FMN kërkon një "vrull të ri"
12 Tetor 2014Christine Lagarde, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka një fjalë të re të preferuar. Ajo ankohet së fundi për rrezikun e "mediokritetit të ri". Me këtë ajo nënkupton rritje e moderuar të ekonomisë botërore. Tek ekonomitë e zhvilluara e shqetësojnë në radhë të parë Evropa dhe Japonia, tek vendet në zhvillim janë Rusia dhe Brazili dhe në Azi vetëm Kina dhe India bëjnë përjashtim pozitivisht.
Problemi: kur normat e rritjes në vende të veçanta nuk janë aq të larta sa mund të ishin, atëherë edhe potenciali i rritjes pra parakushti për rritje të ardhshme, atomatikisht është më i vogël. Për këtë arsye shefja e FMN kërkon hov të ri nga politika "një vrull të ri" siç e quan ajo, për të stimuluar ekonominë botërore.
Deri tani FMN ka llogaritur me atë që tregjet e lira i zgjidhin vetë të gjitha problemet. Liberalizim, derregullim dhe privatizim është kredoja e organizatës së OKB-së. Por përballë gjendjes së vështirë të ekonomisë botërore, Lagarde në kuadër të takimit të vjeshtës së FMN dhe Bankës Botërore në Uashington bën thirrje për ndihma koniunkturore shtetërore, për shembull me investime në infrastrukturë, të cilat mund të financohet edhe me borxhe.
Borxhe për rimëkëmbjen e buxhetit?
"Kjo mund të jetë një rrugë e mirë për të mbështetur në periudhë afatshkurtër rritjen", tha ajo të enjten. Investime të tilla publike ndihmojnë jo vetëm për stimulimin e shpejtë të ekonomisë. Ato në periudhë afatgjatë mund t'i sjellin shtetit edhe të ardhura të reja, kur investimet në infrastrukturë kanë si rezultat rritje të re ekonomike dhe vende të reja pune. "Kjo mund të jetë jo vetëm në favor të rrijes por edhe të shlyerjes së borxheve", tha Lagarde.
"188 anëtarët e FMN-së duhet të japin një kontribut shumë më të madh financiar për të ngritur rritjen e sotme dhe potencialin për rritjen e nesërme në mënyrë vendimtare", shkruan ajo në një dokument strategjik me titullin "Global Policy Agenda". Atje ajo kërkon krahas më shumë investimeve në infrastrukturë edhe një politikë fiskale miqësore ndaj rritjes ekonomike dhe në 'disa vende' shtim të reformave strukturore, në radhë të parë në tregun e punës.
Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble e dëgjoi me siguri thirrjen për më shumë investime. Evropa do të zgjerojë investimet e saj, projekte të tilla nuk do të dështojnë për shkak të financimit, tha Schäuble në kuadër të takimit vjetor. Komisioni i BE-së dhe Banka Evropiane e Investimeve (EIB) janë lutur të shqyrtojnë deri në dhjetor mundësi konkrete. "Unë premtoj se do të gjejmë financim për projektet", citon agjencia e lajmeve dpa ministrin e Financave. Evropianët i kanë respektuar edhe në të kaluarën premtimet e tyre ndaj partnerëve ndërkombëtarë: "Ne gjithnjë kemi paraqitur rezultate".
Banka Botërore kërkon masa të menjëhershme kundër ebolas
Edhe presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim kërkon të rrisë në mënyrë masive investimet në infrastrukturë në vendet në prag industrializimi dhe ato në zhvillim. Në fillim të takimit vjetor në Uashington ai njoftoi një "Global Infrastructure Facility", një program për infrastrukturën, i cili duhet të inkurajojë në radhë të parë ekonominë private për më shumë investime. Banka Botërore vlerëson se deri në 2020 do të nevojiten rreth 1 bilion dollarë për "të kompensuar deficitin masiv në infrastrukturë në këto vende".
Por edhe më urgjente është një ndihmë sa më e shpejtë për tre shtetet e prekura nga epidemia e ebolas, Guinea, Liberia dhe Sierra Leone. "Nëse nuk do të arrihet shpejt të pengohet përhapja e virusit në vendet fqinje, dëmi ekonomik do të shkojë deri në fund të 2015 në 32,6 miliardë dollarë", tha Kim, "dhe kjo vetëm për Afrikën Perëndimore".
Pasojat globale nga ana tjetër është e vështirë të përllogariten, kur për shembull eksportet e lëndëve të para nga Afrika do të ndalnin. Fondet spekulative Hedgefonds kanë filluar të krijojnë rezerva me bimë të kakaos, njofton shërbimi i lajmeve ekonomike Bloomberg. Spekulantët presin mesa duket që epidema të kalojë edhe në Bregun e Fildishtë, prodhuesin më të madh të kakaos në botë.