300810 Bilanz Bayreuther Festspiele
2 Shtator 2010
Festivali i 99-të operistik i Bayreuth-it filloi me 25 korrik me një inskenim të ri të „Lohengrin“ dhe përfundoi më 28 gusht me „Die Meistersinger von Nürnberg“. Shfaqja iu kushtua Christoph Schlingensief-it, regjisorit provokativ gjerman, që ndërroi jetë më 21 gusht. Në vitin 2004 ai kishte vënë në skenë në Bayreuth operan „Parsifal“. Asokohe inskenimi i tij i shokoi adhuruesit e Wagner-it. Sot Schlingensief-i konsiderohet një ideator i rëndësishëm impulsesh të reja për festivalin.
Ndryshime të kujdesshme në festival
Festivali i Bayreuth-it u themelua para 134 vjetësh prej kompozitorit Richard Wagner. Deri tani në të shfaqen vetëm veprat e tij – dhjetë opera. Deri në pranverën e këtij viti në këtë drejtim nuk është bërë asnjë ndryshim. Por pas vdekjes së nipit të Richard Wagner-it, Wolfgang Wagner, i cili ishte edhe drejtues artistik i festivalit, vajzat e tij duket se kanë ndër mend të bëjnë disa ndryshime të kujdesshme. Gjithsesi pa ndryshuar parimin themelor të festivalit, sqaron Eva Wagner-Pasquier:
„Një gjë me siguri nuk do të ndodhë, që në këtë festival të zërë vend një kompozitor tjetër. Ne do t'u përmbahemi sigurisht rregullave të fondacionit, të shtëpisë dhe të idesë."
Në vitin 2010 pati një ofensivë mediale me Public Viewing dhe Livestream të shfaqjeve drejtpërdrejt nga salla e teatrit të operas. Më 21 gusht në sheshin e Bayreuth-it ishin mbledhur rreth 20.000 vetë për të ndjekur shfaqjen e operas „Valkyret“. Sipas një sondazhi 70% e tyre nuk kishin parë kurrë më parë ndonjë opera të Wagner-it. Shfaqja u transmetua drejtpërdrejt edhe përmes internetit si livestream si dhe live në televizionin japonez.
Një pjesë të rëndësishme të festivalit e përbën „Wagneri për fëmijët“. Këtë vit posaçërisht për fëmijet ishte përgatitur një version i operas „Tannhäuser“. Fëmijët në moshën 6-12 vjeç e ndoqën operan me shumë vëmendje. Personazhi më i dashur për publikun qe perëndesha e dashurisë Venus apo Venera e veshur si pank (punk) që lëvizte nëpër skenë me skateboard.
Sigurohen këngëtarë më të rëndësishëm
Stërmbesat e Wagner-it arritën këtë vit të siguronin këngëtarë më të mirë se deri tani. Ndër ta Jonas Kaufmann në rolin e Lohengrinit, James Rutherford në rolin e Hans Sachs-it, Johan Botha në rolin e Siegmund-it dhe Lance Ryan në rolin e Siegfried-it. Ky i fundit, tenor nga Kanadaja, konsiderohet si më i miri në këtë rol.
Vitin e ardhshëm, pra me rastin e 100-vjetorit të festivalit të Richard-Wagner-it do të prezantohet një inskenim i ri i operas "Tannhäuser" nën regjinë e Sebastian Baumgartenit, dirigjent: Thomas Hengelbrock. Në vitin 2013, me rastin e 200-vjetorit të ditëlindjes së kompozitorit do të ketë një inskenim të ri të "Unazës së Nibelungëve" nën drejtimin e dirigjentit rus Kirill Petrenko.
Autor: Rick Fulker/Pandeli Pani
Redaktoi: Auron Dodi