FDP: Liberalët gjermanë luftojnë për mbijetesë
22 Prill 2012Partia Liberale Demokratike e Gjermanisë (FDP) miraton këtë fundjavë në Karlsruhe një program të ri parimesh politike, te i cili kanë punuar gati dy vjet. Pra bëhet fjalë për ide politike udhërrëfyese, për të cilat është diskutuar gjatë dhe intensivisht.
Megjithatë delegatëve në kongresin e partisë u është parashtruar mocioni i degës së një qarku, i cili kërkon që ta shtyjë votimin për programin e ri. Në arsyetim thuhet: „FDP-së i mungon aktualisht besueshmëria – veçanërisht në nivelin e lartë“. Me siguri, më qartë se kaq nuk mund të shprehet mungesa e besimit ndaj udhëheqjes së vet.
Edhe vetëm në 11 prej 16 parlamenteve të landeve
Në rast se mocioni përkrahet nga shumica, kjo do të ishte e baras me një votë mosbesimi, e cila do ta dobësonte edhe më kryetarin e partisë të goditur rëndë Philipp Rösler. Qëkurse ministri gjerman i Ekonomisë mori në maj 2011 kreun e partisë prej ministrit të Jashtëm Guido Westerwelle liberalët gjenden në rënie të lirë. Në fakt, tendenca teposhtë pati nisur më parë, por nën drejtimin e Röslerit ajo është përshpejtuar rrezikshëm. Në të katra zgjedhjet për parlamente landi, të cilat përkonin me kohën nën kryesimin e Röslerit, partia doli në opozitë jashtëparlamentare. Pjesërisht rezultatet ishin nën 2 për qind (për të hyrë në parlament nevojiten kudo të paktën 5 për qind).
Gjendja është groteske: Në rrafsh federate FDP-ja është partner koalicioni e kancelares konservatore Angela Merkel (CDU), në rrafsh landesh nga ana tjetër ajo po kthehet sa vjen e më shumë në një parti të vogël. Meqenëse ajo është e përfaqësuar tani vetëm në 11 prej 16 parlamenteve të landeve, rëndësia e saj në republikën me strukturë federale po zhduket dramatikisht. Liberaldemokratët arrijnë gjithnjë e më pak të ushtrojnë ndikimin e tyre në dhomën e ulët të parlamentit (dhoma e landeve, Bundesrat); kjo e fundit ka në shumë ligje të drejtë për t'u konsultuar.
Shpjegime për perëndimin e liberalëve ka shumë. Para së gjithash qysh prej marrjes së qeverisë në 2009-n ata kanë vërtetuar vazhdimisht që në rast dyshimi angazhohen për ata që kështu ose ashtu janë të pasur. Nga njëra anë FDP-ja ul taksat për pronarët e hoteleve, nga ana tjetër ajo (si e vetmja parti gjermane) është parimisht kundër pagës minimale për punëmarrësit (diçka e zakonshme kjo në gati të gjitha vendet e industrializuara).
Nuk është arritur ndryshimi i imazhit
FDP-ja thjesht nuk ia del të heqi imazhin e partisë klienteliste zemërakull, që i është ngjitur prej vitesh. Kjo nuk ndryshoi as pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, kur liberalët shënuan me gati 15 për qind rezultatin e tyre më të mirë historikisht dhe u dhanë fund 11 viteve në opozitë. Besimi në avancë ishte harxhuar brenda një kohe të shkurtër, sepse nga lehtësimet e premtuara financiare në vlerë miliardash gati s'mbërriti gjë te qytetarët.
Shpresë te Lindner-i
Në sondazhe FDP-ja gjendet prej kohe te gati 5 për qind. Në rast se ajo dështon në zgjedhjet për parlamentet e landeve në Schleswig-Holstein dhe Renani Veriore – Vestfali në maj, era e kryetarit të partisë, 38-vjeçarit Philip Rösler, mendohet të ketë përfunduar pas vetëm një viti.
Me gjasa atë mund ta shpëtojë ish-sekretari i përgjithshëm Christian Lindner (edhe më i ri, 33-vjeçar), i cili pati dhënë papritur dorëheqjen në dhjetor pas dy vitesh në post, „për të bërë të mundur një dinamikë të re“. Në qoftë se Lindneri karizmatik dhe intelektualisht i aftë ia del ta rifusë FDP-në në parlamentin e landit me popullsi të madhe (Renani Veriore – Vestfali), kjo do të ishte një rreze shprese për partinë në përgjithësi dhe për Röslerin në veçanti.