Evropa ime: Dy shpirtrat në gjirin e Evropës Lindore
12 Janar 2019Ndoshta kështu është ngado, por besoj se në Evropën Qendrore dhe Lindore është edhe më e theksuar: shoqëritë tona janë pak skizofrene. Ne kemi dy anë: Njëra shikon me përgjërim nga Perëndimi, tjetra rrudh ballin e zemëruar me shitmendjen, arrogancën dhe - siç na thotë kjo anë - budallallëkun e paanë të tij. Ndoshta kjo anë është edhe mbizotëruesja.
Atë e gjen sidomos në zonat rurale dhe në zemrat e atyre që nuk janë as shumë të rinj e as shumë të vjetër, as shumë të pasur e as shumë të varfër, të cilët kanë familje dhe punë. E gjen sidomos te gratë e martuara me fëmijë. Këta janë njerëzit që i japin dy të tretat e votave Kryeministrit Viktor Orbán në Hungari.
Të tjerët i gjen kryesisht nëpër qytetet e mëdha. Janë të rinj, studentë, të palidhur, janë gra të reja, për të cilat e drejta e abortit është më e rëndësishme se detyrimet mëmësore, ata flasin disa gjuhë të huaja dhe shëtisin nëpër botë. Kur i kthejnë sytë drejt së ardhmes, duan që ajo të jetë shumë premtuese. Kohëve të fundit këta i sheh shpesh nëpër rrugë duke demonstruar - në Poloni, Hungari, Serbi, Rumani, Sllovaki. Nuk u mjafton që gjërat të mbeten siç janë dhe e përçmojnë stabilitetin, vlerën më te rëndësishme të unit tonë konservator.
"Urban" apo "folklorist"
Këto dy pole të shoqërive tona kanë ekzistuar gjithmonë. Qysh në vitet 1920 dhe 1930 ato quheshin në Hungari "urbane" - elitat urbane - dhe "folkloristët". Të dy krijuan kulturë, letërsi, muzikë, art me vlera të qëndrueshme. Por Perëndimi ka parë dhe ka dashur të shikojë vetëm anën urbane tonën. Vetëm veprat urbane u përkthyen në gjuhët perëndimore. Vetëm intelektualët urbanë kërkoheshin si partnerë bashkëbisedimi pas Rënies së Murit. Kjo kështu është ende.
Por tek ne, shkrimtarët popullorë, që në veprat e tyre e përshkruajnë shoqërinë rurale me shumë dashuri dhe në mënyrë të detajuar, kanë qenë gjithnjë shumë më të preferuar. Ne dëgjojmë më shumë zërin e brendshëm: atë të muzikës popullore, të dashurisë tragjike. Brenda nesh arsyeton vajtimi i përjetshëm i kombit. Edhe tani Perëndimi po tregon interesim, paçka jo fort të lartë, për ata që po demonstrojnë kundër pushtetarëve dhe ndoshta thotë se ata në Lindje nuk janë edhe aq të pashpresë. Pjesa tjetër - shumica - nuk i intereson.protest
Përqendrimi i pushtetit
Fakt është se po lind një brez i ri, i cili si pikë referimi nuk ka më "antikomunizmin". Pika e referimit të tij është pushteti "i lig". Dhe deri diku kanë të drejtë. Fryma e optimizmit për të ardhmen që mbizotëronte në fillimet e kthesës politike, pas Rënies së Murit, është zhdukur prej kohësh. Si socialdemokratët në Sllovaki dhe Rumani, ashtu edhe konservatorët në Poloni, Serbi dhe Hungari, qofshin ata kritikues ose adhurues të flaktë të BE-së, si në Serbi, qeveritë e vendeve tona përpiqen t'i zënë të gjitha postet e pushtetshme të shoqërisë dhe ta bëjnë ekonominë të nënshtruarën e tyre.
Korrupsioni luan rol të rëndësishëm. Synimi është arritja e një pushteti optimal, shumë larg nga ajo frymë lirie e fillimit të viteve '90, që që i mbushte njerëzit e asaj kohe, brezin e prindërve të demonstruesve të sotëm. Fëmijët e tyre thonë sot: Ne duhet të përmbyllim atë që filluan prindërit tanë.
Konservatorizëm strukturor në Lindje
Të vjetrit dikur do të vdesin, një brez i ri po rritet, pra, ka shumë potencial për ndryshim - por, për fat të keq, shumë nga këta të rinj dëshirojnë të emigrojnë në vendet perëndimore të BE-së që janë më pranë idealeve të tyre dhe ku pagat janë më të larta. Kjo çon në një konservatorizëm strukturor në Evropën Lindore. Uni ynë konservator nuk largohet, ai rri në vend dhe habitet me këta që hidhen sa andej e këndej.
Sondazhet tregojnë se qeveritë në Poloni, Serbi dhe Hungari nuk kanë frikë nga këto protesta. Është pak më ndryshe në Rumani dhe Sllovaki, sepse aty mund të sjellin ndryshime zgjedhjet e ardhshme. Ndoshta sepse aty nuk qeverisin konservatorë që flasin për vatër, Zot e vatan, por socialdemokratë të korruptuar, që nuk kanë një mesazh të vetin dhe që e kanë gjithmonë e më të vështirë të flasin me "zërin e popullit".
Stabiliteti ndodhet në mes
E ardhmja është e pashmangshme dhe të rinjtë e qyteteve tona, elita e së nesërmes, dëshirojnë një vend tjetër nga ai në të cilin jetojnë sot. Ky brez i ri i pëlqen BE-së, por BE-ja me sa duket nuk po e kupton atë: Ajo po planifikon për të ardhmen më pak para për Evropën Lindore dhe Qendrore dhe kjo do ta rrisë tendencën e emigrimit te të rinjtë më të aftë.
Rol kyç për ndryshimin luan edhe premtimi ndaj brezit të ri për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre, e jo për një të ardhme më të mirë në Gjermani apo Angli. Kjo duhet pasur parasysh në Bruksel.
Sa për ne: Nuk kemi pse të hahemi me veten. Uni ynë urban dhe egoja jonë rurale vërtet që janë dy shpirtra të ndryshëm. Por, ah, ato jetojnë të dyja brenda nesh. E në mes është ai ekuilibër që e duam të gjithë.
Boris Kálnoky, lindur në vitin 1961, raporton si korrespondent nga Hungaria për media gjermane. Ai është autor i librit „Paraardhësit" (Droemer 2011), ku ai kërkon gjurmët e familjes së tij, mes tyre edhe ministrin e Jashtëm të perandorisë hungareze, Gustav Kálnoky.