1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i BE: Europa po merr kthesën e duhur

22 Qershor 2017

Brexit, mbrojtja europiane dhe migracioni – janë temat e samitit të BE-së që fillon të enjten e vazhdon deri të premten. Atmosfera këtë herë është optimiste.

https://p.dw.com/p/2f8yZ
EU Flagge
Fotografi: picture-alliance/dpa/H. Ossinger

Në ftesën që kreu i Këshillit të BE, Donad Tusk shkroi për 27 vendet anëtarë te BE-së dhe kryeministres britanike, Theresa May, nënvizohej se „zhvillimet e fundit në kontinent të bëjnë të mendosh se ngadalë po merret kthesa e duhur". Arsyeja e optimizmit: Në të gjitha sondazhet e fundit po rritet miratimi për BE. Edhe rritja ekonomike të bën optimist. Rezistenca kundër presidentit amerikan, Donald Trump dhe Brexit duket se i kanë bashkuar më shumë vendet anëtare.

Hov për bashkëpunimin gjermano-francez

Pas votimeve në Francë edhe motori gjermano-francez është vënë sërish në lëvizje. Nga qarqet e Berlinit thuhet, se Berlini parashikon një bashkëpunim mjaft të ngushtë me presidentin Macron. Kancelarja gjermane, Angela Merkel duhet të gëzohet për këtë, sepse tani ajo ka një partner që mund të mbajë një pjesë të barrës europiane.

Në samit krerët europianë duan t'i japin hov edhe bashkëpunimit më të ngushtë në fushën e mbrojtjes. Por vendimet konkrete për financimin do të merren më vonë.

BE është po ashtu unike në qëndrimin e saj: Nuk do të ketë një rishshqyrtim të Marrëveshjes së Klimës në Paris. Një temë tjetër do të jetë edhe Brexit. Të enjten në mbrëmje, kryeministrja britanike, Theresa May do të paraqesë konkretisht planet  e saj për daljen nga BE, për sa kohë ato janë të përpiluara konkretisht. BE pret një propozim konkret nga May, për të drejtat e qytetarëve të BE në Britaninë e Madhe pas Brexit. Kjo temë qëndron në prioritetet e negociatave për BE.