1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Dritëhijet e kryeministrit hungarez Viktor Orban

7 Prill 2018

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban shpreson të dielën të fitojë mandatin e katërt. Imazhi i tij në media shpesh del i njëanshëm, ndërkohë, që ai i ka arritur disa gjëra, mendon korrespondenti Boris Kalnoky.

https://p.dw.com/p/2vdm7
Boris Kalnoky
Boris KalnokyFotografi: privat

Kryeministri hungarez, Viktor Orbán cilësohet shpesh si „populist". Njëherë e kam pyetur, pse kështu. Përgjigja e tij: „Sepse jam". „Populist" për të do të thotë „demokrat." Të kuptoj, se çfarë i shqetëson njerëzit dhe t‘i tematizojë ato. Nacionalkonservatori? Edhe ai një „demokrat". Kombi janë zgjedhësit. Vënia e interesave të tyre para gjithçaje tjetër është detyrimi i çdo qeverie, sipas tij.

Hungaria e para

Me parimin „Hungaria e para", Orban ka ndikuar më shumë se çdo politikan tjetër vendin që nga rënia e Perdes së Hekurt. Ai qeveris nga viti 2010, para kësaj edhe në vitet 1998-2002. Të dielën pritet rizgjedhja e tij. Partia Fidesz kryeson. Për të kuptuar këtë duhet të kthehesh në vitin 2006. Atë vit u bënë publike disa regjistrime të kreut socialist të qeverisë, Ferenc Gyurcsány. Pa pushim e ka gënjyer popullin, dëgjohej në këtë regjistrim. Diçka u thye atëherë. Besimi tek demokracia dhe bindja, se falë ndryshimit të sistemit, gjithçka do të bëhet më mirë. Protestat masive kundër Gyurcsány u shtypën brutalisht. Para derës së shtëpisë në Budapest shihja i shokuar, se si nipërit e komunistëve, socialistët- me shkopinj gome qëllonin nipërit e revolucionarëve të vitit 1956, opozitën e drejtuar nga Orban.

I rritur me krizën

Pastaj erdhi kriza e vitit 2008-2009. Vendi gati u ndodh para kolapsit. Hungaria ishte vendi i parë që kishte nevojë për kredi të FMN-së. Me një ndjenjë të pafuqisë sytë u drejtuan nga Orban që premtoi një fillim të ri: Hungaria duhet të fillojë të mendojë sërish me kokën e vet. Thirrja e tij në betejë ishte „liri". Si në vitin 1989, ende para kthesës, si student kur kërkonte largimin e rusëve. Kjo e ngriti atë në skenën politike. Dëshira për ndryshim ishte prezente kudo, dhe Orban e mishëronte atë. Ndërsa në kohën e krizës ai mishëronte ndjesinë se kjo kthesë kishte dështuar, dhe duheshin rrugë të reja. Në vitin 2010 ai arriti një fitore spektakolare.

Mediat të goditura në kërci

Në mandatin e viteve 1998-2002 Orban pati një bilanc pozitiv në qeverisje. Ai investoi në mënyrë masive në arsim. Lënda e parë e Hungarisë është zgjuarsia e të rinjve të saj, më tha ai. Ai uli borxhet shtetërore dhe ndihmoi familjet. Megjithatë i humbi zgjedhjet në vitin 2002 kundrejt gënjeshtarit Gyurcsány. Një shok që e ndryshoi atë. Ai ishte i bindur, se rënia e tij kishte të bënte me mediat që tentonin majtas. Kështu pas kthimit në pushtet, ai së pari i dha një goditje në kërci mediave me ligjin e ri për mediat. Kjo i zemëroi të gjithë gazetarët. Ky zemërim ngjyros që atëherë prezantimin e Orbanit në media.

Ungarn Viktor Orbán
Fotografi: imago/Panoramic International/C. Licoppe

Ndërkohë që ai ka arritur shumë gjëra. Në kohën e krizës në vend që të shtrydhte qytetarët, ai detyroi koncernet multinacionale me tatime speciale dhe uli taksat për qytetarët dhe shtresën e mesme. Rriti eficiencën e mbledhjes së tatimeve. Borxhet shtetërore u ulën nga 82% në 72% të prodhimit të brendshëm bruto. Ai urdhëroi konvertimin e detyruar të të ashtuquajturave kredi devizash nën vlerën e tregut. Bankat (e huaja) u goditën, por qindra mijëra familje shpëtuan nga ngecja në borxhe. Ekonomia rritet, rrogat po rriten, në vend ka gati punësim të plotë. Ndërkohë që gardhi me tela me gjemba e mban Hungarinë larg krizës së refugjatëve.

Politika e shtetit të fortë

Dritëhije: Victor Orban po e shkatërron frymën qytetare, mishërues i së cilës ka qenë ai vetë. „Qytetari" si anëtar aktiv i shoqërisë, që mban përgjegjësi dhe sjell rezultate. Orban ishte ai që e futi këtë mendësi. Por politika e tij e shtetit të fortë që komandon gjithçka është e kundërta e vetëpërgjegjësisë qytetare. Porositë nga ku merren fonde publike nuk shpërndahen sipas parimit të meritës qytetare, por tek aleatët.

Ai i dha fund edhe mendësisë korrekte politike dhe me këtë edhe hoqi mjegullën e frazave boshe. Sot ai futet në mjegullën e vet: Fushata e tij kundër Sorosit, që jep imazhin e një konspiracioni botëror për shkatërrimin e Europës, largon vështrimin nga kompleksiteti i të vërtetave. Ai e ka përqëndruar pushtetin, dhe qendra është ai vetë. Kjo të le të dyshosh për kaosin, kur Orban të largohet. Nëse mund t'i besosh zërave nga afër rreth tij, Orban dëshiron të përgatisë pasardhësin dhe rigjenerimin e partisë, nëse fiton zgjedhjet. Kjo do të ishte e rëndësishme, sepse Victor Orban e ka humbur në masë të madhe rininë. Lëndën e parë të rëndësishme të vendit. Kjo i bën këto zgjedhje më interesante se sa mendohej. „Ne mund të humbasim", thotë një këshilltar i tij. „Por do të ishte e habitshme."

 

Boris Kálnoky, lindur në vitin, raporton si korrespondent hungarez për gazetën "Welt" dhe media të tjera gjermane. Ai është autor i librit „Vend pasardhësish" (Droemer 2011), ku kërkon gjurmët e paraardhësve tij, edhe të ministrit të Jashtëm të perandorisë austro-hungareze, Gustav Kálnoky.