1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe Farage jep dorëheqjen

Stephanie Pieper (ARD Londër)4 Korrik 2016

Pa të referendumi i Britanisë së Madhe për BE nuk do të kishte ardhur kurrë: Nigel Farage, shefi i partisë nacionaliste UKIP luftoi për një çerek shekulli për një referendum dhe kundër BE. Sot ai papritur dha dorëheqjen.

https://p.dw.com/p/1JIrJ
Britani Nigel Farage
Fotografi: Reuters/N. Hall

"Ishte temë spekulimesh, ajo që do të bëja unë". Kështu u shpreh Nigel Farage në lidhje me hamendjet e shprehura në Londrën politike, pas triumfit të tij në Brexit e pasi ai e festoi 23 qershorin si "Ditë të Pavarësisë". Sot populisti i djathtë u jep fund këtyre spekulimeve dhe jep dorëheqjen nga kreu i UKIP: "Kështu që mua më duket e drejtë, që të jap tani dorëheqjen si kryetar i UKIP".

52 vjeçari, i martuar për herë të dytë dhe aktualisht me një gjermane, e ka fituar luftën politike të jetës së tij: britanikët votuan në shumicën e tyre për të dalë nga BE. Ai e ka dhënë kontributin e tij për këtë, tha shefi i UKIP - dhe më shumë se fitoren në këtë referendum popullor ai nuk mund të arrijë më.

"Unë e ndiej që e plotësova pjesën time. Dhe më shumë se ajo që arrita në referendum, ndoshta unë nuk do të arrij dot më."

Farage do të japë këtë herë me të vërtetë dorëheqjen, kështu shprehet së paku - jo si vitin e kaluar, kur pas zgjedhjeve në Dhomën e Poshtme të Parlamentit deklaroi dorëheqjen dhe pak pas kësaj dorëheqjen nga dorëheqja.

Nën drejtimin e Farage, UKIP fitoi në Britaninë e Madhe zgjedhjet evropiane të vitit 2014, u bë forca e tretë politike në Angli dhe mobilizoi tani bazën dhe zgjedhësit për Brexit. "Pa UKIP Brexit nuk do të kishte arritur kurrë një shumicë", tha sot Farage.

Baza e partisë së tij e nderon Farage si të ishte një profet politik, i cili e solli Britaninë e Madhe për mendimin e tyre në rrugën e duhur ose më mirë në rrugën e drejtë. Në jug të Anglisë UKIP po rritet duket u kthyer në kërcënim për Toriet konservatorë, kurse në Veri të Anglisë po kthehet në kërcënim për laburistët.

"Partia është në një gjendje të mirë - aq më tepër po ta krahasosh me partitë e tjera", u shpreh Farage.

Me Farage largohet një politikan tjetër nga Liga e luftëtarëve pararojë të Brexit, pasi njeriu i Tory-t Boris Johnson deklaroi që javën e kaluar se nuk do të kandidonte për kryesinë e partisë konservatore. Por mandatin e tij në Parlamentin Evropian Farage do ta mbajë - duke shpresuar njëkohësisht se në krye të qeverisë në Londër do të jetë së shpejti një "Brexit-as" i bindur. Në fund të fjalës së tij, Farage tha se pasi arriti që t'i kthehet vendi i tij, tani ai do që t'i kthehet jeta e tij:

"Sot unë them: unë dua të më kthehet jeta. Dhe kjo fillon pikërisht tani. Falemnderit!"