1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Filmi shqiptar: Çmimi më i rëndësishëm se pjesëmarrja

24 Shkurt 2019

Ndërsa Kosova mori pjesë në Berlinale-n e sivjetshme me një film të vetin, Shqipëria duket se e ka kthyer vështrimin në festivalet e tjera.

https://p.dw.com/p/2t1tE
Berlinale 2019 EFM albanischer Stand
Stenda shqiptare, Ilir ButkaFotografi: QKK

Në aktivitetin paralel me Berlinale-n, European Film Market, që u mbajt në mes të shkurtit në Berlin, mund të krijoje një përshtypje për gjendjen e kinematografisë së sotme shqiptare. Sidomos në pritjen tradicionale të stendës së dy QKK-ve të Shqipërisë dhe të Kosovës, ku mblidhen producentë dhe kineastë nga e gjithë bota, e kuptoje se industria e filmit të Shqipërisë dhe Kosovës po zë vend gjithnjë e më të qendrueshëm në rrjetin kinematografik europian. 

Kosova  mori pjesë në Berlinale në kuadër të Berlinale Shorts me "Në mes" (të Samir Karahodës)  dhe kjo ishte një premierë e veçantë për Kosovën dhe filmin e saj. Kurse Shqipëria nuk kishte marrë pjesë në aplikim, sepse, siç thotë për DW, Ilir Butka, producentët shqiptarë e kanë ndryshuar strategjinë e tyre në lidhje me aplikimin nëpër festivale. "Kemi kuptuar që duhet të synojmë jo vetëm festivalet e mëdha, por që duhet të ndërtojmë një strategji: dhe strategjia nuk është vetëm të marrësh pjesë, por edhe të fitosh", thotë Butka. 

Aplikime në përshtatje me festivalet

Dhe, që të fitosh sot në festivale filmi duhet "t'i përshtatet tipologjisë dhe sensibiliteteve te festivaleve" ku aplikon. Publiku gjerman, sado i hapur që të jetë, nuk ndjehet shumë i afërt me tematikat e Shqipërisë. Edhe pse Berlini vetë ka pasur një të kaluar komuniste, festivali i Berlinit është një produkt tipik perëndimor dhe tematikat e së kaluarës komuniste duhet të kenë lidhje me Gjermaninë e sotme ose me probleme me të cilat identifikohen njerëzit në Gjermani, në mënyrë që të pranohen nga politikat e festivalit dhe të pëlqehen nga publiku, argumenton Butka më tej. 

Ilir Butka Albanien Berlinale 2015
Ilir ButkaFotografi: Juli Ndoci

Dhe nëse ky kriter nuk përmbushet atëherë mbetet vetëm ekzotizmi për të tërhequr vëmendjen e përzgjedhësve të festivalit: Prandaj nuk është çudi fakti që (pervec filmit te Bujar Alimanit, Aministia (2011) qe ka marre pjese ne Seksionin Forum (GR,Al), të vetmet filma shqiptarë që kanë marrë pjesë në garën kryesore të Berlinales në të gjitha kohërat kanë qenë të lidhur me fenomenin e burrneshave: Burrnesha (2015) dhe Falja E Gjakut (2011, bashkëprodhim mes SHBA-së, Shqipërisë, Italisë dhe Danimarkës). Ky i fundit e futi Shqipërinë për herë të parë edhe në listën e vendeve fituese, pasi mori asokohe "Ariun e Argjendtë" për skenarin, e shkruar nga Joshua Marston dhe Andamion Murataj.
 
Prandaj edhe, siç rrëfen Butka, kineastët shqiptarë kane nisur t'i përzgjedhin festivalet sipas tematikave: Dhe me sukses: Filmi i Bujar Alimanit "Delegacioni" (bashkëprodhim Shqipëri, Kosovë, Greqi), me skenar të Artan Minarollit (1958-2015) që trajton periudhën e fillimit të tranzicionit në Shqipëri menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, fitoi ndër të tjera, në tetor të  2018-ës Çmimin e Madh të Festivalit të Varshavës. Edhe ky festival është i kategorisë A, pra i akredituar te FIAPF-i (Fédération Internationale des Associations de Producteurs de Films). Janë rreth një duzinë festivalesh në botë që e shijojnë këtë privilegj. Një ndër ta është edhe Tallinn Black Nights Film Festival në Estoni, ku, falë po së njëjtës strategji, në dhjetor të vitit 2018 mori pjesë në konkurrimin kryesor edhe filmi më i ri i Robert Budinës "Streha mes reve" (bashkëprodhim Shqipëri-Rumani me distributor in gjerman, Pluto). 

Marka shqiptare: Balkan Film Market

Ilir Butka, i cili ka pesë vjet që e drejton QKK-në dhe së shpejti do të duhet të rikandidojë ose t'ia lërë në dorë stafetën dikujt tjetër është i kënaqur në përgjithësi me ecurinë e kinematografisë shqiptare në këto vite. Nuk e fsheh krenarinë. kur thotë se disa prej filmave janë prodhuar në bashkëpunim me Eurimages (Fondi Europian për Mbështetjen e Bashkëprodhimeve Kinematografike), ku Shqipëria është anëtare prej vitit 2010. "Vula e Eurimages-it është një sukses i madh për ne", thotë Butka. Aplikimi në Eurimages është kusht i vendosur nga QKK-ja për nxitjen e bashkëprodhimeve. 

Krenar është Butka edhe për numrin e prodhimeve të arritura në katër vitet e fundit, që sipas tij "është më shumë se një e treta e filmave të realizuar që nga krijimi i QKK-së, në vitin 1998". 

Berlinale 2019 EFM albanischer Stand Rafaela Rica
Rafaela Rica, bashkëdrejtuese e rrjetit "Balkan Film Market"Fotografi: DW/A. Shuka

Dhe QKK-ja është krenare edhe për produktin e saj më të ri: Balkan Film Market, të cilin e drejton Andamion Murataj me Rafaela Rica, e që ndërkohë është kthyer në një ndër eventet me interesante të industrisë së filmit ne Ballkan, midis aktiviteteve te tjera ballkanike te këtij lloji. Rica i thotë Deutsche Welles se ky treg që zhvillohet çdo vit në tetor ka nisur të tërheqë vëmendjen e gjithmonë e më shumë kineastëve nga e gjithë bota: "Numri i pjesëmarrësve rritet nga viti në vit: Ndërsa në vitin e (pare) të krijimit, 2017, kishin marrë pjesë 160 vetë, në vitin 2018, numri i pjesëmarrësve shkoi në 250 nga 24 vende." Arritja kryesore është marka e krijuar tashmë nën këtë emër, thekson ajo: "Ne kemi krijuar një brand (markë, shënim i red.) që po zë vend gjithnjë e më të mirë me kalimin e kohës dhe që shpresojmë që do te shtoje shansin për rritjen e fondeve të Evropës për Ballkanin". 

Projektvendimi për xhirimet e huaja i pamiratuar

Çdo vit Balkan Film Market ka edhe nga një ose me shume vende në fokus të tij. "Kjo i shton shanset e një kontrate bilaterale bashkëpunimi, sikurse Shqipëria e ka deri tani me Italinë, prej së cilës kanë dalë deri më sot me shume se 20 filma, thotë Ilir Butka. Një bashkëpunim të ngjashëm QKK-ja po përpiqet ta arrijë edhe me Izraelin, i cili pikërisht në Berlinalen e sivjetshme arriti të fitonte "Ariun e Artë", me Synonims (Nadav Lapid).
 
Këto ditë, përpara përfundimit mandatit të tij si drejtues i QKK-së, Ilir Butka arriti edhe marrëveshjen me Open Labs, për të publikuar informacione mbi filmat shqiptarë në enciklopedinë online Wikipedia, prej nga shpresohet të  rritet edhe më shumë njohja për kinematografinë shqiptare. 

Vetëm me një gjë nuk është i kënaqur kryetari i Qendrës Kombëtare: Që projektvendimi i ri për kinematografinë, i cili do t'u hapte rrugën producentëve të huaj për të xhiruar në Shqipëri, nuk është miratuar ende. "Kam katër vjet që i bie murit me kokë dhe refuzohet për disa teknikalitete, por unë do të vazhdoj të luftoj deri sa të thyhet muri, se koka ime nuk thyhet", paralajmëron duke qeshur 54-vjeçari.