1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe larg edhe pranë BE - Theresa May konkretizon Brexit-in

3 Mars 2018

Kryeministrja britanike, Theresa May bëri publike në një fjalim themelor përfytyrimet britanike për daljen nga unioni europian, BE. Disa qëllime janë të qarta, por ende nuk ka qartësi në pikat më të rëndësishme.

https://p.dw.com/p/2tc5s
Großbritannien London - Theresa May hält Rede zum Brexit NEU
Fotografi: Getty Images/L. Neal

Britania e Madhe duhet të marrë vendime të ashpra, tha Theresa May në fjalimin e saj themelor për Brexit. Sipas fjalëve të kryeministres britanike, Theresa May vendi i saj synon marrëdhënie të zgjeruara me BE edhe pas largimit të vendit nga unioni europian. Kjo është edhe në interesin e BE-së, tha May të premten në Londër. Marrëveshja post Brexit duhet të fiksojë bashkëpunimin në shkallë të gjerë si „çdo marrëveshje tjetër tregtare në botë" dhe të përfshijë mjaft sektorë. Britania e Madhe kërkon marrëdhënie të ngushta ekonomike me BE edhe pas Brexit, dhe do mund edhe në të ardhmen të respektojë rregulloret e konkurrencës dhe ato të ndihmave financiare të BE. „Ne nuk duam futjen e doganave apo kufizime", theksoi May. Në të njëjtën kohë Britania e Madhe do që të jetë e lirë të përmbyllë marrëveshje tregtare të vetat me vende të treta. Kryetarja e qeverisë britanike e përjashtoi pjesëmarrjen në unionin doganor. Në të njëjtën kohë ajo synon një marrëveshje doganore me BE, që i bën të pavlefshme kontrollet kufitare. Kjo do të mundësohet nga zgjidhje teknologjike dhe ujdi të bazuara në mirëbesim. Për të mos penguar fluksin e mallrave në kufi, ajo synon marrëveshje të ngushta me BE në sektorët e rregullimit dhe standarteve. Pra May nuk kërkon union doganor, por si edhe më parë tregti që rrjedh pa pengesa. Në BE kjo është quajtur "zgjedhje e stafidheve" 

Brüssel Eu-PK zu Brexit  Barnier
Michel BarnierFotografi: Reuters/F. Lenoir

Jo kufi i prerë në Irlandë

Brexit nuk duhet të rrezikojë procesin e paqes në Irlandën e Veriut, theksoi May. Ajo u shpreh se është në përgjegjësinë e BE dhe Britanisë së Madhe që të mos vendoset një kufi i prerë me Irlandën. May bëri të qartë, se çdo rregullore që vendos kufij apo kontrolle doganore mes Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Britanisë së Madhe është e papranueshme. Ajo po ashtu e bëri të qartë, se nuk synon të marrë asnjë nga modelet ekzistuese për partneritetin e ardhshëm me BE pas Brexit. Ajo as nuk është për një marrëveshje tregtare si ajo mes BE dhe Kanadasë, por as për një anëtarësi në tregun e brendshëm europian sipas modelit norvegjez. Sipas vëzhguesve, me këtë May e zhgënjeu sërish Brukselin që pret një pozicion të qartë.

Megjithatë kryenegociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier e përshëndeti fjalimin e Theresa May si një hap drejt një marrëveshjeje të ardhshme. Qartësia për largimin e Britanisë së Madhe nga tregu i brendshëm europian dhe unioni doganor do ta ndihmonte BE për të përpiluar pikat e saj për një marrëveshje të tregtisë së lirë, shkroi Barnier në tëitter. Britania e Madhe do të largohet nga BE në mars të vitit 2019.

la/(rtr, dpa, afp)