1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fjalimi i Thaçit para deputetëve bojkotohet nga opozita

Bekim Shehu
22 Dhjetor 2017

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se Kosovës i duhet një ekip uniteti, që ta përfaqësojë në fazën finale të dialogut me Serbinë.

https://p.dw.com/p/2pqFo
Kosovo Präsidentenwahl Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/dpa/V. Xhemaj

Rritja e kredibilitetit shtetëror të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe rruga e afrimit për anëtarësim në BE dhe NATO, varet nga serioziteti i institucioneve në përmbushjen e detyrimeve shtetërore, tha pesidenti i Kosovës Hashim Thaçi në fjalimin e tij vjetor para deputetëve.

Në fjalimin e fundvitit para deputetëve të kuvendit Thaçi foli për dialogun Kosovë-Serbi, krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ushtrinë e Kosovës, demarkacionin me Malin e Zi  dhe integrimet evropiane. Fjalimi i presidentit Thaçi u bojkotua nga dy partitë politike opozitare, lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat përfaqësohen në kuvend me 58 deputetë nga 120 që ka parlamenti i Kosovës. Fjalimi u bojkotua edhe nga Lista Srpska e cila nuk e përkrah ushtrinë e Kosovës.  

Kosovo Präsident Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

"Ne nuk mundemi që në vazhdimësi të drejtojmë gishtin nga BE-ja, NATO-ja apo bashkësia ndërkombëtare duke kërkuar që t'i mbajmë ata fajtorë të vetëm për ngecjet tona. Ne duhet t'i pranojmë gabimet dhe t'i përmirësojmë ato sa më shpejt që mundemi, sepse vetëm kështu mund ta zëmë hapin me shtetet fqinjë në procesin e integrimeve euroatlantike”, tha Presidenti Thaçi, duke kërkuar nga deputetët që ta ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi në mënyrë që si thotë, ”t'i jepet fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës” dhe të mund të lëvizin lirshëm pa viza në zonën Shengen.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, presidenti Thaçi tha se marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet zbatuar pa humbur kohë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013  dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. "Paaftësia e Kosovës për të zbatuar zotimet e saj ka zhgënjyer partnerët ndërkombëtarë”.

Prioritet e Kosovës

Presidenti Thaçi përmendi ndër prioritet e Kosovës edhe shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forca të armatosura të Kosovës, proces ky që kundërshtohet ashpër nga qeveria  në Beograd dhe deputetët serbë në kuvendin e Kosovës. 

"Ky është një proces shtetëror i natyrshëm dhe i domosdoshëm, i cili vjen edhe si rezultat i punës së pjesëtarëve të FSK-së të cilët e kanë ngritur nivelin e përgatitjes dhe tani janë të gatshëm për detyra e kompetenca të reja. Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë shumetnike në të cilën mbi 10 për qind e pjesëtarëve të saj vijnë nga komunitetet jo shumicë”, u shpreh Presidenti.

Presidenti Thaçi ndjehet krenar që Kosova siç thotë "Kosova është lider në rajon në luftimin e ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit”. Ai vazhdon të besojë që  mënyra më e mirë është që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë, pavarësisht faktit se disa shtete kanë bërë progres më të madh në përmbushjen e kritereve për anëtarësim.

Kosovo Parlament in Pristina
Fotografi: Reuters/H. Reka

LDK-ja e cila mandatin e kaluar ishte në koalicion qeverisës me PDK-së dhe pati votuar për zgjedhjen e Thaçit president të Kosovës thotë tani se "Hashim Thaçi nuk përfaqëson unitetin e popullit dhe nuk garanton funksionimin kushtetues të institucioneve”, duke ia numëruar si thuhet në komunikatën e LDK-së, "një varg sjelljesh”.

"Ndërmjetësimin e tij në ndërtimin e koalicioneve para dhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Pjesëmarrjen e tij direkte në fushatën parazgjedhore në zgjedhjet lokale. Diskursi iracional i tij duke thirrur qytetarët e Kosovës që të pajisen me pasaporta të Shqipërisë si kundërpërgjigje ndaj institucioneve të BE-së. Thirrja e tij që qytetarët e Kosovës të protestojnë para zyrave të BE-së në Prishtinë për shkak të mosliberalizimit të vizave. Diskursi i papranueshëm publik që ai ka përdorur ndaj bashkësisë ndërkombëtare lidhur me Gjykatën Speciale dhe roli i tij negativ në politikën e jashtme duke rrezikuar njohjet e arritura me shumë mund dhe duke dështuar në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”. Këto ishin "argumentet” sipas LDK-së që Presidenti Thaçi si thonë "nuk garanton funksionim kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës.