071011 Nürnberg Menschenrechte
10 Tetor 2011Qyteti gjerman i Nurembergut ka qenë në kohën e nazistëve krahas Berlinit një nga qendrat e pushtetit diktatorial. Sot aty ndjen përgjegjësinë për të kaluarën. Qyteti sheh si detyrë të mbajë të gjalla kujtimet dhe të hedhë një vështrim kritik në ato rajone të botës, ku ka shpërdorim pushteti dhe shtypje. Prej vitesh aty organizohet një festival ndërkombëtar për të drejtat e njeriut "Nuremberg International Human Rights Film Festival", që u zhvillua tani për të shtatën herë.
Shumicën e rasteve filmat trajtojnë të drejtat e njeriut
Disa duhet të jenë befasuar, që kameramani më i njohur i Gjermanisë Michael Ballhaus ka marrë përsipër patronazhin për festivalin. Fundja filmat e përpunuar në Hollivud, që Ballhaus ka xhiruar në SHBA, nuk janë filma me përmbajtje sociale kritike. Baladat pjesërisht brutale me mafia dhe gangsterë si Gangs of New York dhe Departed (të regjizorit Martin Scorsese) nuk i lidh dot patjetër me kinematografinë, që angazhohet për të drejat e njeriut.
"Si regjizor ke mundësinë të vendosësh, se çfarë filmi do të bësh. Dhe këto filma në një farë mënyre merren gjithnjë me të drejtat e njeriut dhe me mjedisin. Kjo mund të jetë nganjëherë në gjëra shumë të vogla. Por ju duhet të jeni të ndërgjegjësuar për to. Edhe në qoftë se është vetëm një citat, apo figurë për të drejtat e njeriut."
Por Michael Ballhaus argumenton se regjizorët në një farë mënyre, qoftë me një citat, apo me një figurë, gjithmonë merren me të drejtat e njeriut.
Çdo film për nazismin është film për të drejtat e njeriut
Gjatë festivalit u shfaq pastaj një film, që vinte në dukje vitet e errëta të nazismit gjerman, që e patën zanafillën e tyre edhe në Nuremberg. "Wunderkinder" i regjizorit Marcus O. Rosenmüller rrëfen për miqësinë e tre adoleshentëve në Ukrainën e vitit 1941 dy fëmijë me talent për muzikë dhe një vajzë gjermane, që miqësohet me to. Së bashku përjetojnë terrorin e nazistëve dhe bien në mes të luftërave të gjermanëve, rusëve dhe ukrainasve.
"Eshtë një temë universale. Por përbën temën e të drejtave të njeriut, sepse tema e të drejtave të njeriut në kohën, kur luhet filmi, pra gjatë luftës së dytë botërore, është shkelur me këmbë në mënyrë dramatike. Por është natyrisht një histori universale, që mund të mos luhet vetëm në luftën e dytë botërore. Gjithmonë ka konflikte të tilla në rajona të tjera, fe të tjera, histori të ngjashme. Prandaj i përshtatet mjaft mirë që të luajë në këtë festival."
Natyrisht regjizori Marcus O. Rosenmüller ka të drejtë, kur thotë se çdo film për nazismin është një film për të drejtat e njeriut. Dhe që nazismi sot nuk ndërtohet vetëm si sfond për të tërhequr publikun.
"Lufta e dytë botërore, përndjekja e hebrejve, holokausti, janë tema, që janë trajtuar shpesh dhe janë vënë shumë mirë në skenë. Prandaj natyrisht që ka përsëritje. Por përmes perspektivës së vazhdueshme të fëmijëve – nuk ka asnjë skenë, ku të mos ndodhet njëri nga fëmijët – janë krijuar perspektiva të reja rrëfimi."
Të drejtat e njeriut në jetën e përditshme
Përpjekja e regjizorit për të sjellë në ekran përndjekjen dhe luftën, meriton lëvdatë, por dialogët dhe dramaturgjia janë të ngurtë. Këtu regjizori japonez Koji Wakamatsu është më konsekuent. Ai e dërgon spektatorin në një udhëtim në një ferr të vertetë. Filmi i tij „Caterpillar“ tregon historinë gati të papërballueshme të një ushtari të plagosur rëndë, i cili kthehet nga lufta memec dhe me shenja plagësh, pa krahë dhe këmbë për të cilin gruaja e tij përkujdeset me shumë dashuri fillimisht. Pasta, dhe kjo përbën madhështinë e filmit, del që viktima ishte një vrasës brutal dhe një përdhunues.
Dhuna dhe shtypja – këtë do të thotë këtu regjizori Wakamatsu – ndodhin edhe në jetën e përditshme, vazhdimisht dhe pranë nesh. Lufta vetëm intensifikon cënimin e së drejtës së njeriut. Janë pikërisht filma të tillë, që nuk e tregojnë fare qartë historinë e tyre, që i bëri spektatorët të mendojnë në Nuremberg.
Autor: Jochen Kürten/Angjelina Verbica
Redaktoi: Pandeli Pani