1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fitore e qartë e të djathtëve në Hungari

26 Prill 2010

Pas tetë vjetësh socialistët hungarezë duhet t'ia dorëzojnë qeverinë partisë së djathtë konservatore Fidesz. Në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare ajo siguroi më shumë se dy të tretat e mandateve.

https://p.dw.com/p/N6LH
Viktor Orban, kryeministri i ardhshëm i Hungarisë shpall fitoren në zgjedhje
Viktor Orban, kryeministri i ardhshëm i Hungarisë shpall fitoren në zgjedhjeFotografi: AP

Ishte një fitore e qartë për aleancën e djathtë konservatore të demokratëve të rinj: Ajo jo vetëm që fitoi shumicën në raundin e dytë zgjedhor (25.04.2010), por siguroi madjke vende të mjaftueshme në parlament dhe është në gjendje të realizojë ndryshime në kushtetutë, pa nevojën e mbështetjes së partive të tjera.

Kryetari i Fideszit: "Është krijuar një sistem i ri"

"Hungarezët kanë rrëzuar sot një sistem dhe kanë krijuar një të ri.", deklaroi shefi i Fideszit dhe kryeministri i ardhshëm Viktor Orban të dielën në mbrëmje para përkrahësve të tij në Budapest. "Ju keni krijuar një sistem të kooperimit nacional, në vend të sundimit të oligarkëve."

Në parlamentin me 386 vende do të kishin mjaftuar 258 mandate për shumicën e dy të tretave të nevojshme për ndryshimin e kushtetutës. Shumë shpejt në mbrëmjen e votimeve u pa se demokratët e rinj të Viktor Orbanit do ta kapërcenin këtë prag. Pas numërimit të thuajse të gjitha votave partia Fidesz arrin të sigurojë gjithsej 263 mandate, siç njoftoi komisioni i zgjedhjeve.

Humbje e rëndë për socialistët

Humbje të mëdha pësuan nga ana tjetër socialistët qeverisës. Në parlamentin e ri ata siguruan vetëm 59 mandate dhe pas tetë vjetësh qeverisjeje duhet të kalojnë në opozitë. Kryetarja e partisë Socialiste Hungareze (MSZP), Ildiko Lendvai, dhe presidiumi ofruan menjëherë dorëheqjen pas shuplakës, që morën me humbjen e zgjedhjeve.

Dy parti të tjera dërgojnë për herë të parë deputetë në parlament. Këto janë partia e djathtë ekstreme Jobbik ("Më të mirët") do të marrë 47 mandate. Ajo përdor një retorikë të hapur antisemite dhe kundër romëve. Dhe partia ambjentaliste me orientim të majtë "Politika mund të jetë ndryshe" (LMP), e cila e ndjen vetën përbërëse, merr 16 mandate.

Pjesëmarrja në zgjedhje në raundin e dytë qe vetëm 44%. fituesi konstatoi, se që para dy javësh me 11 prill, partia Fidesz kishte siguruar 52,8% të votave duke arritur 206 mandate. Në raundin e dytë u votua në 57 qendra zgjedhore, në të cilat në raundin e parë asnjë kandidat nuk kishte marrë shumicën absolute. Në balotazh do të vendosej për 121 mandate parlamentare.

Kryeministri i ardhshëm, Viktor Orban e ka patur këtë post nga viti 1998 deri 2002. Në fushatën zgjedhore ai premtoi uljen e taksave dhe krijimin e një milion vende të reja të punës brenda dy vjetëve. Qeveria e deritanishme ka ndjekur së fundi një kurs të rreptë kursimesh, ndër të tjera edhe nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila e pati ndihmuar Hungarinë me një paketë ndihme prej 20 miliardë eurosh në krizën financiare të vjeshtës së vitit 2008.

Autor: Frank Wörner/ Angjelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi