FMN shton mbrojtjen
22 Prill 2012Shefja e FMN-së Christine Lagarde vazhdon të jetë e shqetësuar për Eurozonën. Ajo është edhe më tej "epiqendra" e rreziqeve për ekonominë botërore, tha Lagarde në Uashington ku të premten dhe të shtunën zhvilloi punimet takimi i pranverës i FMN-së dhe Bankës Botërore.
Rreziku i krizës nuk është shuar
Megjithë përmirësimin e situatës dhe masave gjithëpërfshirëse të ndërmarra nga vendet e euros, "në horizont ka ende re të zeza", u shpreh Lagarde. Për këtë arsye Lagarde kërkoi të shtohen mjetet financiare të FMN-së për mbrojtjen nga krizat.
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, u shpreh me nota më optimiste: "Kriza e besimit të tregjeve financiare ndaj Eurozonës nuk është kapërcyer plotësisht. Megjithatë janë marrë vendime thelbësore dhe jemi në rrugën e duhur".
Shumë vende të industrializuara dhe në ekspansion ekonomik nga grupi G-20 i kanë bërë thirrje bashkësisë evropiane të marrë masa të tjera kundër krizës së borxheve. Ministri amerikan i Financave Timothy Geithner tha në Uashington se Evropa duhet t'i përdorë mjetet e saj në mënyrë krijuese, fleksibël dhe agresive.
Schäuble: "Evropa është në rrugën e duhur!"
Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble i bëri thirrje vendeve të G-20 të mbajnë premtimet për reduktimin e borxheve dhe rregullimin e tregjeve financiare. "Ne i kemi përmbushur detyrimet tona, me 'ne' kam parasysh si gjermanët ashtu edhe evropianët. Në këtë takim Evropa nuk është më në fokus."
Politikani kristiandemokrat vlerësoi kontributin e shteteve evropiane në dyfishimin e mjeteve financiare të FMN-së për rastet e krizave. Takimi në Uashington rezultoi më i suksesshëm nga sa ishte parashikuar, tha ministri Schäuble. Shtetet e eurozonës i vunë në dispozicion FMN-së linja të reja kredie prej 200 miliardë dollarësh. Shefja e FMN-së Christine Lagarde u shpreh e lehtësuar:"Kjo tregon vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për të vënë në dispozicion mjetet e nevojshme për luftimin e krizës".
Autor: afp, rtr, dpa/Eliana Xhani
Redaktoi: Auron Dodi