kriza e besimit të tregjeve financiare ndaj Eurozonës nuk është kapërcyer plotësisht. Megjithatë janë marrë vendime thelbësore dhe jemi në rrugën e duhur".

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang SchäubleFotografi: dapd

Shumë vende të industrializuara dhe në ekspansion ekonomik nga grupi G-20 i kanë bërë thirrje bashkësisë evropiane të marrë masa të tjera kundër krizës së borxheve. Ministri amerikan i Financave Timothy Geithner tha në Uashington se Evropa duhet t'i përdorë mjetet e saj në mënyrë krijuese, fleksibël dhe agresive.  

Schäuble: "Evropa është në rrugën e duhur!"

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble i bëri thirrje vendeve të G-20 të mbajnë premtimet për reduktimin e borxheve dhe rregullimin e tregjeve financiare. "Ne i kemi përmbushur detyrimet tona, me 'ne' kam parasysh si gjermanët ashtu edhe evropianët. Në këtë takim Evropa nuk është më në fokus."

Politikani kristiandemokrat vlerësoi kontributin e shteteve evropiane në dyfishimin e mjeteve financiare të FMN-së për rastet e krizave. Takimi në Uashington rezultoi më i suksesshëm nga sa ishte parashikuar, tha ministri Schäuble. Shtetet e eurozonës i vunë në dispozicion FMN-së linja të reja kredie prej 200 miliardë dollarësh. Shefja e FMN-së Christine Lagarde u shpreh e lehtësuar:"Kjo tregon vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për të vënë në dispozicion mjetet e nevojshme për luftimin e krizës". 

Autor: afp, rtr, dpa/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi