Ethet e arit digjital
8 Janar 2014Deri në 10.000 dollarë kushton një kompjuter i tipit Bitcoin-Miner por çuditërisht me ta as nuk mund të dërgosh e-mail, të shkruash tekste, të shikosh filma etj. Ata janë në gjendje vetëm të kërkojnë në internet bitcoins, të ashtuquajturin ar të internetit.
Bitcoin është një lloj paraje virtuale (kripto-para), që është krijuar në vitin 2009. Njësitë e parasë, bitcoins krijohen dhe menaxhohen në mënyrë të decentralizuar në një rrjet kompjuterik. Ky rrjet përbëhet nga pjesëmarrës që janë klientë të bitcoin dhe lidhen me njëri-tjetrin nëpërmjet internetit. Bitcoins mund të transferohen në mënyrë elektronike mes të pjesëmarrësve në këtë rrjet. Pronësia e tyre evidentohet përmes çelësave kriptografikë. Çdo transaksion i njësive monetare pajiset me një nënshkrim digjital dhe regjistrohet në bazë publike të dhënash në të gjithë rrjetin.
Kompjuterat Bitcoin-Miner janë në gjendje të zbulojnë në internet deri në 3.600 bitcoins në ditë, që kanë në treg një vlerë prej rreth dy milionë euro. Prodhuesi suedez i kompjuterave Bitcoin-Miner, KnCMiner shiti në fund të vitit 2013 2.400 kpmjutera të këtij lloji dhe fitoi brenda tri ditëve rreth 24 milionë dollarë.
Valutë pa inflacion
Oliver Flaskämper, pronar i platformës së tregtimit të monedhës digjitale bitcoin.de thotë se kjo është përpjekja për të pasur një monedhë të lirë e cila nuk mund të manipolphet prej njerëzve, p.sh. prej ministrave të Financës që duke hedhur në treg më shumë para shkaktojnë inflacion. Me këtë monedhë, e cila bazohet në themele matimatikore mund të ruash vlera dhe të paguash në të gjithë botën, sqaron Oliver Flaskämper.
Në softwarin bitcoin çdo gjë është vendosur tashmë dhe nuk mund të ndikohet më madje as rritja e shumës së monedhave bitcoin. Pra inflacioni përjashtohet. Aktualisht janë në qarkullim rreth 12 milionë bitcoins, për dhjetë vjet do të ketë 20 milionë. Pas kësaj sasia e parave do të rritet ngadalë, kufiri i sipërm prej 21 milion bitcoins mund të arrihet rreth vitit 2140. Transferimi i parave bitcoins mund të bëhet brenda pak minutash dhe pa taksa bankare, sqaron Alexander Lawn i KnCMiner.
Kosto jo e ulët
Alexander Lawn nga KnCMiner thotë se kostot për një kompjuter Bitcoin-Miner nuk janë të ulëta, sepse përveç çmimit të blerjesh shtohen edhe shpenzimet për energjinë elektrike, sepse ky kompjuter duhet të jetë i lidhur me rrymën elektrike ditë e natë.
Kush nuk do të blejë një kompjuter Bitcoin-Miner mund të blejë Bitcoins në një nga platformat e shumta në internet. Në platformën Bitcoin.de janë tregtuar në vitin 2013 rreth 90.000 bitcoins në muaj. bitcoin.de fiton prej çdo transaksioni një për qind.
Rregulli i vjetër i epokës së etheve të arit në vitin 1848 duket se funksion edhe në epokën e internetit. Dikur ata që jepnim me qera lopata, kazma apo ofronin shërbime të tjera për ata që kërkonin ar, fitonin prej qerasë, sikurse sot platformat tregtare në internet si Bitcoin.de.