1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Infrastruktura gjermane: A po zhbëhet miti për efikasitetin?

30 Qershor 2024

Kaos, vonesa të gjata, trena ku nuk merr dot frymë. Kampionati Euro 2024 ia bëri të qartë edhe botës problemet infrastrukturore që ka Gjermania.

https://p.dw.com/p/4hfgJ
Deutschland Deutsche Bahn Euro 2024
Fotografi: Bastian/Caro/picture alliance

Kampionati Europian 2024 që po zhvillohet në 14 qytete gjermane nga 14 qershori i entuziazmon si tifozët gjermanë dhe ata të huaj, po problemet me infrastrukturën, sidomos ato të Hekurudhës Gjermane, Deutsche Bahne zbehin magjinë e kampionatit. Pamjet me dyndje tifozësh në stacionet e trenit dhe skena klaustrofobie në trena janë bërë virale. Tre milionë tifozë kanë lëvizur me trenat e distancave të gjata që nga fillimi i Kampionatit, sipas Deutsche Bahn. 150.000 punonjës janë të angazhuar, 14 trena shtesa çdo ditë, por kjo nuk ka ndihmuar dhe bota po sheh me habi gjendjen e infrastrukturës gjermane. Drejtuesi i Shoqatës së Pasagjerëve, Pro Bahn. Detlef Neuss e shikon këtë si një konfirmim të gjendjes problematike të hekurudhës gjermane. Kur e gjithë bota tallet me "sistemin tonë hekurudhor, kjo është një thirrje zgjimi për politikën", u shpreh Neuss për gazetën "Rhenische Post".

Harroni gjithçka mendoni për Gjermaninë?

Ishte gazeta e njohur amerikane "New York Times" që i dha goditje të fortë mitit gjerman të efikasitetit pas përvojave në Kampionatin Europian. Një reporter i gazetës së njohur shkroi pas ditëve të para të Kampionatit Evropian një paralajmërim për lexuesit: "Euro 2024 dhe efikasiteti gjerman - Harroni gjithçka që mendonit se dinit". Kurse gazeta britanike "Daily Mail” bëri fjalë për "skena të tmerrshme”, ku mijëra tifozëve u duhej të prisnin me orë të tëra herët në mëngjes në Gelsenkirchen për tramvajet që i çonin nga stadiumi i Schalkes në hotele pas ndeshjes mes Anglisë dhe Serbisë. Kurse "Guardian" shkroi se "futbolli nuk kujdeset që trenat të jenë të përpiktë, as nuk riparon sektorin publik të shkatërruar."

Mikpritja gjermane zbehet nga ankesat

Lëvizja me trena e autobusë urbanë për disa ndeshje të Kampionatit Europian është e lidhur me vështirësi për tifozët. Sidomos pas ndeshjeve shumë tifozë janë të habitur, se sa pak mjete transporti kanë qenë vënë në dispozicion për lëvizjen e tifozëve.

Mijëra tifozë ankohen për tramvajet apo trenat në Gjermani
Mijëra tifozë ankohen për tramvajet apo trenat në GjermaniFotografi: dts-Agentur/picture alliance

Kjo ka sjellë ankesa të grupeve të tifozëve si grupi skocez, Atac. Vërtet jemi pritur miqësisht, shkruajtën tifozët në faqen e tyre të Facebookut, por kemi pasur "përvoja të këqija" me trafikun urban. Trenat në Mynih dhe Këln ishin "shumë jo të përpiktë dhe ka qenë shumë nxehtë". Po ashtu tifozët janë ankuar për trena tejet të mbushur me pasagjerë.

Hekurudha gjermane pranon kritikat

Problemet e Deutsche Bahn nuk janë të reja, por gjatë Euro 2024 ato iu bënë të ditura edhe botës. Hekurudha Gjermane, Deutsche Bahn ka reaguar pas problemeve në trafikun hekurudhor gjatë Kampionatit Evropian të Futbollit 2024 në Gjermani. "Ne e kuptojmë pakënaqësinë dhe kritikën e tifozëve," tha për "Bild" anëtari i bordit të Deutsche Bahn dhe shefi i transportit për distanca të gjata, Michael Peterson. "Hekurudha aktualisht nuk ofron cilësinë që meritojnë të gjithë. Në të njëjtën kohë, ne po bëjmë gjithçka që mundemi për t'i çuar me siguri udhëtarët në destinacionet e tyre," tha Peterson.

Hekurudha Gjermane partnere kombëtare e Kampionatit Evropian të Futbollit 2024
Hekurudha Gjermane - Deutsche Bahn - është partnere kombëtare e Kampionatit Evropian të Futbollit 2024Fotografi: ActionPictures/IMAGO

Drejtori i turneut të Kampionatit Evropian Philipp Lahm, i merr seriozisht kritikat për infrastrukturën në Kampionatin Evropian të Futbollit. "Unë mendoj se ne në tërësi si Gjermani kemi neglizhuar të bëjmë pak punë në infrastrukturë gjatë dekadave të fundit," tha Lahm në Leipzig. Në të njëjtën kohë, ai premtoi përmirësim për fansat e shumtë: "Ne jemi në kontakt me Deutsche Bahn, ata do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka për të siguruar që njerëzit të shkojnë nga A në B në kohë. Por ky nuk është një problem që shfaqet tani, gjatë turneut. "Duhet të kishim punuar shumë kohë përpara”, ka pranuar 40-vjeçari Lahm kritikat.

Lindita Arapi, me xhaketë rozë dhe bluzë të zezë
Lindita Arapi Gazetare, moderatore, autore, shkrimtare