Evropa po ndahet
4 Dhjetor 2015Një fantazmë po kalon nëpër Evropë - fantazma e konservatorizmit. BE kërcënon që të shpërbëhet në grindjen për pranimin e refugjatëve. Fjala e shëmtuar "Bërthama e Evropës" po qarkullon sërish. Jo së fundi, sepse shtetet e reja të Evropës Qendrore dhe Lindore janë plotësisht të të njëjtit mendim. Dhe sepse ato distancohen nga kursi i shteteve, të cilat ish-ministri amerikan i Mbrojtjes Rumsfeld i quajti me përçmim "Evropa e vjetër".
Kundër gjithçkaje të huaj dhe për një dorë të fortë
Po, ata nuk duan refugjatë - megjithëse thuajse nuk janë përballur me asnjë refugjat - dhe nuk duan as kuota për refugjatët. Po, në këto vende po avancon sërish nacionalizmi dhe politikanët populistë gëzojnë kudo në rajon mbështetje të madhe për parullat e tyre kundër "të huajve" dhe për një dorë të fortë. Gjithashtu, pas epokës ateiste nën sundimin komunist, rëndësia e kishave po rritet thuajse kudo në Evropën Qendrore dhe Lindore. Gjë që ecën hap pas hapi me një retorikë gjithnjë e më shumë kundër të huajve dhe kundër homoseksualëve. Kudo mund të dallosh tipare të qartë të konservatorizmit:: jo ndryshime, një shtet të fortë me një dorë të fortë në krye, besim dhe traditë, "ne" kundër "të tjerëve".
Edhe njëherë tjetër, menjëherë para dhe direkt pas shembjes së bllokut komunist më 1989 konservatorizmi ishte në rend të ditës në këtë rajon. Por atëherë me të kërkohej distancim ndaj partive shtet, të cilat ishin "të majta" dhe "përparimtare" vetëm në letër. Në mënyrë paradoksale, "konservatorët" e atëhershëm në Evropën Qendrore dhe Lindore kërkonin ndryshime - madje edhe ndryshime revolucionare. Kurse partitë komuniste kërkonin të ruanin statusquonë. Në këtë mënyrë, thuajse kudo në rajon është krijuar - për vështrimin perëndimor- një teatër absurd idesh: që nga majtas në djathtas, nga konservator në liberal, nga pro tregut në sistem me rregulla, nga prorus në antirus, nga komuniste në antikomuniste. Pasi konfuzioni i ideve është qetësuar pak, para syve tona është krijuar një konservatorizëm autentik evropianolindor dhe evropianoqendror.
Autentik sepse i merr energjitë e tij nga frikërat e paqarta të njerëzve në rajon. Jo vetëm vala e refugjatëve dhe rreziku terrorist - edhe globalizimi, kriza e Euros, sjellja agresive e Rusisë dhe mungesa e një shteti juridik të kompletuar aktivizojnë dëshira të forta në shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore: për stabilitet, për kufij të ruajtur mirë dhe për një sistem të thjeshtë, tradicional vlerash. Kudo, ky konservatorizëm është antikomunist, në shumë vende ai është edhe antiliberal.
Viktor Orban - model për shumë vetë
Konservatorizmi evropianoqendror dhe evropianolindor ka gjetur mbajtësin e pishtarit: kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili angazhohet shprehimisht për vlera konservatore, kristiane dhe nacionale. Edhe qeveria e re polake erdhi në pushtet me një agjendë të ngjashme. Në vendet e tjera të rajonit, konservatorët e rinj janë - në dallim nga Hungaria dhe Polonia - krejtësisht proevropianë, si në Bullgari, Rumani, Kroaci dhe në Shtetet Baltike. Por kudo konservatorët shfrytëzojnë frikërat e popullit ndaj situatës së re të paqartë.
Kështu, 25 vjet pas fundit të Luftës së Ftohtë po krijohet një ndarje e re dhe e thellë e Evropës. Jo më në "kapitaliste" dhe "komuniste", jo më në Lindje dhe Perëndim, por - para së gjithash - në konservatore dhe liberale. Një ndarje e cila nuk regjistrohet me të vërtetë në këto javë krizash nga "Evropa e vjetër". Por e cila - nëse BE do të mbijetojë nga kriza/t - do të dominojë në dekadat e ardhshme në BE.