1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si votojnë gjermanët që jetojnë jashtë vendit

Christian Ignatzi/Amarildo Topi21 Shtator 2013

Gjermania kërkon të respektojë vullnetin e çdo gjermani në botë kur vjen momenti për të votuar, prandaj edhe materialet zgjedhore ndonjëherë dërgohen në mënyrë spektakolare.

https://p.dw.com/p/19l5H
Fotografi: picture-alliance/dpa

Shkencëtarët gjermanë në bordin e anijes "Polarstern" do të ndjekin procesin e zhvillimit të zgjedhjeve në Gjermani nga ekranet e kompjuterave në Livestream. Ata kanë nisur udhëtimin e tyre që nga mesi i muajit gusht në Kili, por atëherë nuk ishin gati materialet zgjedhore dhe ata nuk do të mund të votojnë. Të njëjtin fat e kanë edhe kolegët e tyre të "Neumayer-Station III" në Antarktidë. Drejt tyre ishte parashikuar të shkonte një helikopter, por për shkak të kohës së keqe fluturimet janë pezulluar deri në muaiin tetor. Duke qenë se materialet votuese dërgohen vetëm kater javë para ditës së votimit, shkencëtarët nuk do të mund të votojnë.

Por jo në çdo vend të botës është e pamundur të votohet. Ushtria Gjermane kujdeset që të respektojë ushtarët e saj. Ajo ka bërë të mundur që ushtarët e fregatës "Niedersachsen", e cila është në det të hapur, të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre. Nënkolonel Markus Beck nga Komanda Operacionale në Potsdam shpjegon për DW se si është bërë e mundur një gjë e tillë. "Në fillim të muajit shtator një mjeft fluturimi spanjoll hodhi në det pranë anijes një kapsul me të gjitha materialet zgjedhore. Më pas ishte një varke e vogël që e çoi në bordin e anijes", tha Beck.

Marina gjermane në detin Adriatik
Marina gjermane në detin AdriatikFotografi: picture-alliance/dpa

67.000 gjermanë votojnë këtë vit nga jashtë vendit

Por ka edhe mënyra të tjera jo kaq spektakolare të marrjes së materialeve zgjedhore. "Ata marrin dokumentat me anë të postës normale", thotë Beck. Këtë vit ka funksionuar gjithçka mirë. Kjo është shumë e rëndësishme sepse zarfat me votën në brendësi të tyre duhet të kthehen maksimumi deri në orën 18:00 të ditës së zgjedhjeve, në mënyrë që vota e tyre të numërohet. Ndonjëherë koha është shumë e ngushtë. Punonjësit e zyrës së zgjedhjeve në qytetin e Wilhelmshaven kanë përjetuar disa eksperienca të veçanta. "Njëherë ata na nisën fletët e votimit në qeset kur ruhet gjaku, ndërsa njëherë tjetër na hodhën materialet zgjedhore me parashutë një nga avion luftarak. Në raste emergjente ata na dërgojnë materialet zgjedhore me çdo mjet që lëviz", thotë një punonjës.

Kush jeton jashtë dhe jo ne kushte kaq të vështira e ka më të thjeshtë. Nga 1.4 milion gjermanë që jetojnë jashtë 67.000 prej tyre kanë dërguar fletët e votimit. "Kjo shifër është më e lartë se në zgjedhjet e kaluara", thotë për DW zëdhënësi i Komisionit Zgjedhor Federal, Klaus Pötzsch. Ende nuk dihet arsyeja se pse shumë votues nuk dërgojnë zarfet me votën e tyre.

Klaus Pötzsch, zëdhënësi i Komisionit Zgjedhor Federal
Klaus Pötzsch, zëdhënësi i Komisionit Zgjedhor FederalFotografi: Destatis

Kur ligji të ndalon të votosh

Shumë gjermanë që jetojnë jashtë nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje, për shkak se nuk ndihen më të lidhur me vendin e tyre. Hitradio Namibia në Windhuk zhvilloi një pyetësor për këtë çështje: "Unë jetoj këtu prej 47 vitesh ndaj nuk më intereson politika gjermane", tha gjatë programit një gjermano-namibian.

Disa të tjerë do të donin të votonin, por ligjet ua vështirësojnë situatën. Kush jeton më shumë se 25 vite jashtë Gjermanisë lejohet të votojë, vetëm nëse ndjehet pranë me ndryshimet në Gjermani. Klaus Pötzsch shpjegon se në këtë kategori bëjnë pjesë gjermanët që punojnë për Goethe-Institut në botë, punonjësit e kufirit dhe ata që marrin të ardhura nga Gjermania.