1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Emigracioni ul kriminalitetin'

Matthias von Hein8 Korrik 2016

A janë shtuar krimet në Gjermani prej emigrantëve, si pretendojnë të djathtët? Një studim i fundit tregon se nuk ka lidhje mes origjinës dhe kriminalitetit.

https://p.dw.com/p/1JLVx
Fotografi: Getty Images/AFP/G. Bouys

Pas ngacmimeve dhe sulmeve seksuale natën e Vitit të Ri në Këln, të cilat u bënë prej emigrantësh nga vendet e Afrikës Veriore, në Gjermani pati një valë zemërimi dhe frike. Tani pas një gjysmë viti në Këln filloi procesi ndaj një alegjeriani dhe një irakiani.

Shifra dhe fakte kundrejt miteve

Që prej natës së Vitit të Ri ka dyshime për aftësinë e refugjatëve, sidomos atyre nga vendet islamike, për t'u integruar në Gjermani. Po ashtu prej kësaj kohe po diskutohet, nëse bashkë me refugjatët dhe emigrantët në Gjermani po shtohet edhe kriminaliteti. Sipas studimit të fundit të "Qendrës për Migrimin" nuk ka ndonjë lidhje mes prejardhjes dhe kriminalitetit.

Symbolbild Einbrecher
Fotografi: Fotolia/Sergey

Autori i studimit, kriminologu Christian Walburg, ka analizuar statistikat e Entit Federal për Migracionin dhe thotë për DW-në se në shumicën e fushave klasike të kriminalitetit nuk ka ndonjë rritje të veprave penale. Përjashtim bëjnë vjedhjet e banesave dhe vjedhjet e xhepave, ku vërehet një rritje e qartë.

Megjithatë, këto krime nuk kryhen nga refugjatët thekson Ulf Kuch, drejtor i hetimeve në Braunshvajg. Kuch dallon dy grupe autorësh: "Së pari ata që vijnë nga Evropa Lindore dhe ata nga vendet e Magrebit. Por ata nuk bëjnë pjesë në grupin e njerëzve që erdhën në Gjermani vitin e kaluar me fluksin e refugjatëve," tha Kuch për DW-në. Në shumë raste fjala është për njerëz që jetojnë prej vitesh në Gjermani.

Symbolbild Wohnungseinbruch
Fotografi: Fotolia

"Imigrimi ul kriminalitetin"

Në rezultate edhe më të habitshme ka arritur Sandra Bucerius, kriminologe në vendin klasik të emigracionit Kanada. "Studimet në arenën ndërkombëtare tregojn në mënyrë të qartë se emigracioni në përgjithësi e ul dhe nuk e ngre përqindjen e kriminalitetit", thotë studiuesja për DW. Por Bucerius diagnostikon një rritje të krimit në brezin e dytë. Si faktor veçanërisht i fortë rreziku është sipas saj mungesa e integrimit social, pra në sistemin shkollor, në tregun e punës, apo në hapjen e përgjithshëm të shoqërisë ndaj imigrantëve. Në vendet tradicionale të emigracionit, kriminologia Bucerius konstaton se ky integrim funksionon më mirë se në vendet evropiane.