FC Bayern fiton Champions League
24 Gusht 2020Tensioni ishte shumë i madh, siç ishte parashikimi: Serge Gnabry po hante thonjtë e gishtave nga dëshpërimi, Kingsley Coman nuk donte ta ngrinte fare kokën. Lojtarët e ndërruar dhe ata rezervistë të Klubit futbollistik FC Bayern nuk rrinin më në vendet e tyre në Estadio da Luz në Lisbonë. Të gjithë mezi prisnin bilbilin e përfundimit të pesë minutave kohë shtesë. Rezultati 1-0 (0-0) kundër Paris St. Germain nuk duhet të hidhej dëm në momentet e fundit.
Po kaq i madh ishte lehtësimi kur arbitri Daniele Orsato fishkëlleu fundin e finales së Champions League pas 95 minutave dhe kur Coman, Gnabry dhe Co. e kishin fituar titullin. Nuk ishte askush tjetër, por Comani i lindur në Paris që shënoi golin vendimtar të mbrëmjes kundër klubit të atdheut të tij, për të cilin ai kishte luajtur 14 vjet dhe tek i cili ai kishte bërë debutimin e tij profesional në moshën 16 vjeç dhe tetë muaj.
24-vjeçari, i cili zakonisht është sprinter në krahun e majtë, goditi me kokë brenda zonës së pesë metrave pas një pasi të përsosur në kohë nga Joshua Kimmich. Zakonisht ky nuk është specialiteti i Coman-it. Por në këtë mbrëmje të butë verore në Portugali, kjo do të funksiononte për lojtarët e Mynihut. "Kjo është mbrëmja më e mrekullueshme e karrierës time. Jam në fushë me një ekip kaq të shkëlqyer, me vëllezër. Më shumë nuk bëhet," tha Kimmich.
"Dora e mbarë"
Kjo në një kohë kur Comani ishte vetëm zëvendësues në ndeshjet e mëparshme kundër FC Barcelona dhe Olympique Lyon, edhe sepse u kthye pas një dëmtimi. Lista e plagëve të tij është e gjatë, por cilësitë e tij dallohen. Kjo është një nga arsyet pse trajneri Hansi Flick vendosi për "mbretin", siç e thërrasin Comanin tani te ekipi i Mynihut, dhe kundër Ivan Perisicit, të cilin e kishte angazhuar deri atëherë. Edhe sepse Flicku priste që lojtari i tij të ishte më i motivuar, sepse do të luante kundër klubit të tij të vjetër.
Ishte ndryshimi i vetëm që kishte bërë Flicku te 11-ja. Dhe po të kujtojmë shprehjen e futbollit "dora e mbarë e trajnerit", atëherë ajo u vërteta padyshim këtë mbrëmje. "Mbreti" e kurorëzoi paraqitjen jo gjithmonë bindëse të mynihasve në finale.
Njëmbëdhjetë ndeshje, njëmbëdhjetë fitore
Me asnjë humbje të vetme, me as edhe një barazim, skuadra e Mynihut marshoi në këtë sezon të Champions League, e cili ishte i pazakontë në shumë aspekte, dhe rreshtoi njëmbëdhjetë fitore - asnjë ekip më parë nuk e kishte arritur këtë. Rrallëherë ka qenë më e merituar se këtë sezon fitimi i kupës. Mbi të gjitha, ishte një triumf i unitetit të ekipit dhe i shpirtit të ekipit, edhe nëse ishin Comani dhe portieri i shquar Manuel Neuer që vendosën thekset kryesore në këtë mbrëmje të së dielës.
Kur u dorëzua trofeu dhe u zbutën pak valët emocionale, Coman dhe Kimmich - golashënuesi dhe pasuesi - u ulën së bashku në podiumin e ceremonisë së ndarjes së çmimeve dhe biseduan në dukje të relaksuar për skenën vendimtare të një ndeshjeje.
Ata i kishin të gjitha arsyet për të festuar, por nuk e bënë. Përkundrazi, ata e shijuan në qetësi suksesin e tyre të përbashkët. Një moment që ndoshta ilustron në mënyrë shembullore karakterin e bavarezëve në vitin 2020.