1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ende nuk shihet zgjidhja e krizës së euros

Bernd Riegert/Bahri Cani15 Qershor 2012

Në fjalimin lidhur me krizën e borxheve dhe samitin e G20-ës, kancelarja gjermane Angela Merkel ka përsëritur qëndrimet e saj. Kancelarja nuk ka asnjë ide të re, apo e ka të qartë se Gjermania duhet të paguajë më shumë?

https://p.dw.com/p/15EkB
Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: dapd

Për kancelaren Angela Merkel kanë filluar dy javët ndoshta vendimtare për kohën e qëndrimit në post. Në Romë, Meksikë dhe Bruksel do të mbahen disa samite për shpëtimin e euros dhe zgjidhjen e krizës së euros. Në deklaratën e saj qeveritare kancelarja Merkel ka parlajmëruar paraprakisht për mbingarkesat e Gjermanisë, sepse ajo e ka të qartë se nga Gjermania pritjet janë jashtëzakonisht të mëdha - jo vetëm në Evropë por edhe në tërë globin. "Nëse dështon euro do të dështojë edhe Evropa", ka përsëritur shpesh kancelarja Merkel. Nëse Greqia pas zgjedhjeve të ditës së dielë (17.06.12) futet në kaos, nëse Spanja duhet të futet në tërësi nën obrellën e shpëtimit dhe nëse Italia futet në probleme edhe më të thella, atëherë monedha e përbashkët mund të dështojë shumë më shpejt se sa që mund të parashikojmë në këtë moment.

Gjermania do të detyrohet të marrë rreziqe përsipër

Bernd Riegert
Bernd RiegertFotografi: DW

Në këtë rast edhe Gjermania do të detyrohet të heqë dorë nga qëndrimet e deritanishme. Thënë më troç: Angela Merkel do të detyrohet të hapë portofolin dhe të marrë përsipër borxhet e vendeve jugore nëse do që ato të mos falimentojnë. SHBA-ja dhe vendet në zhvillim presin këtë nga kancelarja Merkel dhe këtë do ta thonë hapur në samitin e G20-ës në Meksikë javën e ardhshme, ku do të bisedohet për krizën e euros. Rritja ekonomike është labile në SHBA. Dhe në këtë rast Evropa me dëshirë do të hidhet prej Uashingtonit në bankën e fajtorëve. Recepti i deritanishëm amerikan është: për nevojtarët duhet shtypur më shumë para. Ndërsa Angela Merkel në anën tjetër është kundër. Por nëse kriza ashpërsohet edhe më shumë, ajo nuk do të mund të mbrojë këto pozicione për një kohë të gjatë, në veçanti kur dihet se Evropa gati që nuk ka ndonjë mbështetje nga jashtë.

Planet e vonuara afatgjate

Investorët ndërkombëtarë në tregjet financiare llogarisin me lëshime të tjera të Gjermanisë në politikën monetare dhe rënien dakord me kërkesat që Banka Qendrore Evropiane të marrë më shumë rreziqe mbi vete. Kjo shihet edhe në procesin e shitjes së letrave gjermane me vlerë, të cilat ndonëse aktualisht janë të sigurta, nga investorët amerikanë nuk kërkohen shumë. Ndërkohë janë rritur edhe kërkesat për sigurinë e letrave me vlerë të shtetit gjerman gjë që dëshmon se mund të ulet aftësia kredituese e Gjermanisë, për shkak të rreziqeve që lidhen me stabilitetin e euros. Kancelarja Merkel kërkon më shumë disiplinë buxhetore dhe një union politik, me qëllim përballjen më të lehtë të krizës së euros. Debati për borxhet e përbashkëta dhe eurobondet duhet të zhvillohet por së shpejti nuk do të ketë instrumente konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Shpresa e fundit Banka Qendrore

Institucioni i vetëm që mund të veprojë në këtë moment është Banka Qendrore Evropiane, e cila për momentin po mbështet Spanjën. Ajo duhet të mbajë mbi ujë edhe Greqinë dhe të furnizojë bankat atje me para. Kjo Bankë po futet në rreziqe gjithnjë e më të mëdha dhe këto rreziqe duhet të garantohet prej dikujt. Gjermania luan këtu një rol të madh. Sille si të duash: por në fund dikush duhet të paguajë edhe llogaritë. Nuk ka pikë dyshimi se do të ketë ngarkesa të reja për taksapaguesit në Gjermani dhe Evropë. Ndoshta duhet krijuar edhe një fond solidariteti për luftimin e krizës së borxheve. Aktualisht ka probleme të mëdha me mekanizmatt shtesë për sigurimin e euros të cilat duhet të aprovohen edhe në parlamentet e vendeve anëtare.

Evropa e udhëhequr nga kancelarja gjermane në dy javën e ardhshme duhet të gjejë përgjigje të cilat do të qetësojnë investorët dhe tregjet financire. Në të kundërtën nëse dështon euro do të dështojë edhe Evropa - të paktën Evropa të cilën e njohim sot!