Ekipi i Bajernit në gjysëmfinale
10 Prill 2014
Ekipi i Bajernit të Mynihut mund të ëndërrojë edhe më tej për të mbrojtur titullin e kampionit në Champions League. Fituesit e sezonit të kaluar arritën në ndeshjen kthyese të çerekfinales të fitojnë në stadiumin e tyre kundër ekipit anglez Manchester United me rezultatin 3:1 (0:0). Loja e parë u zhvillua javën e kaluar me rezultatin (1:1). Para 67.300 shikuesve, Mario Mandzukic(59), Thomas Müller(68) dhe Arjen Robben(76) ishin autorët e tre golave për Bajernin, ndërsa për Manchester shënoi Patrice Evra(57).
Në këtë mënyrë Manchester-i mbyll aventurën europiane, ndërsa Bayern vazhdon rrugën për mbrojtjen e titullit. Trajneri i djemve gjermanë, Pep Guardiola u befasua me paraqitjen shumë ofensive të ekipit të tij.
Ndërkohë janë përcaktuar edhe gjysëmfinalistët e tjerë të Ligës së Kampionëve. Pas gjashtë gjysmëfinalesh radhazi, Barcelona është eliminuar nga 4 më të mirat e Europës në këtë sezon. Gjithçka e merituar për Atleticon e Madrid-it që ka arritur të fitojë 1:0 ndeshjen e kthimit në “Vincente Calderon”, duke përfituar edhe nga barazimi 1:1 në ndeshjen e parë në “Camp Nou”. I janë dashur vetëm 5 minuta skuadrës së Simeone-s për të shënuar golin e vetëm të takimit, me Koke-n.
Pavarësisht përpjekjeve të Mesit dhe Xavit, ka qenë e pamundur të ndryshonin rezultatin, duke i dhënë mundësinë Atletico-s të kalojë në një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëvei pas 40 vitesh.
Ditën e martë ishin ekipet e Real Madridit dhe FC Chelsea që u kualifikuan për në gjysëmfinalen e Ligës së Kampionëve. Edhe pse ekipi i Real-it humbi 0.2 ndaj ekipit të Dortmundit, ky i fundit nuk mundi të kualifikohet për më tej. Chelsea fitoi 2.0 ndaj ekipit francez FC Paris St.Germain. Ndeshjet e ardhëshme të gjysëmfinalistëve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës Europianë do të përcaktohen të premten(11.04) nga shorti i organizuar nga UEFA në Nyon të Zvicrës.