1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

170911 UNO Libyen

17 Shtator 2011

Këshilli i Sigurimit të KB nxorri ditën e premte (16.09) një rezolutë për të përcaktuar drejtimin pas rrëzimit të diktatorit Muammar al-Gaddafi. Në këtë mënyrë rritet mbështetja për pushtetmbajtësit e rinj.

https://p.dw.com/p/12bEC
Këshilli i Sigurimit të KB
Këshilli i Sigurimit të KBFotografi: AP

Në qendrën e KB në Nju Jork, sundonte gati një orë festive. Të premten paradite, Asambleja e Përgjithshme e KB e njohu Këshillin Kalimtar si përfaqësues zyrtarë të Libisë. Pasdite, Këshilli i Sigurimit aprovoi me unanimitet dërgimin e një misioni ndihme për të lehtësuar masat e marra në pranverë kundër regjimit të Gaddafit. AMbasadori francez Gérard Araud tha: „Sinjali i Këshillit të Sigurimit është i qartë. Ne jemi në anën e popullit libian, dhe do ta ndihmojmë atë javët dhe muajt e ardhshëm."

Kohëzgjatja e misionit të KB në Libi (UNSMIL) është dhënë paraprakisht për tre muaj, por ajo mund të zgjatet. Ky mision duhet të sigurojë stabilizimin e vendit dhe të ndikojë për sigurimin e rendit publik dhe sistemit juridik. Përvec kësaj, punonjësit e KB do të ndihmojnë këshillin kalimtar në Tripoli për organizimin e zgjedhjeve dhe përgatitjen e Kushtetutës së re.

Për të nxitur sërish ekonominë e vendit, u çfuqizuan masat e marra kundër sektorit bankar dhe atij të naftës. Shumat miliardëshe që u ngrinë me rezolutat 1970 dhe 1073 në shkurt dhe mars të këtij viti, "do të vendosen në dispozicion të popullit libian sa më shpejt që të jetë e mundur."

Luftë civile në Libi
Luftë civile në LibiFotografi: dapd

Krah ndihmës teknike, pas vendimit të marrë ditën e premte qeverisë kalimtare në Tripoli i lejohet edhe furnizimi i armëve. Ambasadori britanik në KB Mark Lyall tha:

„Kjo është një ditë historike për Libinë dhe një datë shumë e mirë për Kombet e Bashkuara."

Vendi i tij shtroi kërkesën për rezolucion në Këshillin e Sigurimit.

Për shkak të kundërshtimeve të Rusisë, zona e ndalim fluturimeve do të vazhdojë të mbetet në fuqi. E njëjta vlen edhe për sanksionet e ngritura kundër Gaddafit dhe besnikëve të tij.

Këshilli i Sigurimit të KB
Këshilli i Sigurimit të KBFotografi: picture-alliance/dpa

Ambasadori gjerman në KB, Peter Wittig foli për një epokë të re për Libinë. Vendi ndodhet në një moment të rëndësishem dhe mund të shpresojë edhe në hapa të tjera ndihme nga qeveria gjermane." Gjermania është për  një pjesëmarrje aktive. Ne do ta ndihmojmë Libinë."

Në imazhin e Libisë së re, Kombet e Bashkuara duan të shohin një fytyrë të njohur. Diplomatët e KB mendojnë se Këshilli kalimtar në Nju Jork do të vazhdojë të përfaqësohet nga Abdel Rahman Shalgham. Shalgham - ish ministri i Jashtëm libian dhe njeri i besueshëm i Gaddafit, u largua në shkurt të këtij viti nga diktatori libian.

Autor: Thomas Schmidt/ Aida Cama

Redaktoi: Mimoza Cika Kelmendi