1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropianët kritikojnë Danimarkën

7 Korrik 2011

I gjithë Shengeni është një parajsë e lëvizjes së lirë dhe pa kontrolle të brendshme kufitare. A mund të thuhet tani se kjo shprehje i përket së kaluarës? Danimarka i ashpërsoi të martën kontrollet kufitare.

https://p.dw.com/p/11pYr
Kontrolle doganore mes Danimarkës e Gjermanisë
Kontrolle doganore mes Danimarkës e GjermanisëFotografi: dapd

Që përpara se të hynin në fuqi kontrollet kufitare, eurodeputeti liberal Alexander Graf Lambsdorf paralajmëroi në Parlament se arritjet evropiane po goditen gradualisht. Në debat fillimisht u bë fjalë për një bilanc të presidencës hungareze të BE, e cila sapo përfundoi. Shumë deputetë, midis tyre Lambsdorffi, e kritikuan herë pas here ligjin hungarez të medieve si shumë kufizues. Tani ai vendosi lidhjen nga Hungaria në Danimarkë:"Liria vdes pak nga pak, qoftë liria e shtypit ose liria e qarkullimit. Pas 15 minutash, në kufirin midis Gjermanisë dhe Danimarkës dhe Danimarkës me Suedinë do të marshojnë doganierë, për të rivendosur atje kontrolle kufitare. Sulm ndaj lirisë së qarkullimit - këtu ne patëm dëshiruar më shumë angazhim të presidencës suaj."

Vendimi "fatal" i Danimarkës

Politikania e të Gjelbërve, Rebecca Harms sheh një kontradiktë në sjelljen daneze: zyrtarisht Danimarka synon të luftojë me kontrollet kufitare krimin e organizuar dhe emigrimin ilegal, por kjo nuk përputhet me politikën daneze në kuadër të BE.

Dänemark EU Deutschland Grenzkontrollen Schengen
Stop, pasaportat ju lutem!Fotografi: picture alliance/dpa

"Për mua është fatale, që Danimarka, një vend i cili në fakt duhet të bëhej pjesë e politikës së përbashkët të migrimit dhe azilimit, ka zgjedhur një rrugë të veçantë. Që ata mendojnë se përmes dobësimit të Shengenit mund të zgjidhin problemet e migrimit dhe azilit, kjo është për të qeshur", tha ajo.

Gjithsesi, shumë eurodeputetë besojnë se qeveria daneze është më tepër e interesuar të mbështesë në fushatën elektorale dëshirat e partive të djathta, prej të cilave është e varur. Për shembull për pushuesit pritet të ndryshojnë pak gjëra - gjithsesi Danimarka ka planifikuar të angazhojë vetëm pak punonjës dogane shtesë për kontrolle sporadike.

Megjithatë, Martin Schulz, kryetar fraksioni i socialistëve sheh në rrezik të gjithë tregun e brendshëm të BE, me lirinë e tij të qarkullimit, mallrave dhe shërbimeve e kapitalit:

"Që sot ne kemi të bëjmë edhe me një shoqëri dy klasash në zonën e Shengenit. Sipërmarrjet gjermane, sipërmarrjet franceze, sipërmarrjet spanjolle, të cilat dërgojnë mallra në Danimarkë duhet të llogarisin kontrolle. Sipërmarrjet daneze, që sjellin mallra në Gjermani, Francë ose Spanjë nuk duhet të llogarisin kontrolle. Po të shohësh vetëm këtë fakt, del në pah se kjo mënyrë e njëanshme veprimi e sjell kokëposhtë kornizën e Shengenit dhe i vë pikëpyetjen jo vetëm lirisë së lëvizjes së personave, por edhe asaj të mallrave dhe shërbimeve."

Schulzi i bëri thirrje Komisionit, që të shqyrtojë pa humbur kohë, nëse kontrollet kufitare janë në përputhje me të drejtën evropiane. Deri tani, presidenti i Komisionit, Jose Manuel Barroso ka shprehur vetëm shqetësimin e tij serioz, por nuk ka arritur në një gjykim përfundimtar. Për momentin shumica shpresojnë se Danimarka, pas presionit masiv të Komisionit dhe të shteteve të tjera anëtare do ta ndryshojë së shpejti qendrimin e tanishëm.

Autor: Christoph Hasselbac / Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani