Feith: Synimi është që përfaqësuesit e serbëve të afrohen me institucionet e Kosovës
17 Shkurt 2009DW: Z. Feith, Si shihni zhvillimet në Kosovë gjatë vitit të parë të pavarësisë?
Feith: Mendoj se Kosova ka bërë progres gjatë këtij viti sidomos me miratimin e Kushtetutes së Kosovës dhe një mori ligjesh që do të mbrojnë të drejtat e komuniteteve këtu në Kosovë. Por, në të njejtën kohë Kosova duhet të bëjë hapa përpara që të jetë sa më afër anëtarësimit në BE. Ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë, por shpresojmë që do të ketë vlersime pozitive nga Komisioni Evropian në shumë fusha në mënyrë që të fillojë në praktikë procesi i stabilizim-asocijimit. Kosova ka shumë sfida përpara, do të veçoja zhvillimin ekonomik, sepse siç e dini papunësia është shumë e madhe dhe për zhvillimin ekonomik dhe thithjen e investimeve të huaja Kosova duhet të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi rajonale por edhe më gjerë. Kjo natyrisht nuk është e lehtë, por kërkon angazhim shumë të madh. Pra qeveria e Kosovës, duhët të fokusohet në zhvillimin ekonomik të vendit.
DW: Sa jeni i kënaqur me punën e institucioneve të Kosovës gjatë këtij viti?
Feith: Po jam shumë i kënauqur siç e thashë, shumë punë janë bërë, këtë e kam theksuar edhe në raportimin tim para Parlamentit Evropian. Në veçanti jam i kënaqur me angazhimin e qeverisë për të çuar përpara ndërtimin e një shoqërie shumëtike edhe pse akoma ka shumë punë për t´u bërë.
DW: Cilat mosarritje do të mund të përmendi, pra ato ç´ka premtuar qeveria e Kosovës dhe nuk i ka realizuar?
Feith: Ne e inkurajojmë qeverinë e Kosovës dhe kërkojmë që ajo të punojë më shumë në integrimn e pakicës serbe në shoqërinë kosovare dhe ne inkurajojmë kryeministrin dhe disa ministra të rëndësishëm, që të ulen në një tavolinë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. I gjithë synimi është që përfaqësuesit e serbëve të afrohen në institucionet e Kosovës dhe të bëhen pjesë e tyre.
DW:Si e shihni pozitën e serbëve në Kosovë?
Feith: Në anën jugore të lumit Ibër serbët janë të izoluar dhe nuk kanë qasje në pronat e tyre, por unë shoh që në disa komuna të tjera të Kosovës serbët do të jenë shumicë dhe do ta menaxhojnë jetën e tyre. Por në veri të Kosovës situata është shumë komplekse shumë më e vështirë dhe ne e kemi të vështirë që të kemi qasje në këtë pjesë. Unë kam informata nga lartë, nga Brukseli që atje ekzistojnë element ekstremistë, ka krim të organizuar dhe korrupsion, gjëra që duhen nxjerrë në pah dhe duhen luftuar. Por, ne do të bëjmë ç´është e mundur që edhe këtë pjesë ta integrojmë në shoqërinë kosovare.
DW: Si e shihni pozitën e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, flas për misionin e UNMIK-ut?
Feith: Unë mendoj se misioni i OKB-së ka bërë mjaft në Kosovë. Mandati i UNMIK-ut vazhdon nën rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, por tash shumë përgjegjësi kyçe nuk janë dhe nuk do të zbatohen nga Kombet e Bashkuara, sepse shumë përgjegjësi kanë kaluar tek institucionet e Kosovës dhe disa tek misioni i BE-së. Ju e dini funksionin tim dhe të zyrës sime. Ne do të mbikqyrim zbatimin e planit të Marti Ahtisarit dhe në veçanti do të përcjellim dhe do të punojmë në konsolidimin e një shoqërie shumëtnike në Kosovë dhe padyshim të ndihmojmë institucionet e Kosovës, që të arrijë vlerat evropiane. Pra mund të them se BE-ja do të jetë në Kosovë derisa Kosova të hyjë në BE-së.
DW: Si e shihni rolin e Beogradit në raport me Kosovën?
Feith: Është shumë e rëndësishme rruga se si Beogradi i qaset problemit të Kosovës, përderisa Beogradi ka për synim Bashkimin Evropian. Të dyja vendet edhe Serbia edhe Kosova sikurse edhe shumë vende të rajonit qysh në samitin e Selanikut janë zotuar se aspirojnë Bashkimin Evropian dhe në këtë linjë mendojë se vendet e rajonit pra edhe Kosova edhe Serbia gradualisht duhet të liberalizojnë kufijtë dhe të lehtësojnë qarkullimin e njerzëzve.
DW: Pra ju i shihni të nevojshme bisedimet Kosovë-Serbi apo...
Feith: Mendoj se bisedat janë në të mirë të dyja palëve dhe ky është një synim edhe i Kombeve të Bashkuara, por nga ana tjetër mendoj se këto biseda është mirë që të ndihmohen dhe të lehtësohen edhe nga shumë vende të BE-së.
DW: Në çfarë kushtesh dhe kur mund të zhvillohen këto bisedime?
Feith: Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri do të udhëtojë në Beograd, Bashkimi Evropia ka një zyrë në Beograd dhe u përket të dyja palëve që të përcaktojnë se për çfarë cështjesh mund të bisedohet. Por jam shumë skeptik nëse autoritetet e Prishtinës pranojnë që ta diskutojnë çështjen e statusit me autoritet e Beogradit, një çështje kjo që vazhdimisht e kërkon Beogradi.