Ekonomia e Turqisë tërheq punëtorë gjermanë
13 Qershor 2013Dila Mihmar dhe bashkëshorti i saj Selimi do të bëjnë dasmën e tyre në Duisburg, qyteti ku lindën u shkolluan dhe u dashuruan. Pas ceremonisë ku do të jenë 700 të ftuar, çifti do të fluturojë drejt Stambollit për një muaj mjalti të pakufizuar. Ata e kanë quajtur 'Projekti Stamboll'. "Ne do të festojmë për 10 orë, duke ngrënë, kërcyer dhe duke pirë alkool, më pas nuk do të pushojmë aspak sepse do të nisemi për në Stamboll", thotë Dila pak ditë para dasmës së saj.
Shok kulturor
Që prej vitit 2006, më shumë njerëz kanë lënë Gjermaninë me destinacion Turqinë se sa e kundërta. Në vitin 2011 rreht 33 mijë vetë lanë Gjermaninë për Turqinë, ndërsa 2 mijë erdhën në Gjermani nga Turqia. Cigdem Akkaya ishte një nga të parat që la Gjermaninë për Turqinë. Në vitin 2006, së bashku me dy miq të saj ajo themeloi shoqatën "Rückkehrer Stammtisch" (Tavolinën e të rikthyerve, të cilët takohen njëherë në muaj në Stamboll.
"Në fillim në takimet tona ishin vetëm 12 vetë, ndërsa tani në listë kam rreth 3 mijë vetë", thotë Akkaya. Shumë nga ata nuk kishin jetuar më parë në Turqi. "Në Gjermani ata mendojnë se janë turq, por sapo vijnë këtu venë re se janë gjermanë. Ata janë rritur me etikën e punës gjermane dhe kuptimin e demokracisë, prandaj janë të ndryshëm nga turqit që nuk kanë dalë asnjëherë nga vendi", thotë Akkaya.
Largimi i trurit
Numri i njerëzve që largohen nga Gjermania në drejtim të Turqisë pothuajse është konstant që nga viti 1991, por ajo që ka ndryshuar është se po largohen më shumë njerëzit e mirë edukuar. "Në media quhet largimi i trurit. Natyrisht që është një humbje për ekonominë dhe shoqërinë gjermane, por sërish nuk ka një ndikim të madh", thotë Yasar Aydin, i cili studion emigrimin turko-gjerman pranë Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë. Në librin e tij të publikuar së fundmi Aydin thotë se ata që emigrojnë nuk e braktisin Gjermaninë, por krijojnë një jetë mes dy vendeve. Ai e quan këtë fenomen 'transmigrim'.
Të ndihesh si në shtëpi
Pra përse të sapomartuarit Dila dhe Selim vendosën të largohen për në Turqi? "Në Gjermani ne gjithmonë e ndiejmë se jemi të huaj, ndërsa në Stamboll ndjehemi se jemi atje ku duhet të ishim. Në Stamboll për disa vjet do të jemi të huaj sepse kemi theksin gjerman, por në pak vite ne do të përshtatemi tërësisht", thotë Selimi.
Çifti thotë edhe arsyen tjetër, që theksoi edhe studiuesi Aydin: zhvillimi ekonomik i Turqisë. Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim ekonomik(OECD), Turqia ka shanse për tu bërë një nga 10 vendet me ekonominë më të fuqishme në botë.
Gjithsesi Dila është e shqetësuar për faktin se nuk do të jetë në kontakt me familjen e saj dhe do t'i mungojnë filmat e hollivudit të dubluar në Gjermanisht. "Do t'më mungojnë edhe Brötchen gjithashtu. Pa harruar edhe donerin gjerman", thotë ajo duke qeshur. "Nëse 'Projekti Stamboll' është i suksesshëm, ne nuk do të kthehemi kurrë", përfundon Dila.