Filloi sot ne Tirane muaji i Ramazanit
1 Shtator 2008Ditën e hënë filloi edhe në Tiranë, muaji i Ramazanit, një nga festat më të rëndësishme të
besimtarëve myslimanë kudo në botë. Edhe për komunitetin mysliman të Shqipërisë ky muaj
konsiderohet si muaji i mëshirës, faljes, bereqetit dhe mirësisë.
Selim Muça, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke uruar ditën e sotme tha se,
"Qëllimi i Ramazanit është të tentohet vlerësimi i këtij Muaji të begatë, në arritjen e kënaqësisë
së Zotit dhe në formimin e një bashkësie me vlera të shëndosha njerëzore. Ky muaj na nxit të
jemi gjithmonë të gatshëm që të bëhemi më humanë dhe më të afruar me njerëzit në nevojë”.
Pikërisht altruizmi, dashuria dhe ndihma për të tjerëet është një nga vlerat më të mëdha që muaji
i Ramazanit përpiqet të rrënjosë tek besimtarët myslimanë.
Urimet e rastit nuk kanë munguar sot edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në një
mesazh të shkruar, drejtuar besimtarëve muslimanë, ai thekson se "gjatë muajit të Ramazanit ,
gjithkush rivlerëson jetën sipas mësimeve dhe udhëheqjes fetare të të Plotfuqishmit, bën paqe
me vetveten dhe ndreq gabimet, forcon lidhjet me familjen dhe me miqtë duke praktikuar
tolerancën dhe harmoninë fetare, që e kanë karakterizuar popullin shqiptar ndër shekuj”.
Duke vleresuar harmoninë fetare në të cilën shqiptarët jetojnë prej shekujsh si vlere sa
njerëzore, aq edhe shpirtërore Presidenti Bamir Topi e konsideron atë një nga modelet e rralla
që kombi shqiptar i ofron qytetërimit botëror.