Europa ime: Bota e shpjeguar në (gati) 30 sekonda
17 Dhjetor 2016Në ditën pas zgjedhjes së Donald Trump-it më telefonoi një radio zvicerane. Redaktorët donin të dinin, se si mund të shpjegohet kjo zgjedhje. A ishte ky fundi i demokracisë si forma e besueshme e shtetit? Apo fundi i iluminizmit? Unë mundesha të flisja sa të doja - por në fund do të përdoreshin nga deklarata ime vetëm 30 sekonda.
Mbeta i shtangur. A është vërtetë e mundur, që të thuash diçka për rendin botëror, ashtu si e njohim ne, në vetëm 30 sekonda? Apo të flasësh kaq shkurt edhe për diçka tjetër me rëndësi? Në 30 sekonda unë nuk mund të përshkruaj as librin më të preferuar. As një skenë të vetme nga filmat e mrekullueshëm të Felnit. As dashurinë për gruan time. Në 30 sekonda më së miri unë mund të hesht.
30 sekonda janë një kohëzgjatje jo njerëzore. Kultura e 30 sekondave është bashkëfajtore, që Trump u bë ai që është tani. 30 sekonda ndoshta mjaftojnë për të shkruar një tweet. Dhe pesë sekonda për ta lexuar atë. Twitter tani do të qeverisë botën. Twittern dhe të gjitha mediet e tjera (jo)sociale të ngjashme me të janë makina teknologjike grirëse e kohës sonë, përmes së cilës grihet iluminizmi derisa prej tij mbeten vetem fije të holla. Kjo ngjashëm si me brumin e picave. Në rast se nuk ke kujdes brumi çahet.
Nëse me një gisht tregojmë nga Amerika, me katër të tjerët tregojmë ndaj nesh
A është orientuar ndonjëherë iluminizmi ndaj një frekuence kaq të shkurtër vëmendjeje? Në fakt jo. A ka nevojë mendimi kritik dhe verifikues për kohën? Po, ai ka nevojë për atë. Por që ta konsiderosh Trump-in përgjegjës për këtë hollim - madje për fundin e iluminizmit, do të thotë që ta hedhësh fëmijën bashkë me pelenat e ndotura. Ky do të ishte një nderim mbidimensional për të. Ai është vetëm një ndër ata që përfitojnë nga produkti i një zhvillimi, që ka nisur shumë më herët.
Do të ishte iluzion që SHBA-në ta ngarkosh me kthimin tek një mënyrë të paarsyeshme, polemike mendimi. Eshtë pikërisht ky vend që para më pak se një dekade zgjodhi një president me ngjyrë, një akt mëse i arsyeshëm. Nëse iluminizmi nisi të shpërbëhet ndokund, atëherë kjo ka ndodhur këtu tek ne në Europë, para disa dekadash. Nëse ndokush tregon me gisht dretj Amerikës, atëherë katër gishtërinjtë e tjerë na drejtohen ne.
Që prej viteve nëntëdhjetë - madje qysh në vitet shtatëdhjetë me nismën ksenofobe Schwarzenbach - Zvicra u trazua prej populistëve elitarë. Një miliarder, njësoj si Trump, ia doli që me një punë shumëvjeçare politike, ta nxjerrë në krye partinë popullore zvicerane (SVP) dhe të krijojë me të një instrument me efikasitet të lartë dhe aftësi veprimi për populizmin e tij. Ai - ashtu si Trump - i shiti një pjese të madhe të popullsisë përrallën e të pasurit, që kujdeset më shumë për jetën e njeriut të thjeshtë dhe shqetësimet e tij se sa për ato të hybridit të vet.
Dështimi i mendimit iluminist
Qysh atëherë mbizotëron papushim gjendja e jashtëzakonshme populiste. Specialitetet e saj janë: ngjallja e reminshencave, përforcimi i radhëve dhe drejtimi i tyre, mendimi anti-europian, ksenofobia. E natyrisht motoja: Make Switzerland great again! Izolacionizmi i dehur me mitologjinë helvetiane.
Dështimi i mendimit iluminist mund të matet edhe me atë, që e përkufizon Zvicrën rregullisht: me demokracinë direkte. Vullneti i popullit, që shprehet në referendume për iniciativat popullore, drejtohet deri në perversion dhe ad absurdum. Qendrimi elektoral - në fakt një akt i pjekurisë së qytetarit - karakterizohet nga hamendësimet, ndjenjat e errëta, reminishencat e thjeshtëzuara. Votohet sipas ndjenjës dhe jo me arsye - e njëjta gjë siç ka ndodhur edhe në Amerikë.
Vullneti i popullit në fund kthehet madje kundër vet interesave të popullit. Iniciativa për emigracionin masiv u pranua para dy vjetësh nga populli dhe qysh atëherë ajo e futi vendin në një krizë të pashembullt me BE-në. Ndonëse migracioni i punës i ka sjellë shumë këtij vendi. Kësisoj krijohet një demokraci e deformuar në mënyrë të çuditshme, në të cilën shumica kurrësesi nuk e ka gjetur gurin e të diturit.
Populizmi europian: Trump në shoqëri të mirë
Por më e rëndësishmja është, më pak të huaj dhe në radhë të parë më pak të llojit të padëshiruar: pra ata që s'kanë xhirollogari të majme dhe rezervime në hotelet tona luksoze. Po ashtu nuk dëshirohen as ata, që nuk kanë perspektivë për ndonjë punë në nivelet e menaxherëve të bankave, sigurimeve e industrisë sonë. Për të gjithë, që nuk e arrijnë dot këtë vlen: ktheni majat nga thembrat dhe larg Zvicrës. Ose: përvishni duart për të pastruar tualetet tona. Sepse për punët, që nuk preferon t'i bëjë asnjë zviceran, janë të mirëseardhur të huajt.
Zvicra prej kohësh nuk është më vetëm, disa vende europiane si nxënës të zellshëm, që kanë mësuar dikur prej SVP, ndërkohë ia kanë kaluar Zvicrës: Franca dhe Britania e Madhe, Gjermania dhe Holanda, Austria si dhe Polonia e Hungaria. Trump ka rënë në shoqëri të mirë. Ata të gjithë ndoshta duhet të krijojnë një klub twitter-i. Ata mund të twitter-ojnë mes tyre dhe kësisoj do të kishin me çfarë të merreshin për një farë kohe. Natyrisht Trump do të kishte rolin drejtues: ai do t'u mësonte të tjerëve, se si qytetarëve të sotëm të zhgënjyer, të vetmuar, të indinjuar dhe të lodhur nga mendimi - në një hark kohor të vëmendjes prej pesë sekondash - në lajmet me 140 karaktere u shpjegohet bota. Akses në të do të kishin vetëm ata, që janë të gatshëm - që botëkuptimin e tyre për njeriun dhe botën ta thjeshtëzonin në gjatësinë e një twitter-i.
Për të gjithë të tjerët, që janë mësuar të mendojnë në mënyrë komplekse, të kërkojnë kohë për t'u informuar, në mënyrë që ta verifikojnë mendimin e tyre, për t'u angazhuar për një botëkuptim të shumëanshëm të botës dhe për të përfaqësuar vlera solide humaniste, për ta qëndrojnë të mbyllura dyert e këtij klubi ekskluziv. Ne do ta vuanim këtë.
Shkrimtari gjermanofon Catalin Dorian Florescu ka lindur në Rumani dhe jeton që nga viti 1982 në Zvicër. Ai ka studiuar në Zyrih psikologji e ndër të tjera ka qenë edhe kujdestar psikoterapist në një qendër rehabilitimi për të droguarit dhe njerëzit me vese. Për romanin e tij "Jakobi vendos të dashurojë" në vitin 2011 ai u vlerësua me çmimin zviceran të librit. Romani i tij i ri është "Burri, që sjell fatin", botuar sivjet nga shtëpia botuese C.H. Beck në Mynih.