1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

FMN dhe BB vazhdojnë me skenaret e krizës

Rolf Wenkel/ Auron Dodi14 Tetor 2013

T'i jepet fund mosmarrëveshjes për buxhetin të SHBA: me këtë thirrje përfundoi takimi vjetor i FMN dhe i Bankës Botërore. Ekspertët paralajmërojnë për kujdes përballë ndryshimit të ardhshëm të interesave bankare.

https://p.dw.com/p/19yry
Fotografi: picture-alliance/dpa

Presidenti i Bankës Qendrore Gjermane, Jens Weidmann dhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble ishin të qetë kur dolën para shtypit në përfundim të mbledhjes vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Bankës Botërore (BB) në Uashington. Për herë të parë pas shumë vitesh vendet e euros nuk ndodhen në bankën e mëkatarëve. Vërtet që Schäuble pati kërkuar që vitin e kaluar, që kritikat e ashpra ndaj euros duhet të marrin fund, sepse janë shënuar përparime të rëndësishme - por atëherë atë nuk donte ta dëgjonte askush me të vërtetë.

Por tani, kriza e euros papritur nuk është më temë diskutimi - opinioni botëror dhe rreth 11.000 ministrat, bankierët dhe gazetarët e mbledhur në Uashington e kishin mendjen vetëm tek grindja e çuditshme në SHBA. Presidenti Barack Obama dhe republikanët ende nuk kanë rënë dakord për buxhetin e SHBA dhe për tavanin e borxheve.

A do të fitojë arsyeja e shëndoshë?

Në thelb, asnjëri nga aktorët nuk e përfytyron dot, që politikanët në Uashington të shkojnë deri në ekstrem dhe t'i sjellin SHBA në paaftësi paguese. Edhe Schäuble dhe Weidmann u përpoqën që të përhapin optimizëm në Uashington. Weidmann mendon se pasojat ekonomike të bllokadës administrative janë të kufizuara. Vëmendja kryesore është e drejtuar përkundrazi në tavanin e borxheve të SHBA. Pa ngritur kufirin e sipërm të borxheve, SHBA i kërcënon që në 17 tetor gjendja e paaftësisë paguese.

Schäuble tha se është vlerësimi i përbashkët i të gjitha vendeve partnere, duke përfshirë edhe ministrinë amerikane të Financave se do të gjendet një zgjidhje. Të tjerë thonë se thjesht ngritja e tavanit të borxheve në SHBA nuk mjafton në plan afatgjatë. "Edhe pa e ngritur tavanin e borxheve, SHBA kanë borxhe më të mëdha për frymë se hapësira e euros, madje borxhe më të mëdha se sa Greqia e shumëpërfolur," tha në Uashington presidenti i Shoqatës Gjermane të Arkave të Kursimit dhe të Qarkullimit, Georg Fahrenschobn.

Politika financiare e SHBA nuk ka vazhdimësi

Madje borxhi për frymë në SHBA rritet më shpejt se p.sh. në Greqi. Një politikë e orientuar te marrja e borxheve nuk ka vazhdimësi, thotë Fahrenschon. Ajo rëndon brezat pasues dhe përkeqëson ekuilibrat.

Deri tani, bankat qendrore - para së gjithash vendet e industrializuara- janë përpjekur që t'i dobësojnë këto kriza duke hedhur shumë para në treg dhe duke i mbajtur gati zero interesat bankare.

Megjithatë, dikur duhet të vijë kthesa në politikën financiare - dhe para së gjithash vendet në ekspansion duhet të përgatiten për një situatë të tillë. Prandaj shefja e FMN-së, Christine Lagarde u ka bërë thirrje për bashkëpunim bankave në të gjithë botën, për të minimizuar pasojat negative pas ndalimit të vërshimit të parave.