1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260409 IWF Wirtschaftskrise

27 Prill 2009

FMN-ja nuk donte ta përfundonte mbledhjen e pranverës pa asnjë sinjal pozitiv tani në kohën e krizës. Megjithatë sistemi bankar ende. Pjesëmarrësit dhanë sinjalin shpresëdhënës për fundin e krizës ekonomike deri 2010.

https://p.dw.com/p/Hf65
Ndertesa e FMN-së në Uashington: Fondi Monetar Ndërkombëtar sheh dritë në fund të tunelit
Fondi Monetar Ndërkombëtar sheh dritë në fund të tunelitFotografi: picture-alliance / dpa

Youssef Boutros Ghali gjeti këto fjalë pasi Komisioni Drejtues i FMN-së përfundoi mbledhjen në Uashington:

“Natyrisht ka gjithmonë rreziqe, natyrisht të gjitha gjërat për një farë kohe do të duken keq. Por ritmi i rënies është më i ngadalshëm. Ka unanimitet, se në fund të vitit ne do të shohim dritë."

Fundi i krizës është i mundur në fund të vitit 2009

Boutros-Ghali është kryetar i Komisionit Drejtues të FMN-së, ku janë të përfaqësuar 158 vendet anëtare të FMN-së. Të paktën 20 vendet kryesore të industrializuara dhe ato në fazën e industrializimit të grupit G-20 u përpoqën shumë, që nga Uashingtoni t' i jepet botës një mesazh shpresëdhënës. Fundi i krizës është i mundur në fund të vitit 2009 dhe të paktën në fillim të 2010 do të jetë e mundur një rritje e ngadalshme.

Kur FMN-ja (Fondi Monetar Ndërkombëtar) vitet e kaluara bënte ftesat për takimin e pranverës, normalisht kjo u interesonte vetëm ekspertëve. Tani në kulmin e krizës ekonomike dhe financiare fondit po i kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje. FMN-ja duhet të luajë një rol të dyfishtë: shpëtimtar nga kriza dhe kontrollor, që mundësisht t' i kuptojë sa më shpejt dhe t' i parandalojë zhvillimet negative në të ardhmen. Në fundjavë shefat e bankave qendrore dhe ministrat e financave të 20 vendeve kryesore të industrializuara dhe vendeve në fazën e industrializimit i forcuan dukshëm kompetencat e fondit. FMN-ja si instanca më e lartë e kontrollit financiar duhet të reagojë për të parandaluar ekseset e tregut. Gjithashtu fondi duhet të krijojë një sistem paralajmërues për zbutjen e krizave ekonomike që kërcënojnë.

Pak vende duan ta ndihmojnë konkretisht FMN-në
Pak vende duan ta ndihmojnë konkretisht FMN-nëFotografi: DW

Premtime konkrete ka vetëm nga vendet e industrializuara për të ndihmuar FMN-në

Për kapërcimin e krizës FMN-ja duhet të kontribuojë më shumë se deri sot. Konferenca e G-20-ës në prill në Londër premtoi, se FMN-së do t' i vihen në dispozicion mbi 1.000 miliardë dollarë për të luftuar ngushticat për kreditë dhe problemet e likuiditet kudo në botë. Ky premtim vazhdon të jetë në fuqi, por ai po vihet me ngadalësi në jetë. Deri tani premtime konkrete ka vetëm nga vendet e industrializuara, ndërsa kombet si Kina, Brazili, India apo Rusia janë ende të tërhequra. Përpara se të japin para këto vende duan një perspektivë për më shumë të drejtë fjale në FMN. Kjo pasi vendimet në FMN vazhdojnë të dominohen nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Në mbledhjen e pranverës u vlerësuan programet e larmishme koniunkturore, përmes të cilave në mbarë botën shtetet përpiqen ta mbajën krizën nën kontroll. Por drejtori i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn qysh tani përpiqet të mendojë për pespektivën:

“Ne duhet të kemi kujdes për atë çfarë mund të ndodhë pas tre ose katër vitesh. Ndaj duhet të përgatitet tërheqja prej programeve koniunkturore.“

Shtysa e rritjes së çmimeve mund të çojë në rritjen e inflacionit

Këto programe janë financuar duke marrë borxhe të reja. Si rrjedhojë tani ka dalë në plan të parë disiplina buxhetore. FMN-ja ka frikë, se për disa vjet shtysa e rritjes së çmimeve mund të çojë në rritjen e inflacionit. FMN-ja thekson vazhdimisht një aspekt: Ripërtëritja ekonomike është e pamundur, sipas drejtorit Strauss-Kahn, për aq kohë sa nëpër banka ende ekszitojnë "letrat e helmuara me vlerë" dhe kreditë e këqia në bilancet e tyre. Strauss-Kahn njoftoi, se në takimin e pranverës të gjithë ishin të një mendimi, që tani duhet t' i përvishen punës për zgjidhjen e këtij problemi.

Autor: Jens Borchers/ Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi